Hetim parlamentar për përgjimet, kërkesa dorëzohet në Parlament

Skandali i përgjimeve nuk do të mund të mbyllet dhe tani është Parlamenti, i cili do të marrë në dorë një hetim të gjerë. Duke qenë se në këtë aferë është i përfshirë direkt kreu i qeverisë dhe ministri i tij i Brendshëm duket se hetimet e deritanishme të Prokurorisë nuk kanë sjellë rezultatet e pritura në opinion. Kjo erdhi për shkak të presioneve të hapura të kreut të qeverisë dhe ministrit të Brendshëm ndaj gjyqtarit Aliaj, i cili vendosi masën e pezullimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Çako, si dhe vendosjen në arrest shtëpie të dy oficerëve të policisë që kanë drejtuar operacionin në terren të përgjimeve.
Në kushtet e komprometimit edhe të vendimit të Gjykatës së Apelit ku rezultonin të përfshirë në vendim bashkëshortja e njeriut të Ramës në hartimin e Reformës në Drejtësi, Sadushi. Në kushtet kur drejtësia është shantazhuar dhe presionet kanë qenë të hapura kundër gjyqtarëve për të mos penalizuar autorët e skandalit, atëherë opozita ka vendosur që të shfrytëzojë të gjitha hapësirat ligjore për të zbardhur të plotë dhe me detaje skandalin.
Provat e këtij krimi qeveritar janë të pastra dhe hetimi parlamentar mund të sjellë edhe kundërshtime nga qeveria për të mos lejuar ngritjen e këtij komisioni. Por, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është shprehur qartë për këtë të drejtë të opozitës. Skandali i përgjimeve është sot në duart e drejtësisë dhe hetimit parlamentar si institucioni më suprem në nxjerrjen e përgjësive.

Denoncimi i PD

Partia Demokratike dorëzoi dje kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm.
Është provuar dhe vërtetuar botërisht se në mes të muajit mars, në Shqipëri hyri pa u deklaruar dhe regjistruar në doganë një pajisje përgjuese, “IMSI Catcher” dhe u përdor më tej kjo pajisje për interesat e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, pa pasur autorizimin e prokurorit të Përgjithshëm, siç parashikon ligji dhe Kushtetuta.
Ky krim i rëndë shtetëror, cenim i sigurisë kombëtare, shkelje brutale e të drejtave të njeriut, është nën hetim nga Prokuroria, por një hetim i plotë parlamentar do të zbardhë rrethanat dhe faktet, sidomos në kohën kur Edi Rama po ushtron një presion kriminal ndaj drejtësisë për ta mbyllur çështjen.
Ishte pikërisht shantazhi mafioz i Edi Ramës ndaj gjykatave që solli rikthimin në detyrë të drejtorit të Policisë Çako dhe dy vartësve të tij, që janë njëri prej segmenteve që kanë përgjegjësi direkte për këtë krim shtetëror.
Qëllimi i komisionit hetimor është shqyrtimi i fakteve, provave dhe rrethanave, që dëshmojnë mënyrën e administrimit dhe përdorimit të pajisjes “IMSI Catcher” nga Policia e Shtetit.
Ne besojmë se, është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që kjo çështje të zbardhet në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Një hetim i plotë parlamentar, hedh dritë mbi këto fakte dhe nxjerr përgjegjësit nga i pari tek i fundit.
Përgjimi i paligjshëm është në krye të krimeve të Edi Ramës e Saimir Tahirit në këto tri vite. Nuk është thjesht një çështje e opozitës.
Zbardhja e kësaj çështjeje është një sprovë për vendin.
Jemi me sundimin e bandës apo me ligjin?
Me interesat e Ramës apo jemi me Kushtetutën?
Jemi me të drejtat e banditëve apo me të drejtat e njeriut?
Me aferat kriminale Rama-Tahiri apo jemi me sigurinë kombëtare?
Jemi me shtetin mafioz të Edi Ramës apo jemi me shtetin ligjor?

Pajisja e përgjimit

Nga hetimi ka rezultuar se aparati konkret funksionon, duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik mobil dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundor nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e Ligjit 9918, neni 123/2. Po sipas Prokurorisë, punonjësi i policisë, Ention Xhelilaj me funksion specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim. Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyrë automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknikë të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve. Nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në FO, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen. Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet mbi këtë rast, për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.

