Basha: Kur vendin e qeverisin grabitës me kostum, grabitje me maska do të ketë

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar për grabitjen e bankës në mes të Vlorës, duke hedhur akuza ndaj Kryeministrit dhe ministrave. Në një status në Facebook, Basha shkruan se, kur vendin e qeverisin grabitës me kostum, grabitje me maska do të ketë. Basha shprehet se, ligji dhe siguria publike ka rënë dhe i vetmi ndryshim i grabitësve me kostum dhe atyre me maska në rrugë është fakti se këta të fundit janë më pak dhe vjedhin më pak.
Kryetari i PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të rrëzojnë këtë qeveri dhe se qeveria demokrate, kur të ngjitet në pushtet do të rikthejë rendin si dhe do të ndëshkojë grabitësit e parave të qytetarëve, ata “me kostum” dhe ata “me maska në rrugë”.
“Sot një tjetër vjedhje banke ndodhi në Vlorë, në zemër të këtij qyteti në Sheshin e “Flamurit”. Kjo është e katërta vjedhje bankash në harkun kohor të 18 muajve. Njëra grabitje me armë pason tjetrën, dhe nuk janë vetëm milionat me euro që po avullojnë çdo ditë, por më e rëndë është vjedhja e çdo standardi sigurie.
Kur një grup i armatosur e me maska futet në mes të ditës në territorin që duhej të ishte më i blinduari në vend, në pistën e avionëve të aeroportit ndërkombëtar, kur me lehtësi e me shpërfillje kriminelë të armatosur, hyjnë në mes të ditës në një bankë që është një objekt i ruajtur mirë, në sheshin kryesor të qytetit, a mund të përfytyrohet se sa i sigurtë është një qytetar në rrugë, në punë, në banesën e tij”, shprehet Basha.
Kryetari i PD shprehet më tej se, qytetari nuk ka më se ku të besojë. “Ligji ka rënë, rendi e siguria publike po e po. Ai ka vetëm një shpresë për momentin. Duhet t’ia dijë për nder varfërisë së tij. Vetëm varfëria e mbron nga grabitja me maska. Siç është pjesa dërrmuese e popullsisë sot. Ka kaluar më parë qeveria aty, ndaj s’kanë më ç’të marrin. Çdo kush tjetër që ka një biznes, një dyqan, një lokal, një punishte, një rrobaqepsi, një furrë buke, apo që mund të ketë kursime, është i kërcënuar”, shkruan Basha.
Sipas Bashës, arsyeja kryesore e grabitjeve me armë në mes të ditës është se, sigurinë që nuk e kanë më qytetarët e vendit, e ka krimi. “Krimi është sot më i sigurtë se kurrë më parë, sepse krimi ka kapur të vetmin armik që mund të ketë, të vetmen instancë para të cilës zbrapset, që është qeveria, që është kryeministri, ministri i Brendshëm dhe krerët më të inkriminuar të Policisë së Shtetit në këto 25 vite.
Po kur vendi grabitet çdo ditë nga qeveritarë grabitqarë, që vjedhin në dogana, në tatime, në tendera e koncesione, e plaçkisin më tej edhe më shumë, duke u marrë qytetarëve qindarkën e fundit me rritje taksash, me gjoba, me fatura e tarifa të larta, a nuk është kjo një thirrje për çdo grabitës, a nuk është një legalizim i grabitjes.
Ku ndryshon një bandë grabitësish me maska e me armë, nga banda e grabitësve me kostum e Edi Ramës, Ben Ahmetajt, Tahirit, Gjiknurit, Beqajt, Bushit, Rroshit e kështu me radhë.
Banda e grabitësve me maska është më e vogël dhe vjedh më pak. Ja ky është ndryshimi.
Koha e grabitësve me maska dhe e grabitësve me kostum qeveritari po sos. Ndaj është shtuar zullumi, me parullën “kap ça t’kapim”.
Ne do të rikthejmë ligjin dhe forcën e ndëshkimit. Do të shtypim pa hezitim krimin e çdo përçapje të tij. Ne do të rikthejmë sigurinë publike në vend.
Sepse ne kemi zgjedhur qytetarët, e jo trafikantët.
Kemi zgjedhur qytetarët, jo banditët.
Kemi zgjedhur qytetarët e jo rrëmbyesit, përdhunuesit e vrasësit.
Grabitësit në rrugë e grabitësit në zyra, do të kenë të njëjtin fat. Do bashkohen aty ku ligji dhe drejtësia e pakapur u rezervon vendin”, përfundon Basha.