Të pushtuar nga kompjuteri!

Sofia Ben-Ankor ngjason me një studente tipike nga Londra. Ajo është e shkurtër, ka flokë ngjyrë kafe, sy të shndritshëm dhe një buzëqeshje të bukur. Me të mund të flasësh për kohën, muzikën si dhe eksperiencat e saj për mësim-dhënien e gjuhës angleze për studentët e huaj. Kurrë nuk do ta kuptoje që truri i saj kontrollohet nga një tufë procesorësh që ndodhen mijëra kilometra larg saj. Të jesh “e pushtuar” nga një kompjuter nuk është kaq e pabesueshme, thotë ajo më pas, megjithatë ndonjëherë mendon: “E tmerrshme! Unë jam thjesht një trup, asgjë më shumë”.

Termi teknik që identifikon Sofian është “echoborg”, një qenie e gjallë, një individ që merr frymë, por që përkohësisht ka vendosur të kontrollohet nga një robot. Çdo gjë që ajo thotë buron nga mesazhet e dërguara në internet, që më pas i përçohen nëpërmjet një kufjeje tepër të vogël në vesh. Asnjë person që bisedoi me Sofian nuk e kuptoi se ishte duke folur me një robot.

Mund të tingëllojë si diçka absurde apo si një film fantastiko-shkencor, por fakti është që kjo shpikje e çuditshme e ka një qëllim. Studiuesit në “London School of Economics” duan të kuptojnë mënyrën se si trupi dhe pamja e inteligjencës artificiale mund të formojë perceptimin tonë. Ky eksperiment është tepër i rëndësishëm për botëkuptimin tonë të inteligjencës artificiale, pasi në të ardhmen mund të gjendemi të rrethuar nga makineritë, që nuk do të arrijmë t’i dallojmë nga qeniet njerëzore. Pra, qëllimi i studimit është të kuptohet se si do të reagojnë njerëzit përballë një fenomeni të tillë.

“Në shumicën e rasteve që ndodhemi përballë inteligjencës artificiale ndodh nëpërmjet një pamjeje tepër mekanike”, thotë Kevin Korti, një nga studiuesit. Ideja e tij gjeniale ishte të përdorej trupi i një qenieje njerëzore, por me trurin e një roboti. “Në këtë mënyrë, ne bëmë të mundur që njerëzit të mendonin se ishin duke biseduar me një tjetër person normal”.

Kur kontrollin e trurit e merr në dorë një program kompjuteri që përçon mesazhe, mund të ndodhin gjëra nga më të çuditshmet. Korti dhe kolegu i tij Aleks Xhillspi, janë frymëzuar nga puna me “Siranoidët”, një eksperiment i zhvilluar nga psikologu i shumëpërfolur, Stenli Milgram. Ky psikolog është tepër i famshëm për eksperimentin e tij lidhur me bindjen, në të cilin i shtynte njerëzit që t’i jepnin goditje elektrike të voltazhit të lartë dikujt tjetër. Edhe kur dukej se goditjet po bëheshin tepër të dhimbshme dhe të rrezikishme, shumica e tyre nuk ndaleshin, duke treguar kështu se njerëzit e kanë më të lehtë t’i shkaktojnë dhimbje dikujt tjetër se sa të mos t’i binden autoritetit që i kontrollon.

Nga fundi i jetës së tij, Milgrami duket se iu rikthye temave më të buta, atë të perceptimit që truri ka për pamjen e njeriut. Kur jemi duke folur me dikë, a i dëgjojmë vërtet fjalët që na thotë, apo opinionet tona formohen në bazë të pamjes së jashtme të personit që kemi përballë?

Për të gjetur një përgjigje, ai u frymëzua nga drama e shekullit 19, Sirano de Berzherakut. De Berzheraku ishte një ushtar i suksesshëm, një poet i zgjuar dhe një muzikant i talentuar, por e konsideronte veten tepër të shëmtuar për t’i rënë në sy Roksanës. Kështu, ai vendos të ndihmojë rivalin e tij simpatik, por aspak të zgjuar, Kristianin, që të fitonte zemrën e saj, duke i thënë asaj çdo fjalë që i sugjeronte Siranoja. Në skenën më të famshme të dramës, Siranoja fshihet në shkurre, duke i sugjeruar Kristianit fjalë të ëmbla, i cili duhet tja përsëriste Roksanës që qëndronte në ballkon.

