Shqipëria 31,6% shanse kualifikimi

Euro 2016 ka një favorite. Detyrimisht ajo është Franca, organizatore e evenimentit. Përfundimi nuk vjen nga kompanitë e basteve të specializuara për koeficientët, por nga Goldman Sachs. Banka e Wall Street aplikoi sistemin Elo, që përdoret në shah, për të përllogaritur shanset e skuadrave në evenimentin kontinental. Pjesa e parë e analizës lidhet me shanset që 24 përfaqësueset pjesëmarrëse kanë për t’u kualifikuar nga faza e grupeve. Sipas përllogaritjeve, Shqipëria ka 31,6 për qind shanse që të kalojë në fazën e 1/8 dhe 7,6 për qind që të luajnë në çerekfinale, ndërsa është e vetmja skuadër pjesëmarrëse në turne, shanset e së cilës janë 0 për qind për të fituar trofeun kontinental.
Duke u kthyer te përqindja për kalimin e grupit, edhe pse klasifikohet si e dyta më e ulët e turneut, ku pas kuqezinjve mbetet vetëm Irlanda e Veriut. Në analizën statistikore të Bankës Goldman Sachs, për rezultatet e mundshme të ndeshjeve, skuadra e De Biasit pritet të humbasë vetëm ndeshjen me Francën, me rezultatin 3-1. Ndërkohë, në sfidat me Zvicrën dhe Rumaninë kuqezinjtë parashikohet të regjistrojnë dy barazime 1-1.
Rezultate që sipas bankës amerikane nuk do t’i mjaftonin Kombëtares të kalonte fazën e grupeve, ku Franca do të renditej e para, Zvicra e dyta dhe Rumania e tretë, me pikë të barabarta, por diferencë golash më të mirë se kuqezinjtë.
Në garën për trofeun në Euro 2016, analiza e Goldman Sachs parashikon që sfida më e mundshme në finale është ndërmjet Francës dhe Spanjës. Kjo pavarësisht faktit se në përqindjen për fituesit e mundshëm, francezët kryesues me 23 për qind shanse triumfi ndiqen nga Gjermania me 20 për qind, ndërsa Spanja ka 14 për qind shanse dhe klasifikohet përpara Anglisë dhe Portugalisë.
Gjithsesi duhet theksuar, që në vitin 2014 banka parashikoi suksesin e Brazilit në Kupën e Botës. “Seleçao” u eliminua në gjysmëfinale, Gjermania fitoi titullin, ndërsa vështirë se përllogariti surprizën e Kosta Rikës. Ekipi nga Amerika Qendrore fitoi grupin me Italinë, Anglinë dhe Uruguajin, kaloi Greqinë në 1/8-at e botërorit dhe u eliminua nga Holanda në çerekfinale vetëm pas ekzekutimit të 11-metërshave. Një mrekulli të ngjashme, që hedh poshtë çdo analizë apo parashikim është ajo që tifozët kuqezi presin nga Shqipëria.