De Laurentis i pakënaqur nga kërkesat, Hysaj drejt largimit

Kërkesat e vazhdueshme për rinovim të kontratës së Elseid Hysajt nga ana e menaxherit të tij kanë pasur më shumë një efekt negativ sesa pozitiv. Menaxheri Mario Xhiufredi, që përfaqëson mbrojtësin e kombëtares, ka folur publikisht për një largim të futbollistit shqiptar nëse vononte firma në kontratën e re.
Kjo situatë ka lënë shumë të pakënaqur presidentin e Napolit, Aurelio de Laurentis. Sipas “Corriere dello Sport”, drejtuesi i Napolit nuk pëlqen kur të tjerët e “shantazhojnë” për rritje rroge dhe ka treguar në të kaluarën se nuk ka problem të largojë emra të rëndësishëm nga skuadra.
Për këtë arsye, të hënën ai do të takojë në klub lojtarët e pakënaqur, të cilët kanë bërë të ditur se duan rritje të rrogave nëpërmjet menaxherëve të tyre (Higuain, Hamshik, Kulibali, Hysaj dhe Valdifiori). Sipas gazetës italiane, presidenti i Napolit pritet t’u bëjë të qartë se si ai nuk ka prekur asnjëherë kontratat e lojtarëve pas sezoneve negative, ndaj as ata nuk duhej të çonin zërin për të kërkuar rritje të një rroge për të cilën kishin firmosur vetë.
Në këtë situatë, rinovimi i Hysajt apo edhe qëndrimi i tij te Napoli është vënë në diskutim të plotë. Për lojtarin nuk mungojnë admiruesit, por deri tani të gjitha zërat për oferta kanë qenë thjesht thashetheme të zakonshme të merkatos, pasi në zyrat e klubit nuk ka mbërritur asnjë kërkesë konkrete për të.