Gjykata Administrative injoron Veliajn, rrëzon vendimin e tij dhe i jep të drejtë kompanisë “Gener 2”

Gjykata Administrative e Apelit ka dhënë vendimin dje duke shfuqizuar vendimin e kryebashkiakut Veliaj dhe duke i dhënë të drejtë kompanisë “Gener 2”. Në këtë mënyrë ajo ka hedhur poshtë vendimin e Bashkisë së Tiranës për bllokimin e punimeve të ndërtimit poshtë digës së liqenit. Me vendimin e marrë nga gjykata, kompania mund të rinisë punimet që nga dita e sotme. Gjithashtu Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur që IKMT-ja (Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit), t’i paguajë kompanisë dëmin material dhe moral të shkaktuar gjatë kësaj kohe. Gjykata Administrative e Apelit i jep të drejtë kompanisë së ndërtimit “Gener 2 shpk”, për vazhdimin e ndërtimit të kompleksit pranë Liqenit Artificial. “ABC News” ka mësuar se treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Enkelejda Softa, kanë vendosur të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative, që i jep të drejtë kompanisë së ndërtimit për të vazhduar punimet. Sipas këtij vendimi, thuhet se shfuqizohet vendimi i firmosur nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për ndërprerjen e punimeve pranë Liqenit Artificial. Gjykata thotë se detyrohet pala e paditur, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë t’i paguajë kompanisë ndërtuese “Gener 2 shpk” dëmin e shkaktuar, si humbjen e pësuar dhe fitimin e munguar, si rezultat i ndërprerjes së punimeve, si dhe të paguajë në formën e dëmshpërblimit ndaj kompanisë ndërtuese dëmin moral që i ka shkaktuar shoqërisë pas nxjerrjes së aktit të paligjshëm të pezullimit të punimeve në këtë kantier ndërtimi. Gjithashtu, në vendim thuhet se është urdhëruar pezullimi i menjëhershëm i të gjitha procedurave të bllokimit të punimeve me firmën e kreut të Bashkisë, pasi janë cilësuar të paligjshme.  Nuk dihen të gjitha detajet arsyetuese të gjykatës, që i dhanë të drejtë kompanisë ndërtuese. Por burimet thonë, se një nga arsyetimet e gjykatës është fakti se janë administruar në dosje dy konkluzionet e ekspertëve të menaxhimit të burimeve hidrike, që kanë konstatuar se ndërtimi poshtë digës nuk sjell pasoja për digën e Liqenit Artificial.  Ky vendim është i formës së prerë dhe i lind e drejta kompanisë ndërtuese “Gener 2 shpk” të vazhdojë punimet për ndërtimin e kompleksit pranë Liqenit Artificial. Nga ana tjetër, nuk dihet nëse Bashkia e Tiranës, e cila bëri edhe protestën para Gjykatës së Apelit Administrative të ketë ankimuar vendimin që i dha të drejtë kompanisë ndërtuese. Sipas vendimit, thuhet se më 14 janar 2015 Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë njoftoi kompaninë ndërtuese për pezullimin e punimeve. Me kërkesë të Bashkisë, Gjykata Administrative vendosi sigurimin e padisë, duke pezulluar punimet. Vendim ky që mori formën e prerë. Por më 20 prill Gjykata e Shkallës së Parë Administrative i dha të drejtë kompanisë ndërtuese për të vazhduar punimet. Ky vendim u la në fuqi tashmë edhe nga Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë.