Çfarë rrezikon Rama nga dëshmia e të Penduarit

315

Bledi KASMI

Bilal Shehu, një shofer limuzine në Nju Xhersi është vendosur në qendër të hetimeve të Prokurorisë amerikane për financimin me 80 mijë dollarë të fushatës së Presidentit Obama nga një financim i huaj, nga Shqipëria, por që është i dënueshëm në SHBA.
Hetuesit amerikanë kanë mundur të zbulojnë se kush qëndron pas këtij financimi. Për momentin ata i identifikojnë si i “Huaji1” që është një grek dhe i “Huaji2” që është Rama. Ndryshe nga sa mund të shpresonte Rama se Bilali do të heshtë para drejtësisë amerikane, ai ka vendosur të flasë. Bilali atje tashmë konsiderohet një i Penduar që ka pranuar fajësinë e tij, por që nuk ka pranuar se paratë ishin të tijat.
Shtetasi Bilal Shehu, po përballet me një dënim që mund të shkojë deri në pesë vjet burg dhe kundrejt një pagese – gjobë, me vlerë deri në 250.000 dollarë, kur ai do të marrë edhe dënimin në gjyqin përfundimtar më 5 tetor 2016.
Shehu ka pranuar gjithashtu se bileta e siguruar prej tij për fushatën e rritjes së fondeve të Presidentit Obama në San Francisco është falsifikuar, pasi si gruaja e tij është prezantuar Edi Rama, shkruan një nga të përditshmet e Nju Xhersit.
I Penduari Shehu ka pranuar para prokurorëve se plani për të marrë pjesë në mënyrë të kundraligjshme në fushatën e mbledhjes së fondeve nuk ka qenë i tij, por i shtetasit të “Huaj2”, pra Ramës, në mesin e shtatorit 2012, ndërsa aktiviteti ka qenë në 8 tetor 2012.
Nga zbërthimi i të gjitha detajeve të hetimit, Shehu ka pranuar shkeljen e ligjit prej tij, por ka treguar edhe bashkëpunëtorët që janë Rama dhe shtetasi i “Huaj1” një biznesmen grek. Se cili do të jetë vendimi i Drejtësisë amerikane kjo pritet të shihet në tetor, por nëse Rama konsiderohet fajtor, atij minimalisht mund t’i refuzohet hyrja në Shtetet e Bashkuara së paku për 10 vite.
Dëshmia e të penduarit Shehu përbën bazën e detyrueshme ligjore për të hetuar Ramën jo vetëm në SHBA, por edhe në Shqipëri. Gjurma e atyre parave të pista që kanë tentuar të ndosin fushatën presidenciale të Shteteve të Bashkuara po zbardhet dhe të gjitha rrugët të çojnë në zyrën e kreut të qeverisë.