BE dhe Kina drejt një lufte tregtare?

Kur përfaqësuesit e BE-së dhe të Republikës Popullore të Kinës të takohen në Pekin për Samitin e tyre çështja e statusit do të luajë një rol të veçantë. Kina ka mjaft kohë që po këmbëngul që më në fund BE-ja t’i japë statusin e ekonomisë së tregut. Por BE-ja është – sërish – e ndarë në këtë pikë. Po pse shtrohet pyetja?
Më 11 dhjetor 2001, Republika Popullore e Kinës u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Që një ekonomi kaq e rëndësishme si ajo kineze t’u nënshtrohet rregullave të OBT-së për tregtinë botërore përbën një sukses të madh. Por si për vetë Kinën edhe për partnerët e saj tregtarë, kjo ishte që nga fillimi një thikë me dy tehe. Reduktimi drastik i doganave për importet i vuri kompanitë kineze nën presion, kurse vendet e tjera kishin nga ana e tyre frikë se tregjet e tyre do të përmbyteshin nga mallrat.

“Made in China”
Pra, për këtë arsye u ra dakord gjatë negociatave të pranimit për rregulla të veçanta dhe periudha kalimtare për të shmangur mosmarrëveshjet e mundshme tregtare. Një nga rregullat e veçantë është neni 15 i Traktatit të Aderimit, sipas të cilit Kinës nuk i njihet për një periudhë prej 15 vjetësh statusi i ekonomisë së tregut. Kjo ka si përparësi që partnerët tregtarë mund të fillojnë lehtë procesin e antidumpingut ndaj kompanive kineze dhe mund të aplikojnë tarifat doganore ndëshkuese më të larta mbi prodhimet kineze.
Në fund të dhjetorit kjo periudhë kalimtare merr fund. Kina këmbëngul që deri atëherë të njihet si ekonomi tregu. Për kinezët nuk ka nevojë për diskutime – sipas tyre ky status atyre u takon automatikisht. Në një ekspertizë të Komisionit të BE-së argumentohet po ashtu në këtë drejtim. Por Parlamenti Evropian ndërhyri dhe parlamentarët vendosën në maj që Kinës të mos i jepet statusi i ekonomisë së tregut dhe të mos i njihen kushte më të mira për tregtinë. Sfondi i këtij qëndrimi është ashpërsimi i konfliktit për çelikun dhe shqetësimi që lidhet me të për humbjen e shumë vendeve pune në Evropë.
Vërtet produktet e lira të çelikut “Made in China” e vënë nën presion industrinë e çelikut në BE. Edhe sipërmarrjet kineze të çelikut janë duke luftuar për të mbijetuar, qëkurse kërkesa në vend nuk po rritet aq fort sa në të kaluarën. Ato përpiqen ta shesin çelikun e tyre të tepërt në tregun botëror. Qeveria në Pekin do ta vërë nën kontroll problemin e mbikapaciteteve, por nuk ka interes që ta detyrojë industrinë vendase që të bjerë në gjunjë për shkak reformash të ashpra strukturore.

Komisioni në dilemë
Tani BE-ja po ballafaqohet me dilemën ose të zemërojë Parlamentin ose partnerin tregtar, Kinën. Edhe pse vota e parlamentarëve nuk është e detyrueshme, në atmosferë të ngarkuar pas referendumit për Brexit-in Komisioni Evropian do të mendohet dy herë para se të injorojë një vendim parlamentar. Përveç kësaj Komisionit në fund i duhet pëlqimi i Parlamentit, nëse do t’i japë Kinës përmes njohjes si ekonomi tregu kushte më të mira tregtie.
Nga ana tjetër në rast të një “JO-je” BE-ja rrezikon masa hakmarrjeje nga Kina. “Evropa duhet të mendohet dy herë para se të marrë një vendim përfundimtar mbi ekonominë e tregut të Kinës”, paralajmëroi agjencia shtetërore Xinhua pas rezolutës së Parlamentit Evropian.
Si viktimë e mundshme e hakmarrjes konsiderohet industria gjermane e makinave. Deri tani ajo ka fituar shumë para në tregun kinez. Kjo nuk ka pse të vazhdojë kështu, u tha nga pala kineze. Që tani po bëhet fjalë për një luftë tregtare. Por prej një konflikti të rreptë tregtar do të vuante edhe vetë Kina, pasi BE-ja është partneri kryesor tregtar për kinezët dhe Kina po ashtu për Evropën – madje dy herë më shumë. Pra, mund ndodhë – siç ndodh shpesh në politikë – të gjendet një kompromis. Por koha po mbaron.