Kështu, të ashtuquajturit “Siranoidë” janë njerëz që lejojnë dikë tjetër t’i diktojë fjalët që thonë dhe gjërat që bëjnë. Një mekanizëm i tillë, sipas Milgramit, do të ishte mënyra perfekte për të testuar se sa ndikon pamja e jashtme e njeriut në perceptimin që krijon truri për të. Ai bëri eksperimente ku “Siranoidit” i sugjeroheshin fjalë nga dikush tjetër nëpërmjet një transmetuesi të vogël të fshehur në vesh. Njëlloj si Roksana, personi tjetër që ndodhej përballë tij nuk ishte në dijeni të eksperimentit.

Milgrami u mahnit kur vuri re se, pjesëmarrësit në eksperiment mund të bisedonin për më shumë se 20 minuta me një siranoid dhe nuk e kuptonin se diçka nuk shkonte. “Fakti që gjithçka që thotë një person buron nga një tjetër mendje duket se nuk kuptohej dhe nuk kishte rëndësi në asnjë moment”, shkroi ai. Më pas, ai vendosi ta çonte edhe më tej eksperimentin, duke parë për shembull se çfarë ndodhte kur një profesor i vjetër kontrollonte trurin e një fëmije.

Milgrami vdiq në vitin 1984 përpara se ta përfundonte eksperimentin dhe siranoidët e tij u harruan për dy dekafa me radhë, derisa Xhillspi vendosi ta rinovonte idenë e tij. Në përpjekjen e tij të parë, ai kopjoi një nga eksperimentet e Milgramit me një siranoid fëmije. Në këtë rast, Xhillspi i tregonte fjalët një djali 11-vjeçar, i cili po intervistohej nga një panel të rriturish. Tendenca e tyre për ta justifikuar situatën me të cilën përballeshin, ishte e mahnitshme. “Djalin e vogël e pyetën për molekula dhe atome, për Henri Xhejmsin, për vdekjen e Margaret Theçerit dhe për krizën globale financiare. Pas çdo përgjigje, ata shokoheshin dhe thonin se, djali ishte vërtet i zgjuar, por asgjë më shumë”, kujton Xhillspi.

Nga këndvështrimi filozofik, njerëzit e kanë tepër të vështirë të gjykojnë, nëse një person është duke folur dhe vepruar me vullnetin e tij të lirë apo ndodh përpara një “kukulle” që vepron sipas komandave të dikujt tjetër. “Sado e madhe të jetë mospërputhja ndërmjet trupit dhe mendjes, njerëzit nuk arrijnë ta dallojnë”, thotë Korti. Për ta thënë me fjalë të tjera, duket se qeniet njerëzore përdorin më shumë pamjen e jashtme për të gjykuar substancën e mendimeve të dikujt tjetër.

Është e lehtë të jesh skeptik. Kështu i ndodhi një eksperti që vizitoi laboratorin e studimit dhe Xhillspi e prezantoi me Kortin. Duke qenë se kishte folur me Kevinin më parë nëpërmjet internetit, kur u gjend përballë një vajze të re u shokua tërësisht. “Për një moment mendova se, Kevini ishte një transeksual, ishte i vetmi shpjegim që më erdhi ndërmend”, tha ai. Në fakt, Kevini ndodhej në një dhomë tjetër dhe ai ishte duke biseduar me Sofian, e cila në jetën e përditshme është një studente e dalluar dhe ka vendosur të kontribuojë për eksperimentin. Situata tregoi se sa e thjeshtë është të manipulosh mendimin e një personi nëpërmjet pamjes së jashtme.

Falë sukseseve të deritanishme, Korti dhe Xhillspi filluan të mendonin ekstreme akoma më të mëdha për të testuar. Ky ishte momenti, kur lindi edhe ideja e tyre më gjeniale. “Menduam që nëse duam ta çojmë eksperimentin tonë në një nivel më të lartë, atëherë duhet të eliminonim personin që sugjeronte fjalët”, thonë ata. Rezultati ishte lindja e “echoborgut”, një racë e re siranoidësh, ku një person flet dhe vepron sipas komandave të një programi kompjuterik, jo ato të një personi tjetër.

Në këtë mënyrë, Korti shpresonte të bënte një hap para drejt të ardhmes, kur robotët të bëhen më realë. “Jemi ende shumë vite e shekuj larg krijimit të një pamjeje njerëzore për kompjuterët, por këtë hap mund ta kapërcejmë, duke e futur kompjuterin brenda trupit te njerëzit për të parë çfarë ndodh”, thotë ai.