Çfarë kërkojnë të rinjtë nëpër botë?

Martijn Lampert
Haroon Sheikh

Në referendumin e Mbretërisë së Bashkuar, brezat e vjetër votuan “dalje”, ndërkohë që votuesit më të rinj favorizuan fuqimisht qëndrimin e vendit brenda Bashkimit Europian. Mesa duket, brezat e vjetër janë më nacionalistë dhe kanë nostalgji për pavarësinë. Të rinjtë e konsiderojnë veten qytetarë të një komuniteti gjigant global. Kjo është të paktën mënyra se si shihen dhe interpretohen qëndrimet e të rinjve të këtij mijëvjeçari përreth botës: ata janë postmaterialistë, favorizojnë bashkëpunimin në kurriz të konkurrencës, janë demokratikë, kozmopolitanë dhe progresivë.
Për shembull, ndërkohë që Presidenti rus, Vladimir Putin dhe grupi i tij i qeverisjes mund të lartësojnë ende vlerat e shekullit 19, rusët e rinj (të përfaqësuar edhe nga Pussy Riot) shpresojnë për një të ardhme të ndryshme. Ata u mblodhën me mijëra për të protestuar kundër Putinit në vitin 2012. Ata duan demokraci dhe e kundërshtojnë politikën patriarkale konservatore të qeverisë së tyre. Optimizmi fillestar i vëzhguesve rreth Pranverës Arabe buronte pikërisht nga të rinjtë, arabët e rritur me teknologji, të cilët i përdornin rrjetet sociale për të përhapur protestën e tyre. Në Turqi, protestuesit e rinj në “Gezi Park” shërbyen si kundërforcë ndaj politikës konservatore të Recep Tayyip Erdoganit. Edhe të rinjtë e shtresës së mesme të shoqërisë kineze duket se aspirojnë për një regjim më të hapur.
Por e vërteta e brezit të ri të botës është më e ndërlikuar se kaq. Teksa lëvizjet protestuese ishin duke shkundur botën gjatë viteve të fundit, filloi të përhapej bindja se revolucionet demokratike mund të shpërthenin nga momenti në moment. Megjithatë, nuk ndodhën. Kjo ishte e çuditshme vetëm për shkak se është krijuar një këndvështrim i hiperbolizuar për të rinjtë e këtij mijëvjeçari. Numri i tyre arrin deri në 2 miliardë individë dhe pjesa më e madhe jetojnë në ekonomitë në zhvillim. Vlerat e tyre janë më të diversifikuara nga ç’mendoni. Ne kemi analizuar të dhënat e sondazhit “Glocalities” mbi të rinjtë e mijëvjeçarit në disa vende perëndimore europiane, në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Rusi dhe Turqi, i cili është kryer në 24 shtete të ndryshme në fillim të këtij viti. U zbulua se të rinjtë që jetojnë në vendet në zhvillin kanë ëndrra, ambicie dhe këndvështrim për jetën të ndryshëm nga bashkëmoshatarët e tyre të vendeve perëndimore.
Ka edhe disa vlera për të cilat të gjithë të rinjtë e mijëvjeçarit nëpër botë duket se bien dakord. Ata pëlqejnë aventurën, shkëlqimin, inovacionin dhe ambicien shumë herë më tepër se brezat më të vjetër, kjo pjesërisht për shkak të fazës së jetës në të cilën ndodhen. Këto aspekte janë nxitës të mëdhenj të ndryshimit në treg dhe në vendet e punës kudo nëpër botë. Po kështu, më shumë se brezat e vjetër, të rinjtë e konsiderojnë veten si qytetarë të botës dhe krahasuar me brezat e mëparshëm të të rinjve janë më pak të interesuar për vlerat tradicionale dhe krenarinë kombëtare.
Por për të kuptuar ndryshimin kulturor, duhet të hetojmë më në thellësi. U zbulua, për shembull, se vlerat e të rinjve në Shtetet e Bashkuara përputhen më së miri me ato të bashkëmosharëve të tyre në vendet e pasura europiane. Popullsia e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë më konservatore se ajo e Europës, por të rinjtë amerikanë po ecin me shpejtësi drejt perspektivës së laicitetit, barazisë gjinore dhe diversitetit seksual të europianëve të rinj. Megjithatë, kjo lloj konvergjence është e rrallë për pjesën tjetër të botës. Për të treguar se si ndodh ky fenomen, kemi shpjeguar disa mite të krijuara rreth të rinjve të këtij mijëvjeçari.

