Roshi kërkon vendin e titullarit

Odise Roshi e ndien veten titullar në formacionin aktual të Shqipërisë. Sulmuesi i lindur në Fier ndihet gati për sfidën e parë europiane, pasi ai beson se Shqipëria ka mundësi të shkruajë një tjetër faqe të historisë pas kualifikimit historik. Fillimisht, ai ndalet te humbja me Ukrainën dhe më pas analizon punën e bërë gjatë ditëve përgatitore nga grupi.
“Ndaj Ukrainës luajtëm mirë dhe pësuam dy gola që nuk i meritonin. Kemi punuar me dy seanca në ditë dhe humori është shumë i mirë. Çdo gjë është në rregull. Duhet të japim maksimumin, sepse nuk kemi çfarë të humbasim dhe besoj se do t’ia dalim mbanë. E shikoj veten titullar, por vendimin e merr trajneri”, u shpreh Roshi.
Nëse De Biasi vendos të besojë te Roshi, atëherë në krahun e tij ai do të përballet me një lojtar ekspert si Rodriguez, por Roshi nuk i trembet kundërshtarit edhe pse e vlerëson atë. “E njoh Rodriguez, kam luajtur 3-4 herë kundër tij. Është një lojtar me shumë eksperiencë, por do të jap 100% në fushë dhe dua të bëj sa më mirë punën time”, tha ai.
25-vjeçari përqendrohet edhe te çështja e organizimit dhe masat e sigurisë, duke u shprehur i lumtur që forcat shqiptare të sigurisë ndodhen pranë kombëtares. Në fund, ai kërkon që skuadra të luajë si e barabartë në çdo ndeshje, pasi në Grupin A nuk ka favoritë. “Nuk mendoj se ka favoritë. Jemi një ekip kompakt dhe do të japim maksimumin në çdo ndeshje”, përfundoi Roshi.