Budalla i mençur, apo i ri i papunë

Artan FUGA

Isha ulur te kafeneja përballë radio “Tiranës”.
Tarraca prej druri jepte mbi trotuar. Po pija kafen si ujë i zi pa pikë shije që në vend të më motivonte për ditën që kisha përpara më trishtoi edhe më shumë në atë mëngjes vape.
Paprimtas, te tavolina ime, përtej parmakut prej duri, mbi trotuar, u shfaq një fytyrë njeriu.
Sytë i shndrisnin. Flokët e qethur zero, si të ishte artist, moderator a analist. Qeshte kot. Duart i kishte ngritur te veshët me gishtat tregues lart. Gishtat dukeshin si zgjatim i veshëve. Qeshte dhe mblidhte supet rreth qafës.
Dukej që nuk ishte në rregull.
Zotëri – mu drejtua me zë të lartë. Kur mjeku i kempit të jep diagnozën si i sëmurë, por nuk vendos datën atje, a ka rrezik që të mos e marr ndihmën sociale?
Kërkoja ta vendosi datën ! – i thashë.
Ihihi, ahaha, ja bënte, me gishtat si antena mbi veshë dhe qeshte duke mbledhur supet. Sytë i shkëlqenin me një dritë të çmendur.
Çfarë diagnoze të vuri? – e pyeta për gallatë. Gjithë kafeneja po dëgjonte e shihte skenën.
Ai u përgjigj pa hezitim : Budalla, më tha, ashtu edhe e shkruajti. Budalla i lindur.
Më vinte keq, por edhe qeshja pa të keq.
Unë e kuptoj se çfarë do të thotë të jesh budalla, vazhdoi ai, sepse e ndjej budallallikun tim, por nuk kuptoj përse mjeku ka shkruajtur “budalla i lindur”. Ma shpjegon dot se çfarë do të thotë i “lindur”? Dhe qeshte e mblidhte supet, dhe ngrinte gishtat mbi veshë.
Aman ma thuaj !- bërtiste, ma sqaro diagnozën.
Budalla i lindur do të thotë që ti nuk je fajtor që je budalla, mund ta ketë pasur fajin babi yt, Zoti, ndotja e mjedisit, komshiu, ndonjë politikan,por t’i vetë nuk ke faj.
Njeriu u lumturua: Shyqyr që qenkam budalla pa faj, se të heqin ndihmën sociale këta – dhe nisi të kërcente mbi trotuar.
Sepse kam dëgjuar se kur bën aksident me makinë për fajin tënd i paguan vetë lekët e dëmit. Sa mirë që jam budalla i lindur… pa faj, dhe ngriti dy duart lart nga gëzimi si fëmijë.
Dëgjo! – thashë: Kur të shkosh para komisionit mos fol fare, sepse kështu si flet ti, pavarësisht se je budalla, do të të shpallin të mençur. Unë njoh burra të mençur që kur flasin a shkruajnë, dalin në televizor, shkruajnë në gazeta a blogje, a mbajnë leksione, janë shumë më debila sesa ti, që mjeku me hak të ka shpallur budalla të lindur.
Do të humbasësh pensionin social. Sot, më mirë budalla i lindur si ti, sesa i mençur dhe pa punë. Të jesh budalla sot është një lloj profesioni, kur i mençur nuk gjen kurrë punë.
Kujdes, sepse një budalla që e di se është budalla, në fakt nuk është komplet budalla. Përkundrazi, dikush që lëvdohet gjithë ditën se është i zgjuar dhe i ditur, ai po, nëntë në dhjetë raste, është budalla komplet sepse nuk kupton asgjë.
Mos e quaj veten budalla, sepse ata të Kempit do të të shpallin të mençur dhe do ngelesh pa asnjë lek.
Hahaha, hihihi qeshte, kërcente, domethënë jam budalla pa faj he? Po ti ku i di mirë këto gjëra?- pyeti dhe fytyra iu trishtua. Se mos je edhe ti budalla si unë orë budalla?
Doktor je ti?
Jo, unë jam profesor. Akademik.
A ka akamika budallenj?
Nuk e di, edhe mundet, nuk i kam testuar.
Nga dallon një profesor nga një doktor?
Një doktor si yti sheron, i bën budallenjtë të mençur, kurse një profesor si unë qëllon që të mençmit i bën budallenj.
Ik or budalla? Vërtet?
Me pa në sy: Mos bëj shumë budallenj se ka radhë te Kempi dhe vonohem pastaj – tha.
Iku duke qeshur, hhaha, ihihi.