Miti I: Të rinjtë kërkojnë liri dhe vetërealizim
Të rinjtë amerikanë dhe ato kinezë janë më të predispozuar të bien dakord me frazën: “Qëllimet e mia më të rëndësishme janë të dëfrehem dhe të kënaqem” krahasuar me të rinjtë e Rusisë, Turqisë dhe Europës. Rinia ruse kryesisht nuk është dakord me këtë frazë. Ata janë më të predispozuar të bien dakord me frazën: “Ndihem i plotësuar duke jetuar një jetë të kthjellët”. Rinia ruse mendon gjithashtu se nëse i jep njerëzve më tepër liri seç duhet, do të fillojnë të abuzojnë me të. Ata duken gjithashtu kulturalisht më pak të predispozuar ndaj lirive individuale dhe hedonizmit krahasuar me moshatarët e tyre të vendeve të tjera.
Të rinjtë rusë vazhdojnë të aderojnë në vlerat që kanë karakterizuar tradicionalisht Rusinë. Përgjatë gjithë historisë së vendit, forcat centrifugale e kanë trazuar vazhdimisht shtetin rus, që nga Epoka e Problemeve në shekullin 17, tek rënia e dinastisë së Romanovëve, e deri tek rënia e ashpër e Bashkimit Sovjetik. Eksperienca kaotike e viteve 1990 dhe ngritja e oligarkëve dhe mafies i ka treguar rusëve se, liria e tepërt individuale është e rrezikshme dhe se shoqëritë kanë nevojë për rregulla të ashpra. Sondazhi tregon se rusët e rinj kanë frikë nga trazirat dhe nga liritë e tepërta, krahasuar me moshatarët e tyre në Kinë, Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
Ekziston edhe një implikim tjetër: Sanksionet perëndimore të imponuara për t’i bërë presion regjimit rus. Edhe të rinjtë e Rusisë e vlerësojnë jetën e kursyer. Ata duket se kanë të njëjtën ndjenjë dhe aftësinë e famshme të rusëve për të duruar vuajtjet, e cila lavdërohet ndjeshëm edhe në literaturën e vendit, që nga Pushkini tek Dostojevski.

Miti II: Të rinjtë janë postmaterialistë dhe preferojnë bashkëpunimin në kurriz të konkurrencës
Të rinjtë e Shteteve të Bashkuara dhe Europës duket se preferojnë më shumë kohën e lirë se sa paratë. Të rinjtë në Kinë, Rusi dhe Turqi nuk kanë të njëjtin mendim. Diferenca mund të shpjegohet nga aspiratat e tyre materiale, kultura dhe faza e zhvillimit në të cilën ndodhen tregjet e vendeve të tyre. Duhet theksuar fakti se të rinjtë në Turqi, krahasuar me amerikanët dhe europianët, nuk janë aspak dakord me idenë se bashkëpunimi ka më shumë rëndësi se konkurrenca. Të rinjtë rusë dhe ato kinezë po kështu, nuk vlerësojnë më tepër konkurrencën.

Miti III: Të rinjtë i kundërshtojnë vlerat patriarkale
Për të matur nivelin e respektimit apo kundërshtimit të vlerave patriarkale, të intervistuarve iu kërkua të shprehnin qëndrimin e tyre për rolin e babait si kreu i familjes, limitin deri ku duhet të shprehë një burrë anën e tij femërore dhe të drejtat e homoseksualëve. Rinia perëndimore i kundërshton hapur dhe fuqimisht qëndrimet konservatore të këtij diskutimi. Por njëlloj si brezat më të vjetër, të rinjtë në Turqi dhe Rusi aderojnë më shumë në vlerat patriarkale. Pranimi dhe respektimi i homoseksualitetit është veçanërisht i ulët në këto dy vende.
Rinia kineze, nga ana tjetër duket se i afrohet më shumë qëndrimit të perëndimorëve. Ndoshta ka ndodhur që doktrina komuniste dhe rritja e pasurisë së përgjithshme janë duke shtypur gjerësisht autoritetin atëror në epokën e “perandorëve të vegjël”. Në të ardhmen, dobësimi i respektit për autoritetin mund të krijojë një përplasje të fortë vlerash ndërmjet brezave të rinj dhe të vjetër në Kinë.

