Atentatet që tronditën Francën dhe Belgjikën

250

Tragjedia e Nisës është e fundit nga një seri e gjatë atentatesh të përgjakshme që kanë goditur Francën dhe Belgjikën. Skenat e terrorit, gjakut dhe vrasjeve filluan katër vjet më parë, me vrasjet në qytetin e Tuluzës. Ishte viti 2012. Që nga ajo kohë, Franca dhe Belgjika vazhdimisht janë tronditur nga sulme të përgjakshme terroriste.
22 mars 2012
Forcat speciale franceze ekzekutuan në Tuluzë 23-vjeçarin me origjinë algjeriane Mohammed Merah. Ai ishte përgjegjës për vrasjen e 7 personave në muajin mars. Vrasjet ndodhën midis Tuluzës dhe Montauban. Më 11 mars ai vrau një qytetar francez, më 15 mars ekzekutoi 2 parashutistë dhe më 19 mars ekzekutoi një rabin dhe 3 fëmijë pas një sulmi që kreu në një shkollë hebraike në Tuluzë.
24 maj 2014
4 persona mbetën të vrarë pas një sulmi të ndodhur më 24 maj 2014 në një muze dhe sinagogë të Brukselit. Për këtë sulm u arrestua 29-vjeçari Mehdi Nemmouche, nga qyteti verior i Francës Roubaix, në kufi me Belgjikën. Atentatori u arrestua më 30 maj të 2014 dhe ai kishte qenë një luftëtar i ISIS-it në Siri.
7 janar 2015
Në fillim të vitit 2015, vëllezërit Kouachi, shtetas francezë me origjinë algjeriane sulmuan redaksinë e revistës satirike, “Charlie Hebdo”, pas disa karikaturave që revista kishte publikuar për profetin Muhamet. 12 persona mbetën të vrarë nga ky sulm. Më 9 janar të dy terroristët u ekzekutuan nga trupat speciale franceze. Forcat franceze ekzekutuan dhe Amedy Coulibaly, i cili më 8 janar ekzekutoi një punonjës policie në afërsi të Parisit, ndërsa më 9 janar ai mori disa pengje në një supermarket. 4 pengje mbetën të vrarë, ndërsa policia ekzekutoi dhe pengmarrësin.
13 nëntor 2015
Nata e 13 nëntorit 2015 ishte me të vërtetë e përgjakshme në Paris. Një sërë sulmesh terroriste shkaktuan të paktën 129 të vrarë dhe 350 të plagosur. Terroristët sulmuan në zona të ndryshme të qytetit, midis tyre dhe zonën në afërsi të “Stade de France”, ku luhej ndeshja miqësore Francë-Gjermani. Gjithashtu u sulmuan dhe disa bare dhe restorante. Numri më i madh i viktimave u shkaktua gjatë sulmit në koncertin e grupit muzikor Batalcan, ku mbetën 89 të vrarë.
22 mars 2016
Mëngjesin e 22 marsit, dy shpërthime të fuqishme ndodhën në Aeroportin e Brukselit, Zaventem, ndërsa pak minuta më vonë një tjetër shpërthim i fuqishëm u dëgjua në stacionin e Metrosë, Maelbeek. Bilanci ishte 32 të vrarë, plus 3 kamikazë dhe mbi 300 të plagosur.
Edhe në këtë rast, sulmi u mor përsipër nga Shteti Islami. Dy kamikazët e Zaventemit ishin Najim Laachraoui dhe Ibrahim El Bakraoui; ndërsa kamikazi i tretë që hodhi veten në erë në stacionin e metrosë quhej Khalid El Bakraoui.
14 korrik 2016
Tronditja e radhës në Francë ndodhi të enjten, pas atentatit me kamionin e drejtuar nga një terrorist që iu drejtua turmës së qytetarëve në Nisë, të cilët ishin duke festuar Festën Kombëtare të Francës. Nga ky sulm bilanci ishte tragjik, ku deri tani numërohen 84 viktima.