Shqipëria, kartolinë përpara Euro 2016

Një javë pas sesionit të fotografive në kampin austriak, printohen posterat dhe kartolinat zyrtare të Kombëtares përpara startit të Kampionatit Europian. Fotografitë e para ishin ato me kostumet, ku një pjesë e idhujve kuqezi treguan se të qenurit të talentuar në fushë nuk do të thotë se, detyrimisht duhet të dish të formosh nyjen e kravatës.
Për pak ndihmë kishte nevojë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka me trajnerin De Biasi, që nuk nguroi t’i gjendet pranë, duke konfirmuar se pavarësisht asaj që ndodh në Francë apo edhe më mbrapa, marrëdhënia e tyre do të mbetet e shkëlqyer. Përveç kostumeve të vlerësuara edhe nga kryeministri Rama, seti për fotografitë zyrtare vijoi me uniformën e Shqipërisë në evenimentin në Francë dhe së fundmi lojtarët janë fotografuar një nga një për posterat zyrtarë të aktivitetit.
Ky është imazhi zyrtar i Shqipërisë në Kampionatin Europian, një skuadër serioze dhe e etur, që pas realizimit të ëndrrës për të luajtur në turneun e parë madhor, tashmë synon të qendrojë sa më gjatë në Francë.