Do të ringrihemi!

Nis aventura e Antonio Kontes te Chelsea. Ish-trajneri i përfaqësueses italiane u prezantua zyrtarisht si tekniku i ri i Bluve të Londrës, klub me të cilin muaj më parë ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare. Me të në stol tifozët e Chelsea-t ëndërrojnë titullin kampion që në sezonin e parë, por vetë Konte e ka të qartë dhe objektivi i tij kryesor është të rikthejë skuadrën në UEFA Champions League.
“Për mua është një kënaqësi e madhe të ndodhem sot këtu dhe jam i lumtur për këtë fakt. Kam punuar shumë për të arritur deri në këtë pikë dhe jam me të vërtetë shumë i emocionuar që nga tani e tutje do të jem trajneri i Chelsea-t. Ky është një kapitull i ri për mua, për karrierën time dhe për familjen time. Jam bërë pjesë e kampionatit më të bukur dhe njëkohësisht më të vështirë në botë, sepse këtu janë 6 apo 7 skuadra, të cilat mund të fitojnë titullin. Për mua është një nder të jem trajneri i një klubi si Chelsea. Gjatë dy ditëve të para të stërvitjes kam parë një impenjim shumë të madh te të gjithë lojtarët, por nuk mund të premtoj dot titullin. Do të bëjmë gjithçka për t’u rikthyer fillimisht në Champions League”, u shpreh Konte.
Por a do të aplikojë Antonio Konte edhe te Chelsea skemën me tre mbrojtës siç ka bërë te Juventusi dhe kombëtarja italiane? “Kur mbërrij në një klub, mundohem t’u gjej pozicionet e përshtatshme të gjithë futbollistëve dhe kur isha në Itali më pëlqente të thosha që trajneri është si një rrobaqepës që duhet të ndërtojë kostumin më të mirë të mundshëm me atë copë që ka në dispozicion. Në karrierën time si trajner kam ndryshuar shpesh sistemin e lojës. Të luash me 3 apo 4 mbrojtës nuk është e rëndësishme, i rëndësishëm është shpirti që lojtarët tregojnë në fushë”, tha ai.
Ndërkohë Uli Honess do të kthehet shumë shpejt në postin e presidentit të Bayern Munchen. Lajmi publikohet nga revista gjermane “Kicker”, sipas së cilës, zyrtarizimi i ardhjes së Honess në krye të klubit bavarez do të bëhet në ditët në vazhdim. Uli Honess e la këtë detyrë pas hetimeve të kryera ndaj tij për evazion fiskal, vepër për të cilën ai u dënua me 3 vite e gjysmë burgim, dënim që prej muajit shkurt u konvertua në liri me kusht. Presidenti aktual i Bayernit, Karl Hopfner deklaroi se do të jetë gati që t’ia lejë vendin Honessit, nëse ky i fundit dhe bordi drejtues i “bavarezëve” do të vendosin për një lëvizje të tillë.
Gjithnjë sipas “Kicker”, kjo çështje do të diskutohet ditën e premte dhe zyrtarizimi do të bëhet përpara datës 31 korrik. Honess hyri në burgun e Landsbergut në Bavari në qershor të vitit 2014, për të shlyer dënimin për evazionin fiskal prej 28.5 milionë eurosh. Në fillim të vitit 2016, pasi kreu gjysmën e dënimit, ai u lirua me kusht. Që nga ai moment, Honess u pa shpesh në “Allianz Arena”, ku është pritur mirë si nga tifozeria, ashtu dhe nga drejtuesit e Bayernit.