Si reagoi ministri i krimit të organizuar

Ministri i krimit sulmoi dje, në mënyrë të papreçedentë, gjykatësin Arjan Aliaj, që dha dje vendimin për pezullim nga detyra për ish-drejtorin e policisë Haki Çako, lidhur me skandalin e përgjimeve. I pranishëm në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Brendshme, ministri Tahiri sulmoi jo vetëm gjykatësin, por dhe gjykatat e Prokurorinë. Kjo e fundit, ka nisur sot dhe verifikimin e veprimeve dhe mosveprimeve të ministrit Tahiri që kanë lejuar futjen apo përdorimin e pajisjes së përgjimit. Në fund, ministri Tahiri sulmoi dhe opozitën e kërkesat e saj për Reformën në Drejtësi. Më poshtë janë disa nga deklaratat kryesore të ministrit Tahiri: “Ky Aliaj është fytyra e vërtetë e gjyqtarëve që ne nuk pranojmë e nuk duam. Ky është fytyra e korporatës së korruptuar dhe shërbëtorëve politikë, sepse detyrën e kanë dhuratë nga pushteti edhe në kurriz të përdhunimeve e vrasjeve. Ky gjyqtar, ky Aliaj që liron vrasës e përdhunues, që është shkarkuar dhe rikthyer në detyrë për shkaqe proceduriale. Ky Aliaj që ka liruar vrasës e përdhunues, sot u shërben porositësve politikë. Aliaj është përfaqësuesi, fronti i të keqes që përfshin prokurorët e gjyqtarët e qelbur nga koka që mbrohen nga shqupistë të qelbur nga koka që nuk duan Reformën në Drejtësi.  A keni dëgjuar se çfarë thonë? Duan vende të rezervuara. Çfarë janë vendet e rezevuara? Janë bunkeri i sigurtë për të futur dhe për të mbrojtur gjyqtarë të tipit Aliaj në sistemin e drejtësisë. Vendi i rezervuar është vend parkimi për gjyqtarë të korruptuar. Flasin për drejtësi të pakapur, por unë nuk di njeri që ta dijë sot sistemin e drejtësisë të pakapur. Është drejtësia e kapur sot? Sigurisht që është. E kapur peng.
Beteja jonë është kundër frontit të së keqes të atyre në sistemin e drejtësisë, Gjykata e Prokurori edhe në politikë, që nuk e duan Reformën e Drejtësisë. Ne këtë betejë do të fitojmë me çdo çmim e çdo kosto”.