Çako pranoi se pajisja e përgjimit ishte përdorur

Në dëshminë para prokurorëve, Haki Çako ka konfirmuar se pajisja e përgjimit është përdorur dhe se janë bërë përgjime të paligjshme. Pavarësisht mohimit të ministrit Saimir Tahiri dhe jo vetëm, Haki Çako ka pranuar para organit të akuzës se pajisja e përgjimit është përdorur në burgje dhe për gjurmimin e personave të rrezikshëm të kërkuar nga policia. Nuk ka pasuar asnjë leje nga Prokuroria si në rastin e përgjimeve në burgje, ashtu edhe për gjurmimin e personave në kërkim. Konkretisht, Haki Çako është marrë në pyetje nga prokurorja Anisa Qilimi dhe ka pranuar se kjo pajisje, përveç trajnimit, është përdorur nga forcat operacionale të policisë për gjurmimin dhe identifikimin e numrave të telefonit të personave me rrezikshmëri të lartë. Çako ka pranuar se me këtë aparaturë është bërë gjurmimi dhe arrestimi i Vladimir Gjutës në Rrugën e Kombit, disa muaj më parë.  Çako ka pranuar gjithashtu se me këtë pajisje janë arrestuar edhe persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk i kujtoheshin. Për prokurorët, ky pohim i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, , tregon edhe njëherë se pajisja është përdorur për gjurmime dhe identifikim të numrave të IMEI pa lejen e prokurorisë dhe në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, në dosjen e prokurorisë thuhet se Çako ka qenë kontradiktor në komunikimin me prokurorët.  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako u pezullua më datën 7 qershor nga detyra për skandalin e përgjimeve me “IMSI Catcher”, megjithëse falë presioneve të vazhdueshme të Ramës ndaj Gjykatës së Apelit ai u rikthye sërish në detyrë. Prokuroria zbardhi të gjithë skemën e lëvizjes së pajisjes së përgjimit, si dhe oficerët e policisë që janë përfshirë në këtë lëvizje të pajisjes në mënyrë të paligjshme. Pajisja sipas Prokurorisë është lëvizur nga Drejtoria e Policisë në momentin kur në këtë drejtori ka mbërritur grupi i prokurorëve që kishin shkuar aty për të kërkuar sekuestrimin e pajisjes. Pasi prokurorët kanë pritur me orë drejtorin e Policisë është konstatuar edhe lëvizja e pajisjes së përgjimit nga specialisti i Forcave Operacionale, Xhelili. Pajisja e përgjimit se u përdor nga policia në mënyrë të paligjshme, për përgjime.

Kush u përgjua nga Rama-Tahiri

Ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi i pari skandalin ndërsa publikoi listën e personaliteteve shqiptare të përgjuar nga pajisja, e cila  është përdorur nga Policia e Shtetit me urdhër të Tahirit dhe Ramës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha denoncoi se ishte përgjuar Kreu i Shtetit Bujar Nishani, Kryeprokurori Adriatik Llalla, kryetarë të Gjykatave, ministra e deputetë. Në listën e deputetëve të mazhorancës bëjnë pjesë kreu i grupit parlamentar te PS, Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Anastas Angjeli, Esmeralda Shkjau, Vasilika Hysi. Ndërsa nga parlamentarët e selisë blu janë përgjuar Kryetari i Grupit Parlamentar te PD, Edi Paloka dhe deputetet Sali Berisha, Arben Ristani, Jozefina Topalli, Arben Imami, Genc Ruli, Ridvan Bode, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Majlinda Bregu, Albana Vokshi, Albina Deda.
Berisha bëri të ditur se në listën e të përgjuarve janë ambasadorët e vendeve të mëdha perëndimore dhe shefat e shërbimeve perëndimore, shefat e misioneve të institucioneve ndërkombëtare të akredituar në Tiranë.
Në listën e të përgjuarve ka pronarë e drejtues të mediave elektronike dhe të shkruara, portaleve dhe blogjeve kundërshtare apo kritike të qeverisë. Lista e të përgjuarve nga Edvin Rama, me alternim arrin në 375 persona vendas dhe të huaj.