Basha: Paketë të veçantë lehtësuese për sipërmarrjet prodhuese, ulje kostos së prodhimit

Basha theksoi se përmes politikës së taksave të ulëta, përmirësimit të klimës së biznesit, reduktimit të burokracisë dhe uljes së kostos së prodhimit synohet rritje e investimeve vendase dhe të huaja, rritje e numrit të të punësuarve dhe rritje pagash
Përveç taksës së sheshtë 9% dhe uljes së taksave për industrinë e prodhimit, Partia Demokratike do të ketë një paketë të veçantë lehtësuese që do të përfshijë uljen e çmimit të energjisë, naftës, si dhe lehtësira në lidhje me TVSH për lëndën e parë. Kjo u deklarua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha  gjatë bashkëbisedimit me sipërmarrës dhe punëtorë të fabrikës  “Migo Blind”.  “Taksat do i paguajmë, energjinë do e paguajmë, të gjitha do i paguajmë, e hanë punëtorët. Ne para tre vitesh vazhdimisht i rrisnim rrogat, tre vjet kemi që i kemi mbajt rrogat fikse”. “Energjia elektrike dhe cilësia, mënyra se si jepet, ne kemi harxhuar 40 mijë euro për të bërë një kabinë. Po s’e bëre nuk vjen energjia”. “Problem i madh çmimi i energjisë. I gjithë rajoni paguan 5 cent energjinë elektrike, ne e paguajmë 10” ishin disa nga ankesa e shprehura nga sipërmarrësit tek Basha.
Sipërmarrës: Energjia elektrike dhe cilësia, mënyra se si jepet, ne kemi harxhuar 40 mijë euro për të bërë një kabinë. Po s’e bëre nuk vjen energjia.
Basha: Për biznesin në tërësi ne kemi një paketë taksash, taksë e sheshtë 9%, kontributi shoqëror 18%. Por për prodhimin në veçanti na duhet një paketë e veçantë që të ulë koston e prodhimit, që ka të bëjë me energjinë elektrike, me çmimin e naftës, ka të bëjë me TVSH-në për lëndën e parë dhe me aspekte të tjera që ne po i diskutojmë.
Punëtor: Gjendja e lekut në proporcion me gjendjet e tregut është shumë e vështirë. Ishalla me këtë ardhjen tënde mos vënë dorë në këtë popull e në biznesin e të gjitha që të ecë përpara populli. Se ka kaluar, ka ik në pikë të fundit.
Basha: Ulje e kostos së prodhimit do të thotë rritje e eksportit, rritje e prodhimit, më shumë vende pune dhe paga më të larta për ju.
Pronari i fabrikës së prodhimit të kartonit në Porto Romano theksoi se si pasojë e rritjes së taksave dhe kostos së prodhimit prej 3 vitesh nuk ka rritur dot asnjë pagë ndërsa para 3 vitesh ato rriteshin vazhdimisht.
Sipërmarrësi: Taksat do i paguajmë, energjinë do e paguajmë, të gjitha do i paguajmë, e hanë punëtorët. Ne para tre vitesh vazhdimisht i rrisnim rrogat, tre vjet kemi që i kemi mbajt rrogat fikse.
Basha: Pjesa e paketës lehtësuese për prodhimin fillon me çmimin e energjisë, çmimin e naftës me TVSH-në për lëndën e parë.
Sipërmarrësi: Këto janë kryesoret për ekonominë.
Basha: Ne duam vetëm një gjë, që të transferohet një pjesë e taksës që do ta ulim tek rritja e rrogave për punonjësit.
Sipërmarrësi: Problem i madh çmimi i energjisë. I gjithë rajoni paguan 5 cent energjinë elektrike, ne e paguajmë 10.
Basha theksoi se përmes politikës së taksave të ulëta, përmirësimit të klimës së biznesit, reduktimit të burokracisë dhe uljes së kostos së prodhimit synohet rritje e investimeve vendase dhe të huaja, rritje e numrit të të punësuarve dhe rritje pagash.