Djalli i veshur në Drogë

Frrok ÇUPI

Pardje, e dielë. Sapo zonja Nuland kishte mbërritur, lajmi hapi veshët:  “Çfarë ka në paketën amerikane për Drejtësinë?”. Akoma po përtypej kureshtja për Paketën, kur hyri një lajm tjetër: “OKB zbulon sa drogë prodhohet në Shqipëri dhe sa kushton”.
Dy paketa njëherësh, apo të dy objektet në një paketë? Kjo është çështja.
… Pako dhe paketë, këto janë dy fjalët më të përdorshme të kohës. Paketa për ndryshimet kushtetuese!, paketa për Reformën në Drejtësi!, pakot me para të krimit!, pakot me drogë… Të gjitha kanë fjalët “pako” dhe “paketë”. Edhe në gjuhën angleze, nëpër agjencitë e lajmeve, përherë e më shumë po përdoret fjala “wraped”.
Në pakon e fundit, gjëja e fundit, u përmend droga, 340 milionë euro prodhim nga Shqipëria.
Atëherë i bie që në Paketën enigmatike për Drejtësinë të ketë, më së shumti, Drogë. Çdo gjë tjetër është më pak dhe më pa interes.
… Disa thonë se në “Paketë” është mbështjellë korrupsioni? Kaq pak? Korrupsioni këtu është legjendar. Amerika nuk kishte pse të zgjohej pikërisht tani. Po Maqedonia, nuk ka korrupsion? Por nuk ka nevojë për paketë. Po Serbia? As kjo nuk ka paketë. Po Mali i Zi? Ky është “atdheu” i korrupsionit të madh, por nuk ka paketë.
Disa të tjerë thonë se me Paketën do të burgosen elitat. Pse vallë, për këtë,  u dashka paketë? A nuk u përdorën elitat për t’i marrë liritë këitj individi që rron këtu? Vallë do të zgjohej Amerika për kaq elita minore? Këto elita mund të burgosen brenda natës me ligjet ekzistuese. Siç edhe ka ndodhur. Po të shtohen prapë ligje në këtë xhungël, atëherë do të krijohej tirania e ligjit.
Nuk dalin “llogaritë” mbi misterin e Paketës
Ç’djallë po fshihet në Paketën për Reformën në Drejtësi?!… Sa shumë njerëz pyesin, sidomos njerëz të tri kategorive: Të parët, ata që ndjehen të frikësuar se mos brenda “paketës” është fshehur emri i tyre si “djaj”, dmth., si pjesëmarrës në krim; dhe Amerika po i zbulon e po i nxjerr në shesh për t’i burgosur. (Përsëri në një pako do të jenë)… Të dytët i përkasin kategorisë që është shumë e interesuar se kur do të burgoset tjetri. Këta janë njerëz, që ashtu kot, duan t’a shikojnë tjetrin në burg. Me kaq gëzohen dhe e flenë mendjen se “jeta u bo qef”. Në kategorinë e tretë bëjnë pjesë ata që bëjnë sikur i përkasin shtresës së shoqërisë që informohet dhe reagon. Në fakt, këta përbëjnë celulën e vogël të shoqërisë që të bën të mendosh pozitivisht, por që është një celulë kaq e vogël.
Ja, këta janë. Por ç’djallë fshihet në Paketën për Reformën në Drejtësi?
Shikoni që ka dy lajme, njëri pas tjetrit, njëri sot, dhe tjetri po sot mbasdite… Dje, të gjitha mediat iu kushtuan lajmit për “paketën Nuland” të Amerikës mbi Drejtësinë e Re. Në valën e kureshtjes mbi Paketën, një tjetër lajm ngriti kokën në gjysmën tjetër të ditës. Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton mbi Shqipërinë: “Fitimet nga droga në Shqipëri janë 340 milionë USD në vit, sa 2.6% e GDP-së”.
Çfarë ndodhi? Po kështu ndodhi me dy lajme njëherësh, ditën e Brexit. Një ditë pas referendumit të Britanisë, pasi “bota u shemb”, më 24 qershor lajmi mbi Kolumbinë dhe Drogën e famshme. Shteti emblematik i Amerikës së Veriut bëri Marrëveshje me ushtrinë e Drogës. Më 24 qershor u dorëzua FARC. (FARC ishte organizata 51-vjeçare marksiste-leniniste rebele kolumbiane që në spanjisht është “Fuerzas Armadas Revolucionarias de Colombia”).
