Beteja e humbur e Kinës

376

“The Guardian”

Kina ka humbur betejën më të rëndësishme ndërkombëtare ligjore lidhur me shkëmbinjtë nënujorë dhe ishujt e vegjël që mund t’i jepnin kontrollin mbi ujërat konfliktuale të Detit të Kinës së Jugut. Gjykimi nga një Tribunal ndërkombëtar i Hagës ka vendosur të mbështesë fuqimisht pretendimet e Filipineve dhe do të rrisë presionin diplomatik mbi Pekin, në mënyrë që të tërheqë forcat ushtarake në këtë zonë të ndjeshme konfliktuale.
Duke hequr një pjesë të shkëmbinjve nënujorë nga statusi i pronësisë territoriale, vendimi gjyqësor copëton ndjeshëm vijën që Kina kishte shtrirë thellë në Detin e Kinës së Jugut. Nga ana e saj, Kina ka reaguar egërsisht ndaj vendimit, i cili deklaron se pjesë të mëdha të detit do të konsiderohen ujëra ndërkombëtare neutrale ose zonë ekonomike ekskluzive të vendeve të tjera.
“Xinhua”, agjencia kombëtare e lajmeve të vendit, shpërtheu menjëherë duke e quajtur vendimin të pabazuar, madje pretendoi se do të konsiderohej automatikisht nul dhe i pavlefshëm. Gazeta, e cila konsiderohet më shumë si “zëdhënësja” e Partisë Komuniste, “People’s Daily” publikoi një editorial ku shkruhej se tribunali ndërkombëtar kishte injoruar “të vërtetat thelbësore” dhe se kishte “manipuluar” normat dhe ligjet ndërkombëtare gjatë procesit. “Qeveria kineze dhe populli kinez e kundërshtojnë fuqimisht vendimin gjyqësor dhe kurrë nuk kanë për ta njohur apo pranuar atë”, shtohej më pas.
Duke folur përballë reporterëve, Wang Yi, ministri i Jashtëm i Kinës, tha: “Populli kinez nuk do ta pranojë rezultatin dhe të gjithë njerëzit nëpër botë, të cilët mbështesin dhe mbrojnë drejtësinë nuk duhet ta pranojnë këtë rezultat”.
“Tani që farsa ka përfunduar, ka ardhur koha të rikthehemi në rrugën e duhur”, shtoi Wang, duke sinjalizuar se Pekini ka ndërmend tashmë të tregohet i gatshëm për të hyrë në negociata me Filipinet përsa i përket çështjes së Detit të Kinës së Jugut. Sekretari i Çështjeve të Jashtme të Filipineve, Perfecto Yasay Jr, tha se vendi i tij e ka mirëpritur me entuziazëm vendimin e tribunalit dhe bëri thirrje që të gjithë të ruajnë “maturinë dhe kthjelltësinë”.
Vendimi do të jetë i vështirë për t’u lexuar nga ana e Pekinit, pasi përmban një sërë kritikash jo të buta për veprimet dhe pretendimet e Kinës. Tribunali ndërkombëtar deklaroi se, “edhe pse lundërtarët dhe peshkatarët kinezë, njëlloj si ata të shteteve të tjera, kanë shfrytëzuar historikisht ishujt e Detit të Kinës së Jugut, nuk ekziston asnjë provë e vetme që të vërtetojë se Kina ka ushtruar historikisht kontroll ekskluziv mbi ujërat apo burimet e tyre natyrore”.
Me pak fjalë, tribunali ndërkombëtar arriti në përfundimin se, Kina nuk kishte asnjë bazë ligjore për të pretenduar të drejta historike mbi burimet natyrore që ndodhen në zonën ujore, e cila përfshihet në vijën ndarëse virtuale të shënuar nga Kina. Institucioni ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara zbuloi se asnjë prej Ishujve Spratly, aq shumë të debatuar, nuk mund të gjenerojnë zona detare të zgjeruara dhe duke zbuluar se asnjë prej tipareve gjeografike të pretenduara nga Kina si të vetat nuk kishte kapacitet për të gjeneruar zona ekskluzive ekonomike, tribunali deklaroi se disa zona të caktuara detare, pa vendosur kufij specifikë, ndodhen brenda zonës ekonomike të Filipineve, për shkak se këto zona nuk mbivendosen nga asnjë titull pronësie të Kinës.
