E do! S’e do!

Artan HOXHA

Këto dy shprehje kanë zënë mbi 99% të volumit informativ, analitik e propagandistik për Reformën në Drejtësi, që në nisje para dy vitesh e deri më sot. Kështu foli edhe sot Kryerilindësi, pas mekjes nervoze, dje, në ceremoninë e vonuar të 25-vjetorit të PS dhe të parakohshme të 5-vjetorit të Rilindjes. Ndonëse bëhet fjalë për një çështje shumë specifike, asnjë argument ligjor, vetëm propagandë. Ai e do, Luli s’e do.
Propozimi hibrid, hedhur në tryezë nga amerikanët të dielën e kaluar bashkonte mekanikisht dy gjysma: filtrimin e rreptë të kandidatëve për strukturat e vetting nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), si skemë e dakordësuar nga Rilindja; me mënyrën e votimit nga Kuvendi të kandidaturave të filtruara, si skemë e kërkuar nga demokratët. Meqë për gjysmën e dytë u ra dakord vlen të diskutohet vetëm gjysma e parë.
Mënyra e propozuar e filtrimit e propozimit hibrid mbart defektë të rënda kushtetuese lidhur me të drejtat e njeriut, sovranitetin por edhe lidhur me interesin publik, qoftë edhe i lidhur ngushtësisht me rezultatet e pritshme nga kjo reformë.
Dihet se eliminimi i një kandidati nga e drejta për të konkurruar për një post publik, një nga të drejtat themelore kjo e drejtë, mund të bëhet vetëm mbi kritere objektive ligjore si dhe, kur kandidati mendon se vendimi i përjashtimit të tij nga konkurrimi nuk është në përputhje me ligjin, ai ka të drejtë të patjetërsueshme për t’u ankuar deri sa të arrihet një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Një proces i këtillë është jo vetëm e drejtë themelore e patjetërsueshme e individit, por njëherazi edhe interes publik, pasi vetëm përmes këtij procesi ne kemi shanse të informohemi për përkushtimin, korrektesinë profesionale, paanshmërinë dhe cilësi të tjera të domosdoshme të procesit vendimmarrës, pra të sigurohet përgjegjshmëria apo llogaridhënia e kujtdo qoftë që merr vendim. Kjo vlen edhe për ato copëza sovraniteti që lëshohen vetëm përkundrejt përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së garantuar. Gjithashtu, vetëm një proces i këtillë inkurajon pjesëmarrjen e më shumë kandidatëve cilësorë, përndryshe marrin kurajon për kandidim ose aventurierë ose ata që i kanë puqur paraprakisht pipëzat dhe gara s’është më garë, por farsë.
Propozimi hibrid përcakton se, kandidatët për strukturat e vetting, pasi të kenë kaluar filtrin e përciptë të Avokatit të Popullit lidhur me kriteret formale apo jo substanciale ligjore, kalojnë filtrat e rreptë të vetting, për po atë çështje si edhe gjyqtarët dhe prokurorët aktualë, përmes vendimeve të ONM, e cila vendos pa i dhënë llogari kërkujt, pa të drejtë informimi të kandidatëve për shkaqet e eliminimit dhe pa mundësi ankimimi të tyre ndaj vendimit. Shkurt e qartë, ONM-në e duan që të bëjë ç’të dojë, dhe askush të mos ketë të drejtë as të ankohet e as t’u kërkojë llogari, por vetëm të bindet.
Ndërkohë, projekti aktual i ndryshimeve Kushtetuese depozituar zyrtarisht në Kuvend me firmat e deputetëve rilindës, projekt që gëzon mbështetjen totale edhe të Rilindjes edhe të ndërkombëtarëve, përfshirë e në radhë të parë të amerikanëve, percakton se ONM, mes tërësisë së kandidatëve i rekomandon Kuvendit ata më të mirët, por nuk eliminon asnjë prej kandidatëve, të cilët konsiderohen që të gjithë, me apo pa rekomandim, në votimin në Kuvend. I këtillë ka qenë roli i ONM në çdo projekt pararendës të ndryshimeve kushtetuese përfshirë atë të 15 janarit 2016.
Kundërpropozimi i sotëm i demokratëve nuk bën gjë tjetër veçse ruan rolin rekomandues të ndërkombëtarëve, këtij i shton edhe një përforcim shumë të qenësishëm, ndihmues, monitorues, kritikues, të afërt e të përditshëm të rolit të ONM pranë komisionit parlamentar filtrues me 3+3 anëtarë që kryen vetting të kandidatëve.
Komisioni parlamentar, merr vendim administrativ, mbi kritere objektive të procesit të vetting, të njëjta me ato që do të përdoren për gjyqtarët dhe prokurorët aktualë si dhe, në rast se një kandidat i eliminuar nga gara nuk është dakord mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese (mund të ishte fare mirë në këtë rol edhe Gjykata Administrative apo një gjykatë apo kuazi-Gjykatë e ngritur për këtë qëllim), e cila vendos përfundimisht, me procedurë të përshpejtuar, për vijimin apo jo të kandidimit. Filtri i propozuar nga demokratët respekton të drejtat e njeriut në kandidim, siguron transparencën, ushtrimin e përgjegjshëm të kompetencës nga komisioni parlamentar dhe llogaridhënien.
Ndaj, Kryerilindësi s’ka argument kundër këtij propozimi, ndërsa ka rënë dakord më parë me rolin rekomandues të ndërkombëtarëve dhe, për më tepër, më 8 korrik, ka qenë vetë Rilindja që ka propozuar komisionin parlamentar filtrues me paritet anëtarësh, ide kjo aspak origjinale, as rilindëse dhe as demokrate, por e Komisionit të Venecias.
As ndërkombëtarët nuk kanë argument. Mund edhe t’u jepet një copëz sovraniteti, pra të ushtrojnë kompetencën administrative, të eliminojnë kandidatë, por duhet të pranojnë me domosdo që, në këtë rast, vendimi i tyre s’mund të jetë as opak dhe as i paankimueshëm. Përndryshe, maksimumi i mundshëm mbetet roli rekomandues, monitorues, vlerësues, kritikues, ndërmjetësues, në çdo çështje e për gjithçka. Rekomandimet nuk janë të ankimueshme dhe për to s’jepet llogari.
Qoftë edhe për këto role, aq më shumë për rolin e kërkuar vendimarrës, ndërkombëtarët e Tiranës s’mund të jenë “arbitër”. Një rol të këtillë, në këto rrethana, mund të luajë vetëm Komisioni i Venecias.