Të drejtat e fëmijëve, indeksi ku Shqipëria qëndron e fundit në rajon

380

Nuk ka kaluar shumë kohë që nga ngjarja e bërë publike për dhunimin e fëmijëve në një institucion arsimor parashkollor në Tiranë, ndërkohë që një raport i fundit tregon që për të drejtat e fëmijëve, vendi ynë renditet i fundit në rajon. Shqipëria renditet në vendin e 59-të ndër 163 shtete botërore, sipas Indeksit të të Drejtave të Fëmijëve 2016, studim i përvitshëm i Fondacionit me të njëjtin emër, në bashkëpunim me Erasmus School of Economics.
Një vit më parë, Shqipëria renditej në vendin e 63-të, ndaj këtë vit ka parë një përmirësim t2ë lehtë prej 4 pozicioneve. Megjithatë, krahasuar me rajonin, ne jemi të fundit, ku performancë më të mirë ka Serbia e renditur e 28-ta, Bosnja dhe Hercegovina e 30, Mali i Zi i 43 dhe Maqedonia e 47. Kryesojnë listën me të dhëna më të mira që garantojnë të drejtat e fëmijëve Norvegjia, Portugalia dhe Islanda, ndërsa të fundit në listë ndodhen Afganistani, Afrika Qendrore dhe Vanuatu në Oqeanin Paqësor.
Sipas metodologjisë së këtij indeksi, merret për bazë e drejta e jetës, e drejta e kujdesit shëndetësor e drejta e edukimit dhe ambientin që siguron garantimin e këtyre të drejtave për fëmijët. Fondacioni Kids Rights që përpilon edhe raportin për të katërtin vit, i bën apel qeverive të ndryshme të globit që të investojnë më shumë për fëmijët në këtë drejtim, pasi buxhetet janë të pamjaftueshme.