Tribunali ndërkombëtar i Hagës deklaroi gjithashtu se Kina kishte dhunuar të drejtën e sovranitetit të ishujve Filipine brenda zonës së tyre ekonomike ekskluzive duke: (a) interferuar me proceset e peshkimit dhe nxjerrjes së naftës së Filipineve, (b) ndërtuar ishuj artificialë në këto zona dhe (c) duke mos ndaluar aktivitetin e peshkimit nga ana e peshkatarëve kinezë në këtë zonë.
Në vendim saktësohej edhe se peshkatarët filipinezë (njëlloj si ata kinezë) gëzonin të drejta tradicionale të peshkimit në Cekëtinën Scarborough dhe se Kina kishte shkelur të drejtat e filipinezëve duke ndaluar aktivitetin e tyre të peshkimit në zonë. Tribunali më pas deklaroi se mjetet lundruese kineze të zbatimit të ligjit kishin krijuar në mënyrë të jashtëligjshme një sërë rreziqesh serioze përplasjeje kur ka bllokuar fizikisht mjetet lundruese filipineze.
Tribunali i Hagës komentoi në lidhje me projektet e rikuperimit të tokës nga ana Kinës dhe për krijimin e ishujve artificialë që në shtatë tipare gjeografike të Ishujve Spratly, duke arritur në konkluzionin se kishte shkaktuar dëme të rënda në barrierën koralore dhe se kishte shkelur detyrimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së ekosistemeve delikate, si dhe kishte dëmtuar ndjeshëm habitatin e specieve të dobëta, të kërcënuara apo të rrezikuara nga zhdukja.
Projekti i rikuperimit të tokës nga ana e Kinës nuk përputhej me detyrimet e një shteti gjatë procedimeve të rezolutës së konflikteve, shtohej në vendim, duke qenë se kishte shkaktuar dëme të pariparueshme në mjedisin detar, nëpërmjet ndërtimit të ishujve të mëdhenj artificialë në zonën ekonomike ekskluzive të Filipineve. Kina u akuzua gjithashtu se ka shkatërruar provat e kushteve natyrore të tipareve gjeografike në Detin e Kinës së Jugut, të cilat formonin një pjesë të mosmarrëveshjes ndërmjet palëve.
Paul Reichler, pjesëtar i firmës ligjore Foley Hoag LLP,, i cili koordinoi ekipin ligjor të Filipineve tha: “Vendimi i tribunalit ndërkombëtar jo vetëm që favorizoi kauzën e Filipineve, por tashmë sjell benefite edhe për vendet e tjera që rrethojnë Detin e Kinës së Jugut, si Indonezia, Malajzia dhe Vietnami. Nëse rrethimi virtual i Kinës nuk është i më i vlefshëm për Filipinet, është po aq i pavlefshëm edhe për vendet e tjera përreth, madje për të gjithë komunitetin ndërkombëtar”.
Pekini pretendon se zotëron plot 90 për qind të Detit të Kinës së Jugut, një zonë detare që mendohet se ka pasuri të pafundme në formën e naftës së panxjerrë dhe rezerva gazi që përbëjnë një pjesë të mirë të tregtisë së kalon aty çdo vit. Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani janë shprehur gjithashtu kundër pretendimeve të Kinës për pronësinë e ishujve dhe sistemit të shkëmbinjve nënujorë, të cilët në fakt janë më afër me territorin e tyre se sa me atë të Pekinit.
Kina nga ana e saj thotë se ndjek një precedent historik të caktuar nga vija virtuale të krijuar nga Pekini në vitin 1947, menjëherë pas dorëzimit të Japonisë. Vija më pas është përfshirë në hartat e shumta që janë krijuar nga regjimi komunist.
Ka pasur gjithashtu edhe dhunë sporadike ndërmjet pajisjeve lundruese kineze dhe atyre të ushtrisë së Azisë Juglindore, që ka shpërthyer gjatë dekadave të fundit. Tashmë është krijuar njëfarë tensioni dhe frike se vendimi i Tribunalit të Hagës, vendimi i parë ligjor ndërkombëtar i marrë ndonjëherë për këtë çështje të nxehtë territoriale, mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme.
