Gjermania: Një i papërgjegjshëm bëhet Sekretar Shteti në Britani

Kryeministrja e re britanike, Theresa May filloi formimin e qeverisë. Ajo emëroi si sekretar të Jashtëm politikanin kryesor që kundërshton BE-në, Boris Johnson. Philip Hammond u emërua shef i Thesarit. Hammond, ish-sekretar i Jashtëm, zëvendëson zotin George Osborne, i cili qëndroi në këtë post për gjashtë vjet. Osborne ka dhënë dorëheqjen nga qeveria.
Ndërkohë banorët e Londrës thonë se, shpresojnë që Theresa May të bashkojë vendin e përçarë. Ajo përballet me detyrën e vështirë të realizimit të shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Të mërkurën pasdite zoti Cameron shkoi në Pallatin Mbretëror për t’i dorëzuar dorëheqjen Mbretëreshës Elizabeth, duke i hapur rrugën betimit të Kryeministres së re, Theresa May.
Më herët, ai doli për herë të fundit para anëtarëve të Dhomës së Komunëve, që ishte edhe më e zhurmshme se zakonisht, në një atmosferë me humor, me shaka pa të keq mes Kryeministrit dhe anëtarëve. Zoti Cameron e filloi seancën me një shaka për statusin e tij të pritshëm si i papunë. “Zoti Kryetar, sot në mëngjes u takova me kolegët e qeverisë dhe të tjerë. Përveç një takimi pasdite me madhërinë e saj, Mbretëreshën, axhenda ime për pjesën tjetër të ditës, është pothuajse e zbrazët”.
Zoti Cameron dhe udhëheqësi i laboristëve të opozitës, Jeremy Corbyn që kanë sulmuar shpesh njëri-tjetrin dje shkëmbyen batuta me njëri-tjetrin. Zoti Corbyn, pastaj mori një ton serioz. “Është veprimi i duhur që pas gjashtë vjetësh si Kryeministër ta falënderojmë zotin Cameron. Shpesh nuk kam qenë dakord me të, por dua ta vlerësoj për disa nga arritjet e tij”.
Zoti Cameron tha se, qeveria po punonte me përkushtim që të garantonte qëndrimin e banorëve të Bashkimit Evropian në Britani, pas votimit në referendum për të dalë nga organizata, por shtoi se kjo do të varet nga reciprociteti për banorët e Britanisë në BE.
Disa banorë të kryeqytetit britanik thanë se do t’u mungojë shumë Cameron, që ka drejtuar qeverinë që në vitin 2010.
“Mendoj se ka bërë punë të shkëlqyer, do të na mungojë sepse është burrë shteti, ishte një Kryeministër që ka lënë shembullin se si duhet vepruar”, thotë pensionisti David Firminger. “Mendoj se ishte shumë i zoti. Bëri shumë gjëra për ne, bëri të mundur miratimin e shumë ligjeve. Më vjen keq që po largohet, por edhe Theresa May është e zonja”, thotë Maryan Sharma, një infermiere.
Por të tjerë e akuzojnë se e zhyti Britaninë në “kaos” gjatë gjashtë viteve në detyrë. “Mendoj se ka shkaktuar kaos në gjithë vendin dhe tani ndoshta vendoset njëfarë strukture”, thotë Sarah.
Ka të tjerë që e shohin me pak më shumë nuancë qeverisjen e Cameronit, duke thënë se megjithëse ishte Kryeministër i mirë, vendimi që mori për referendumin i doli kundër. “Nuk mendoj se përfundoi mirë, mendoj se njerëzit janë ndoshta disi të zhgënjyer nga largimi i tij”, thotë Alex Kirby. Me ardhjen në detyrë të Theresa May-t, disa banorë të Londrës po e kthejnë vështrimin tek parashikimet për mënyrën e saj të qeverisjes. “Do të marrë shumë kritika në fillim, më shumë sesa Cameron sepse do t’i duhet ta transformojë vendin përsëri. Kur Cameron mori detyrën nga Blair, iu desh të rregullonte gjithçka nga fillimi. Të njëjtën gjë do të bëjë tani Theresa May”, thotë pensionisti Nick Cutter. Gazetat britanike kishin filluar spekulimet për emrat që do të përfshijë zonja May në kabinet, duke parashikuar një rritje të numrit të grave.

Kerry e uron, Gjermania del kundër

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e ka thirrur në telefon homologun e sapoemëruar britanik, Boris Johnson për ta uruar për postin e ri dhe për t’i kërkuar “qasje të matur dhe të ndjeshme” gjatë daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Kryeministrja e re britanike, Theresa May ka habitur të gjithë kur mbrëmë e ka emëruar udhëheqësin e fushatës së daljes së Britanisë nga BE-ja në postin e Sekretarit të Jashtëm të vendit.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se, Kerry dhe Johnson “janë pajtuar që marrëdhëniet e veçanta të SHBA-ve dhe Britanisë janë po aq esenciale si më parë”, ndërsa janë zotuar se do të punojnë së bashku. Ata gjithashtu janë pajtuar të takohen javën e ardhshme në Bruksel.
Emërimi i ish-kryetarit të Londrës, Boris Johnson, në postin e sekretarit të Jashtëm britanik ka shkaktuar habi. Johnson ka udhëhequr fushatën për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe më pas është tërhequr nga gara për postin e Kryeministrit, i cili duhet të udhëheqë negociatat për shkëputje nga blloku.
“Është e hidhur për Britaninë e Madhe. Njerëzit atje janë duke përjetuar një zgjim të pakëndshëm, pasi politikanët e papërgjegjshëm fillimisht e nxorën Britaninë nga Bashkimi Evropian dhe më pas u ikën përgjegjësive… Të jem i sinqertë, kjo më duket shokuese. Dhe natyrisht, nuk është e hidhur vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për Bashkimin Evropian”, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Johnson po ashtu ka shkaktuar shtangie në Evropë, duke krahasuar qëllimet e Bashkimit Evropian me ato të Adolf Hitlerit dhe të Napoleonit.