Bota e shokuar nga masakra në Francë

207

Në Nisë të Francës, një person me kamion la të vrarë të paktën 84 vetë dhe plagosi shumë të tjerë, në grumbujt e njerëzve që ishin duke parë fishekzjarret. Ngjarja ndodhi të enjten vonë në qytetin e Rivierës franceze, ndërsa njerëzit kremtonin Ditën e Bastijës, festën kombëtare të Francës.
Policia e vrau shoferin, i cili e ngau kamionin në bulevardin e njohur të bregdetit, “Promenade des Anglais”, para se ta fuste atë mes turmës së njerëzve, duke i goditur ata.
Në një fjalim në televizion drejtuar vendit, Presidenti Francois Hollande tha se horrori përsëri goditi Francën. “Është e qartë se ne duhet të bëjmë çdo gjë për të luftuar murtajën e terrorizmit”, tha Presidenti francez, i cili njoftoi zgjatjen me tre muaj të gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe forcimin e masave të sigurisë në kufi.
Sipas njoftimeve të medias, në kamion u gjetën armë dhe lëndë shpërthyese. Media lokale në Nisë njofton gjithashtu se shoferi ishte një 31-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, franceze dhe tuniziane. Një burim i policisë franceze thotë se, brenda kamionit ishte gjetur një kartë identiteti dhe se personi ishte banor i Nisës.
Disa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se kishin dëgjuar të shtëna, ndërsa kamioni i bardhë hynte mes turmës së njerëzve, duke devijuar majtas e djathtas për t’i goditur ata.
Presidenti Barack Obama publikoi një deklaratë me shkrim të enjten mbrëma, në të cilën dënonte “atë që mesa duket është një sulm i neveritshëm terrorist”, siç shprehej ai. “Në këtë Ditë të Bastijës, shkruante Presidenti Obama, ne kujtojmë forcën e jashtëzakonshme dhe vlerat demokratike që e kanë bërë Francën një frymëzim për të gjithë botën”. Presidenti tha se kishte udhëzuar zyrtarët amerikanë për t’u ofruar autoriteteve franceze të gjithë ndihmën e mundshme.
Edhe dy kandidatët e pritshëm presidencialë, Hillary Clinton dhe Donald Trump e dënuan sulmin në komentet që bënë me telefon për rrjetet amerikane të lajmeve. Zoti Trump e shtyu shpalljen e kandidatit për nënpresident që kishte planifikuar për të premten.
Pothuajse tetë muaj më parë, më 13 nëntor, militantët e Shtetit Islamik vranë 130 njerëz në Paris, më i përgjakshmi mes një numri sulmesh në Francë dhe Belgjikë në dy vitet e fundit. Të dielën, Franca mori frymë e lehtësuar pasi turneu i futbollit Euro 2016 përfundoi pa ndonjë incident, të cilit zyrtarët i trembeshin.

Vrasësi dukej sikur po kënaqej

Dëshmitarët e ngjarjes së tmerrshme të mbrëmjes së të enjtes në Nisë të Francës, kanë treguar se si shoferi kënaqej derisa shkelte me kamion njerëzit. “Unë kam pasur kohë që edhe ta shoh fytyrën e shoferit. Ai kishte mjekër dhe dukej sikur po kënaqej”, ka shkruar një dëshmitar në profilin e tij në Twitter.
Ndërsa tjetri ka thënë: “Ne fillimisht mendonim se ishte thjesht një aksident, por pastaj e pashë atë duke nxjerrë armën e tij e duke tentuar që të qëllonte policinë, të cilët ishin duke vrapuar pas tij”. “Unë e kam parë atë, por ai nuk ishte duke më shikuar mua, ai ishte duke shikuar nga dritarja dhe dukej shumë nervoz”.
“Ne ja bënim atij me dorë dhe tentonim t’i tregonim se kishte shkelur shumë njerëz me kamionin e tij, por atij nuk i interesonte fare”. “Policët e vranë menjëherë, ata nuk pritën që të negocionin me të, ata menjëherë hapën zjarr drejt tij”. “Unë nuk e dija se çfarë po ndodhte, dukej shumë surreale dhe unë nuk kam lëvizur nga vendi pasi mendoja se është ndonjë shaka duke e bërë ndonjë fëmijë”. “Pastaj e pashë kamionin që vinte në drejtim timin, duke shkelur mbi njerëz. Ishte ndoshta rreth 20 metra larg meje. Pas kësaj nuk e dija se çfarë jam duke bërë, koha ngadalësohej dhe unë ikja. Falë Zotit arrita të iki”. “Unë pashë trupat e njerëzve se si fluturonin si të ishin figura bowling në rrugë. Dëgjoja të bërtitura e të qara që nuk do t’i harroj kurrë”. “Nuk po mund të ndalem së dridhuri”.

