Zëvendësministri i Tahirit, i dënuar me 4 vite burg për trafik makinash

Zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Marko, ka qenë i dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dhe ajo e Apelit, për trafikim makinash të vjedhura. Vendimi i Gjykatës thotë se, “Gjykata rrethit gjyqësor Tiranë, e përbërë nga Bledar Abdullai me atributet e kryetarit të trupit gjykues, Gjin Gjoni dhe Emiljano Ruli si dhe të asistuar nga sekretarja Eriona Balla në seancën me dyer të hapura në vitin 2006 lidhur me çështjen penale nr.43 të ardhur më 23 mars 2005 në ngarkim të Ilir Markos i biri i Jankos dhe Fatimes i hetuar pa masë sigurie dhe i padënuar më parë, ka vendosur dënimin fajtor të të pandehurit Ilir Marko për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi i mjeteve motorike të vjedhura”, të mjetit tip “Wolkswagen Passat” me targa TR 0101 J, parashikuar nga nenin 141/ a/1 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 4(katër) vite burgim. Ndërkohë që për akuzën e falsifikimit të dokumenteve është shpallur i pafajshëm.
Kundër këtij vendimi është bërë ankimim në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila me vendimin nr. 657 datë 20.09.206 ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit numër 122 datë 16.02.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Zbardhja e vendimit mban datën 27.05.2007 dhe është nënshkruar nga k/sekretarja Mimoza Lulaj dhe kancelari Ilir Sauli. Ndërkohë, që ortaku i tij italian, dhe ai në proces penal Massimiliano Locorontondo është liruar në sallën e gjyqit, Marko është urdhëruar të bëjë dënimin sipas ligjit me katër vite burgim.
Marko ishte dënuar për trafik të një makine tip “Wolkswagen Passat” në vitin 2003. Ai ia kishte blerë atë një shtetasi italian, Masimiliano Locorotondo, edhe ai i dënuar për këtë vepër. Në dokumenta figuronte kjo makinë ishte futur në Kapshticë nga Ilir Marko, që në atë kohë punonte si menaxher në një firmë private dhe në bazë të këtyre shkresave, ai e kishte kaluar mjetin në pronësi të tij, duke e zhdoganuar dhe duke e pajisur me targa.
Por hetimet e mëpasme provuan se makina ishte futur nga shtetasi italian, pasi Marko nuk kishte qenë i pajisur me vizë greke në atë periudhë dhe nuk kishte mundësi ta kishte marrë mjetin në Greqi.
Nga ana tjetër rezultoi, se ishte falsifikuar data e aktit të shitblerjes dhe fletë-hyrja e mjetit. Por sipas prokurorit të çështjes, nuk mund të bëhej ndjekje penale për Ilir Markon në vitin 2008, pasi nga koha e kryerjes së veprës penale në vitin 2003 dhe deri në çastin e marrjes së personit si i pandehur kanë kaluar 5 vjet, për një krim që parashikon një masë dënimi deri në 3 vjet burg.
Gjatë gjykimit dhe deri në vitin 2001, Ilir Marko shënon në formularin e vetëdeklarimit se ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u emërua zëvendësministër i Brendshëm në janar të këtij viti.