Tërmeti i Tepelenës fshehu dënimin, dorëzon mandatin

Kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi është një tjetër i dënuar në radhët e të zgjedhurve socialistë që rrezikojnë të penalizohen nga ligji për dekriminalizimin. Tërmet Peçi është i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë. Sipas një vendimi gjyqësor të vitit 2004, Tërmet Peçi figuron i dënuar nga Gjykata e Tepelenës për akuzën “Përdorim i dokumenteve të falsifikuara”. Ai është dënuar me 150 mijë lekë gjobë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ndërsa vendimi përfundimtar ka qenë dënimi me 100 mijë lekë gjobë, të cilat Peçi duhej t’i paguante në 2 këste.
Vendimi ka marrë formë të prerë më 7 prill 2004, pasi Peçi nuk e ka ankimuar në Apel. Por ndërkohë në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, Tërmet Peçi nuk e ka përmendur këtë dënim. Edhe pse është i dënuar në vitin 2004, kryebashkiaku i Tepelenës nuk e ka deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.
Formulari i Peçit është i pastër në seksionin ku shkruhet “nëse është dënuar ndonjëherë apo jo”. Struktura e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme që merret me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit duhet të nisë menjëherë hetimet. Kryebashkiakut të Tepelenës jo vetëm që duhet t’i hiqet mandati, por rrezikon dënimin me burg për mashtrim.
Në vendimin e Gjykatës së Tepelenës thuhet se, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tepelenë ka parashtruar për gjykim procedimin penal nr. 31, datë 24.03.2004 në ngarkim të të pandehurit Tërmet Peçi akuzuar për veprën penale të “përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”, parashikuar nga neni 186/1 të Kodit Penal (i pandryshuar).
Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezultoi se: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tepelenë ka nisur procedim penal nr. 201 për veprën penale “trafikim i mjeteve motorike”, parashikuar nga neni 141/a Kodit Penal.
Gjykata në bazë të neneve 379 e vijues 390 të Kodit të Procedurës Civile vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Tërmet Peçi për veprën penale “përdorim i dokumenteve të falsifikuara” dhe në bazë të nenit 186/1 (i pandryshuar) 48/ç Kodit Penal dënimin e tij me 150 000 lekë gjobë.
– Në aplikim të nenit 406 K.Pr.Penale, i pandehuri Tërmet Peçi dënohet përfundimisht me 100 000 mijë lekë gjobë.
– Pagimi i gjobës të bëhet me 2 këste 6-mujore duke filluar nga data e marrjes formë të prerë të këtij vendimi.
Tërmeti i Tepelenës është njëri nga dhjetëra të zgjedhurit e PS që drejtojnë sot bashkitë e vendit. Mjaft kryebashkiakë socialistë në vetëdeklarimet e tyre që vjen në bazë të ligjit për dekriminalizimin kanë mashtruar mbi veprat penale për të cilat janë akuzuar apo vuajtur dënimin në vitet e kaluara. Rasti tipik është ai i Elvis Rroshit, kryetarit të Bashkisë së Kavajës, i cili edhe pse dha dorëheqjen se ishte dënuar për përdhunim në Itali, u tërhoq nga dorëheqja me urdhër të Ramës. Por Rroshi rezulton i dënuar edhe në Zvicër e Gjermani për trafik droge, megjithatë ai është marrë në mbrojtje nga Rama dhe vazhdon të drejtojë Bashkinë e Kavajës.
Edhe kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi është arrestuar dhe dënuar në Itali për trafikim të vajzave për prostitucion dhe shpërndarje të drogës. Në formularin e vetëdeklarimit për efekt të ligjit të dekriminalizimit, kryebashkiaku i Krujës nuk e ka deklaruar dënimin e tij.
Po ashtu edhe kryetari i Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi rezulton i dënuar në Itali. Bardhi ka pranuar në formularin e dekriminalizimit se, para se të njihej me gjeneralitetet që mban sot, ka mbajtur respektivisht katër emra dhe mbiemra të ndryshëm: Gentian Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi. Në Bashki e njohin dhe firmos si Artur Bardhi, ndërsa në çertifikatë është Artur Ndoi, i biri i Ndues dhe Gjelës.
Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj ka fshehur arrestimin për tentativë përdhunimi. Po ashtu Zotkaj ka fshehur arrestimin e 20 shkurtit 1997, për shkak se ka vjedhur një sasi kablli dhe 2 goma në Uzinën Mekanike të Poliçanit, si dhe ka tentuar të përdhunojë një shtetase nga ky qytet. Adriatik Zotkaj rezulton i dënuar tri herë, në total me 4 vite e 10 muaj burg për disa vepra penale.
Gjithashtu, edhe kryetari socialist i Bashkisë së Pustecit, Edmond Themelko rezulton se nuk ka treguar të vërtetën në plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, pasi rezulton se ka qënë i dënuar. Janë me dhjetëra zyrtarë të tjerë të zgjedhur nga PS që janë të dënuar apo në ndjekje penale.

R.POLISI