Zvicra, optimizëm për sfidën me Shqipërinë

Fytyra të qeshura dhe shumë optimizëm për ndeshjen me Shqipërinë. Ishte kjo panorama e stërvitjes së fundit të Zvicrës zhvilluar paraditen e kësaj të marte në stadiumin “Stade de la Mosson” ku luan skuadra e Montpellier. Grupi i futbollistëve që ka në dispozicion trajneri Pektoviç është i plotë dhe në gjendjen optimale. Nga Valon Behrami te Xherdan Shaqiri e Blerim Dzemaili, për të vazhduar me Admir Mehmedin dhe Granit Xhakën, me përjashtim të Shani Tarashajt, janë 5 futbollistët me origjinë shqiptare që pritet ta nisin si titullarë sfidën e të shtunës së ardhshme në Lens ndaj kombëtares kuqezi.
Në seancën e fundit përfaqësuesja helvete punoi më shumë nga ana taktike, ndërkohë që trajneri Vladmir Pektoviç zhvilloi edhe një analizë me të gjithë lojtarët. Në këtë stërvitje të Zvicrës nuk munguan mediat që në stadiumin e “Montpellier” ishin të shumta. Shaqiri dhe Dzemaili kishin kohë të zhvillonin edhe një bisedë të shkurtër mes tyre, ndërkohë që mjaft aktiv ishin mesfushori Gelson Fernandez dhe sulumesi Breel Embolo, i cili është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi dhe pritet të luajë që nga fillimi ndaj Shqipërisë.