Po këtu, vallë a ka organizata marksiste-leniniste jashtë qeveritare, si FARC?. Jo, këtu nuk ka. Këtu prodhohet drogë dhe transportohet drogë; por nën patronazhin dhe fitimet e qeverisë. Ndërsa në Kolumbi Organizata ishte guerrilase, jo në qeveri. Çfarë po ndodh? Nuk mund të mendohet se po transferohet krimi nga Amerika Veriore në Ballkan. FARK, një organizatë ani-imperialiste, iu kalli tmerrin njerëzve në Kolmbi e në Botë. Për gjysmë shekulli Kolumbia ishte në luftë me FARC; luftë që iu mori jetën mbi 250 mijë kolumbianëve. FARC iu shtiu frikën, aq sa 8 milionë njerëz të Kolumbisë lanë atdheun dhe u kthyen në refugjatë. Ky është numri më i madh i refugjatëve në botë, përveç Sirisë… I sjell këto fakte për naivët që thonë “lëre qeverinë të prodhojë drogë, ç’të gjeti ty?!”. Ne kemi korrur fitoren e parë të drogës: Ikjen e njerëzve nga vendi. Në Gjermani refugjatët shqiptarë zënë vendin e dytë, pas Sirisë…
Sigurisht, këtu nuk ka organizata marksiste-leniniste jashtë qeveritare si në Kolumbi. Por ka gjëra të tjera kaq të përbashkëta:
Shqipëria po kthehet në një plantacion droge, alias Kolumbi. Sipas OKB-së, këtu nxirren nga droga 2.6 për qind e produktit të përgjithshëm, sipas shifrave zyrtare. Ndërsa në zërat e buxhetit nuk ka asnjë shenjë ku të thuhet se, “kaq euro hynë nga shitja e drogës”. Kush e shet dhe kush e fiton? FARC-u shqiptar. Qeveria kontrollon gjithë trafikimin e drogës. Droga transportohet me avionë dhe me anije, në të gjitha pikat e kontrolluara prej qeverisë. FARC kishte shumë vështirësi, sepse ishte organizatë kriminale jashtë-qeveritare. “FARC” këtu nuk ka asnjë vështirësi. Droga mbillet në të gjithë vendin, por më së shumti në territoret e kontrolluara mirë nga qeveria. Një fshat i pakontrollueshëm prej qeverisë së majtë, Lazarati, i njohur për prodhimin e drogës, u shuajt nga forcat ushtarake të qeverisë. Aty tani ka veç të burgosur, të vrarë dhe nëna që qajnë. Gjithë prodhimi i drogës u transferua në Tepelenë, Vlorë, Berat, Lushnjë, Durrës…
Këtu fshihet djalli, nën drogë. Ku shkojnë 340 milionë dollarë që fitohen prej drogës? Nuk ka të dhëna. Ato ndodhen në një paketë, ose në një pako. A do ta hapë Amerika? Kjo është pyetja, kush do ta hapë? Apo askush? Kur? Apo kurrë? … Sipërfaqja e mbjellë me drogë në Kolumbi ishte sa territori i Gjermanisë. Para dy javësh FARC u dorëzua. Çfarë po bëhet këtu? Këtu po rriten sipërfaqet e mbjella me drogë dhe po shtohet rreziku. Ku shkojnë fitimet?
Drejtimi i parë ku shkojnë fitimet e drogës është mbajtja e pushtetit përjetë. Këtu FARC nuk është jashtë qeverisë, por brenda saj.
Drejtimi i dytë, do të blihen të gjithë të fortët dhe do të rrezikohen liritë. Nuk ka liri nën drogë. Të fortët janë të veshur me luks. Edhe kryeministri shqiptar është lideri i veshur më me luks në botë. Por nuk është fjala veç për këtë veshje. Është fjala për veshjen prej çeliku. Sikur Amerika të mos ndërhyjë sot, nesër do të jetë vonë. Nesër do të jenë blerë të gjithë votuesit dhe të gjithë do të jenë të paprekshëm.
Drejtimi i tretë është prishja e ekuilibrave në rajon. Shqipëria e mbjellë me drogë nuk do të thotë se nuk i shtrin kthetrat edhe në Maqedoni, në Serbi, Mal i Zi dhe Itali. Kush do të dominojë mbi drogën? Kush do të blejë patriotët në Ballkan? Rreziku i një lufte të “droguar” në rajon bëhet akoma më e afërt. Në qoftë se do të forcohet Djalli i veshur me drogë!… Kemi edhe një fat të keq: Kryeministri dhe disa ministra janë akuzuar nga aleatët si përdorues të drogës. Jemi i vetmi shtet në botë që kemi kësoj qeveritarësh. Ka koincidenca marramendëse.
Kjo është pako, ose paketa?!
Është veshje force, nuk është eleganca e Meryl Streep në filmin “Djalli vishet në Prada”.