Telefonata, Berisha-Nuland: Qeveria të pranojë vendet e rezervuara

Kjo bisedë u përqendrua kryesisht në Reformën e Drejtësisë. Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Nuland, në bisedë theksoi rëndësinë e madhe të kësaj reforme për integrimin e Shqipërisë në Europë dhe shprehu vlerësimin e saj në përpjekjet e fundit të ambasadorëve të SHBA dhe BE për një kompromis midis palëve në ditët që vijnë. Zoti Berisha theksoi se ai beson se një kompromis, në rast se qeveria dëshiron reformën, është plotësisht i mundshëm. Kërkesa e opozitës për vende të rezervuara është një kërkesë antikapje, bazohet plotësisht në rekomandimet ndërkombëtare dhe qeveria nuk ka asnjë arsye të mos e pranojë, u shpreh ai. Berisha theksoi se thjeshtimi i arkitekturës së institucioneve të drejtësisë është plotësisht i mundshëm dhe u shpreh se shpreson që palët do bien dakord.
Kërkesa e opozitës për të votuar, së bashku me nenet e Reformës në Drejtësi, edhe nenin për votimin dixhital, biometrik, do të dëshmonte vullnetin e qeverisë për një proces zgjedhor transparent, jetik për vendin.
Së fundi, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Nuland dhe Berisha vlerësuan shumë të rëndësishëm një kompromis të mundshëm në ditët që vijnë‎.