Miti IV: Të gjithë të rinjtë janë kozmopolitë
Përgjithësisht, të rinjtë janë më të prirur ta shikojnë veten si qytetarë të botës se sa qytetarë të shtetit ku jetojnë, krahasuar me brezat më të vjetër. Të rinjtë janë rritur në një epokë ndërlidhjeje globale dixhitale, me tregje globale konsumatorësh dhe bileta të lira fluturimi përreth botës. Por nëse gërmojmë më thellë sipërfaqes, bëhet më e qartë se të rinjtë janë në thelb më nacionalistë seç duken. Krenaria për flamurin kombëtar, për shembull, është më e lartë në tregjet kryesore në zhvillim krahasuar me Europën dhe Shtetet e Bashkuara.
Më tej, të rinjtë rusë janë më të predispozuar se moshatarët e tyre në rajone të tjera, për të kundërshtuar frazën “E konsideroj veten qytetar të botës më shumë se qytetar të shtetit ku jetoj”. Të rinjtë kinezë dhe turq kanë gjithashtu prirje të mëdha nacionaliste, por kjo shoqërohet gjithashtu me dëshirën për të pasur rreth vetes gjëra të vendeve të tjera të botës. Rinia ruse është më pak e prirur ndaj këtij interesi. Në Turqi dhe Kinë, me pak fjalë, nacionalizmi buron nga krenaria për rritjen e rëndësisë së shtetit të tyre në çështjet globale dhe në tregun ndërkombëtar, por kjo nuk do të thotë absolutisht se ndjejnë armiqësi kundrejt vendeve të tjera. Në Rusi, nacionalizmi shoqërohet me minimizimin në maksimum të respektimit të pjesës tjetër të botës.

Sa të ndryshëm janë të rinjtë nëpër botë?
Të dhënat e grumbulluara në studim kanë shërbyer për t’i kategorizuar të rinjtë e këtij mijëvjeçari në segmente të caktuara në bazë të vlerave që respektojnë më shumë: krijuesit, konservatorët, sfiduesit, të suksesshmit dhe të shoqërueshmit. Krijuesit janë idealistët me mendje të hapur, të cilët mbështesin fuqimisht vlerat e vetëzhvillimit dhe shprehjes kulturore. Konservatorët janë të orientuar drejt familjes dhe vlerësojnë traditën, etiketën dhe jetesën normale të organizuar. Sfiduesit janë konkurrues, karrieristë me orientim drejt parasë, rrezikut dhe aventurës. Të suksesshmit janë individë sipërmarrës me lidhje të forta me familjen dhe komunitetin, ndërsa të shoqërueshmit janë ajo pjesë e rinisë në kërkim të argëtimit, lirisë dhe vlerave familjare.
Të rinjtë e këtij mijëvjeçari mendohet gjerësisht që i përkasin kategorisë së krijuesve dhe kjo është e vërtetë për pjesën më të madhe të të rinjve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Prezenca e tyre reduktohet ndjeshëm në vendeve si Turqia, Rusia dhe Kina. Të shoqërueshmit në kërkim të argëtimit, të cilët shmangin rreziqet, përbëjnë gjithashtu një pjesë të mirë të të rinjve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, por gjenden me pakicë në Rusi, Kinë dhe pothuajse nuk ekzistojnë në Turqi.
Shumica e të rinjve në Turqi janë konservatorë, po kështu edhe në Rusi, por numri i tyre fillon të reduktohet ndjeshëm në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Konservatorët gjenden me numër tepër të ulët edhe në Kinë, ku të rinjtë kategorizohen kryesisht tek të suksesshmit dhe sfiduesit.
Vlerat e të rinjve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara janë ende thelbësisht të ndryshme nga ato të bashkëmoshatarëve të tyre të vendeve në zhvillim. Të dytët janë më materialistë, konkurrues dhe nacionalistë dhe kanë prirje të respektojnë të njëjtat vlera që karakterizojnë edhe shtetin e tyre. Frika nga kaosi, rëndësia e konkurrencës dhe vlerat patriarkale janë ende të dukshme për të rinjtë e këtyre vendeve.
Fakti më interesant është që hendeku më i madh i vlerave të respektuara nga të rinjtë dhe brezat më të vjetër, vërehet në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë. Të dy vendet parashikohet kështu të kenë tensione ndërmjet brezave në të ardhmen. Ndërkohë dhe në botën e sotme të globalizuar, diferencat kombëtare janë përsëri të ndjeshme, edhe ndërmjet të rinjve. Modernizimi nuk sjell domosdoshmërisht “perëndimizmin” dhe “shteti i madh global” do të vazhdojë të ndjejë tensione në të ardhmen e afërt.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI