Grabitja e bankës, makina me paratë kaloi kundërvajtje dhe nuk u ndalua

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar lëvizjet e dy autorëve të maskuar që grabitën 100 milionë lekë në një bankë dy ditë më parë në Vlorë. Pasi kanë parë momentin kur në rrugë s’ka pasur lëvizje si dhe klientët kanë qenë të paktë, ata kanë hyrë nga pjesa lindore e bankës, nëpërmjet rrugicës mes dy pallateve.
Ata kanë neutralizuar të dy rojet private të kësaj banke dhe janë futur me shpejtësi brenda ku nëpërmjet kërcënimit me armët e zjarrit, i kanë detyruar ata t’u dorëzojnë të gjitha lekët që kishin në gjendje në sportele dhe arkë.
Pamjet e kamerave tregojnë edhe klientët e pakët që janë ndodhur në ato momente, të cilët të tmerruar janë shtrirë në tokë dhe nuk e kanë ngritur kokën fare nga frika, derisa janë larguar grabitësit e armatosur.
Këta të fundit e kishin vendosur shumën e parave në një thes plastmasi. Autorët janë larguar me vrap andej nga erdhën, pra nga rrugica pas bankës, ku një person tjetër në një automjet tip “Mercedes 250”, me targa të huaja 453 AJL06, (ngjyrë e bardhë), i ka pritur. Më pas kanë kaluar mes lagjes së vjetër, kanë dalë në rrugën kryesore ku kanë kaluar te xhamia në afërsi të sheshit të “Flamurit”.
Kanë hyrë në kundërvajtje për rreth 100 metra dhe më pas janë futur në një prej rrugicave të lagjes “Lef Sallata”, ku kanë parkuar makinën para Shkollës Speciale të Prapambetjes Mendore. Aty e kanë braktisur mjetin, duke u larguar në këmbë me thesin e parave në dorë.
Kanë qenë banorët e lagjes, të cilët njoftuan Policinë për mjetin e braktisur. Pasi dëgjuan lajmin si dhe mjetin e përshkruar nga ana e bluve me të cilin autorët ishin larguar, banorët kanë sinjalizuar se një “Benz” me këto karakteristika ndodhej në lagjen e tyre.
Policia mbërriti menjëherë në vend dhe nisi hetimin, ndërkohë, nuk ka të dhëna nëse kanë mundur të fiksojnë dot gjurmë të autorëve në mjet apo të jenë gjetur sende të tjera që mund t’i shërbejnë hetimit. Më pas, gjithë itinerari i grabitësve është përcaktuar në sajë të kamerave të subjekteve të ndryshme.

Roja i bankës: Si e morën thesin me para për 1 minutë

Banka ku ndodhi ngjarja ka qenë e hapur ditën e djeshme. Edhe rojet private që u ndeshën të parët me dy “ushtarakët”, kanë shkuar si zakonisht në vendin e punës. “Dy personat erdhën befas nga rrugica ngjitur me bankën dhe menjëherë pa na lënë mundësi të reagonim na drejtuan armët. Njëri kishte pistoletë dhe tjetri një armë automatike. Me armën në kokë na kërcënuan se nëse do të reagonim do të na vrisnin. Më pas u futën me shpejtësi në ambientet e bankës”, u shpreh njëri prej rojeve të sigurisë.
Sipas tij, njëri prej tyre ka qenë në mënyrë të vazhdueshme me armën te koka, ndërsa rojën e dytë e kanë lënë jashtë, të shtrirë në shesh (i cili ka bërë edhe njoftimin te salla e rojeve private me anë të sinjalit të tyre). Qëndrimi i grabitësve në bankë dhe veprimet e tyre për vjedhjen e parave, sipas rojës ka zgjatur jo më shumë se një minutë.
Gjatë 24 orëve janë shoqëruar në Polici: persona që mund të japin të dhëna mbi identifikimin e grabitësve, disa të dyshuar, ata me precedentë penalë. Edhe punonjësit e bankës janë rimarrë në pyetje së bashku me rojet private, të cilët më pas kanë vazhduar punën normalisht ditën e djeshme, pavarësisht ngjarjes.