 

Dëshmitarja nga Shqipëria rrëfen momentet e tmerrit

Në zonën e Nisës në Francë jetojnë edhe shumë shqiptarë, po ka edhe nga ata që kanë shkuar për të kaluar pushimet. Liljana Berberi jeton prej 3 vitesh atje dhe në një lidhje telefonike dëshmon për atë që pa dhe përjetoi bashkë me familjen e saj.
Liljana Berberi: “Situata në Nisë është shumë, shumë e keqe. Ishim bashkë me burrin tim dhe me miqtë tanë të dashur nga Strasburgu duke i parë fishekzjarrët. Po kalonim shumë, shumë bukur. Në momentin sa mbaruan fishekzjarrët, bëmë 50 metra duke dëgjuar muzikë e duke kërcyer të katërt dhe në atë moment burri im shikon një makinë policie edhe thotë ‘çfarë kanë këta policët që bëjnë kështu në mes të njerëzve me makinë?’ dhe në të njëjtën kohë i them që janë me antiplumb që po vrapojnë, diçka po ndodh”.
Liljana Berberi: “Në vendin që ne ishim, dëgjuam të shtëna automatiku dhe nuk dinim nga të iknim, zbritëm poshtë te plazhi, njerëzit vraponin nga të gjitha anët, gra shtatzënë, fëmijë, trupa të prerë, zorrët jashtë. Kamioni ishte nga ata 18 tonësh dhe i mori të gjithë, të rinjtë me motor, skena lufte. Kisha mikeshën shtatzënë 5-muajshe dhe nuk dinim nga të shkonim”.
Liljana Berberi: “Në këto momente unë që ju flas juve sapo kemi hyrë në shtëpi me burrin, ndërsa goca 19-vjeçare është e bllokuar në Hotel ‘Plaza’, jo larg nga vendngjarja. Ishin duke pirë me shoqëri e vet një gotë dhe janë të bllokuar, nuk i lejojnë të dalin. Janë të mbushura hotelet dhe restorantet, nuk i lenë të dalin. Është gjendje paniku dhe ka ambulanca pafund”.

Dëshmitarja amerikane: Shikonim trupa kudo

Amerikania Julie Holland, e cila ishte me pushime në Nisë të Francës, bashkë me dy vajzat e saj, ka rrëfyer për skenat që pa atje pas masakrës së mbrëmjes së të enjtes ku një franko-tunizian shtypi me kamion 84 persona.
Ajo tha për “The Guardian” se fillimisht pa kamionin që po lëvizte me shpejtësi të madhe në mes të turmës.
“Ne dëgjuam britma dhe njerëzit filluan të ikin brenda restorantit”, tha ajo. “Ne u fshehëm në kuzhinë, prapa dhomës”.
“Sapo të shtënat ndaluan ne shkuam nga dera e pasme në një hotel poshtë rrugës. Një polic në fund na shoqëroi përsëri në hotelin ku qëndronim rreth orës 3 të mëngjesit. Kishte trupa kudo. Vajzat e mia i panë trupat”, përfundon rrëfimin amerikania.