Ashley Townshend, një dijetar i Qendrës së Studimeve të Shteteve të Bashkuara në Universitetin e Sidneit, tha se vendimi i tribunalit ndërkombëtar e bën absolutisht të pavlefshme vijën virtuale të Kinës dhe pretendimet e saj që burojnë nga të drejtat historike, gjë që përbën një dështim tepër të madh për Pekinin. Kina kishte investuar shumë nacionalizëm në çështjen e Detit të Kinës së Jugut dhe tani mund ta gjejë veten të detyruar për t’u përgjigjur në të njëjtën mënyrë.
“Përsa i përket politikës së brendshme të Kinës, vendimi është tërësisht i papranueshëm për regjimin dhe fatkeqësisht, qeveria e di që populli kinez do ta konsiderojë gjithashtu të papranueshëm”, parashikon Townshend. “Për këtë arsye, pritet të ketë presione të mëdha mbi Pekinin, që t’i kundërpërgjigjet, të shpëtojë imazhin, të demonstrojë publikisht, jo vetëm me fjalë se nuk ka ndërmend të dorëzohet. Qeveria kineze mund të ndihet e detyruar ta kundërshtojë vendimin gjyqësor dhe të mos pranojë asnjë vlefshmëri ligjore, si dhe të mbrojë me çdo kusht hapësirën sovrane që pretendon prej kaq kohësh në Detin e Kinës së Jugut.
Townshend tha se nuk parashikon që Pekini të shpërthejë duke u kundërpërgjigjur ushtarakisht, por beson se Kina do të vazhdojë gërmime të mëtejshme ushtarake në Detin e Kinës së Jugut dhe ku të jetë e mundur, do të vendosë një zonë identifikimi të mbrojtjes ajrore mbi të gjithë rajonin. Xu Liping, një dijetar pro Pekinit për këtë çështje nga Instituti Kombëtar i Strategjisë Ndërkombëtare të Kinës, teksa fliste për “The Guardian”, ai tha se besonte që vendimi i Tribunalit ndërkombëtar të Hagës ishte i njëanshëm dhe i padrejtë, madje u shty më tej duke e quajtur atë “absolutisht të tmerrshme” dhe “një shaka qesharake”.
Çështja gjyqësore në Gjykatën e përhershme të arbitrazhit të Hagës, një tribunal ndërkombëtar i krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ka juridiksionin e zgjidhjeve të konflikteve ndërkombëtare të territorit detar, ka nisur dhe vazhdonte që në vitin 2013. Vendimi gjyqësor në fakt nuk alokon asnjë prej shkëmbinjve nënujorë apo ishujve tek vendet rivale të Kinës, por përcakton se cilat tipare gjeografike detare janë të afta, sipas ligjit ndërkombëtar, për të gjeneruar të drejtat territoriale mbi zonat që i rrethojnë.
Vitin e kaluar, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara pretenduan se Kina kishte ndërtuar plot 800 hektarë në zonat shkëmbore që kishte zaptuar përgjatë Detit të Kinës së Jugut gjatë 18 muajve të mëparshëm. Aktiviteti është përqendruar kryesisht në Barrierën Mischief, ku imazhet satelitore në dispozicion tregojnë se ishulli po zmadhohet gjithmonë e më shumë dhe është rrethuar nga të gjitha anët me forcat detare.
Kina ka deklaruar më parë se nuk ka ndërmend as të pranojë dhe as të marrë pjesë në arbitrazhin e nisur në mënyrë të njëanshme nga Filipinet. Megjithatë, tribunali vendosi se refuzimi i Kinës për të marrë pjesë në proces nuk e kufizonte aspak juridiksionin e gjykatës. Pekini ka mbështetjen e Rusisë dhe Arabisë Saudite, por kohët e fundit ka arritur të marrë mbështetje edhe nga vende të tjera të vogla që ndodhen larg dhe nuk preken aspak nga vendimi i gjykatës ndërkombëtare, përfshirë këtu vendet afrikane si Nigeria dhe Lesotho, gjithashtu edhe Palestina, Afganistani dhe Togo.
Vanuatu, një shtet ishull në Paqësor me më pak se 300 mijë banorë, ka deklaruar gjithashtu se mbështet Pekinin. Nga ana tjetër, ishujt Filipine gëzojnë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Japonisë dhe shumë vendeve të tjera. Presidenti filipinez, Rodrigo Duarte, konsiderohet gjerësisht si një politikan i paparashikueshëm dhe lëvizjet e tij gjatë ditëve ose javëve të ardhshme ndoshta do të përcaktojnë rrjedhën që do të marrin ngjarjet e mëpasshme.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI