Reportazh / Në Tepelenë ku hashashi është legalizuar

Nga Telnis SKUQI

“Është krimbur fare. Ngado të hedhësh sytë vetëm parcela me hashash shikon”, nis rrëfimin e tij Benard M,. banor i fshatit Çerriles. “Po kultivohet masivisht”, shton Benardi dhe sakaq më tregon për Arrëzën, Maricajt, Vagalatit, Buzit, Luftinjën, Rabies, Likometit, Zhapokikën, Koshtanit, Mihasit, Dukajt, Gllavën etj.
Në fakt djaloshi ka të drejtë, sepse po të hedhësh një sy të shpejtë nga lugina e lumit të Izvorit deri në Likomet, malet dhe tokat janë bërë pjellore. “As në kohën e Enver Hoxhës nuk kishte kaq shumë toka pjellore, sa se këto tri vitet e fundit”, thotë Benardi. Për të udhëtuar në pjesën veriore të Tepelenës, nuk është e lehtë.
Benardi më rekomandon vetëm “Foristradë” si mjet udhëtimi për të shkelur këto zona të shkreta që janë kthyer në oaz për kultivuesit e bimës narkotike. Teksa udhëton rreth 25 km larg Tepelenës, në drejtim të Beratit, syri kudo të shikon gjelbërim. Është e pabesueshme.
Faqe të pjerrëta mali janë përpunuar dhe disiplinuar nga puna e palodhur e fermerëve të zonës. “Është e vetmja rrugë për të dalë nga fukarallëku”, shprehet Abedini, i cili preferon të mos ta identifikoj vendbanimin e tij. Për të ky është biznes fitimprurës, por i lodhshëm. “E duan ujin këto të mallkuara. E pijnë si dreqi”, tregon Abedini, 55 vjeç. Sipas tij, sivjet janë hapur shumë toka “të vdekura”, sidomos në zona që konsideroheshin të pamundura. “E çfarë të bën paraja, të hedh përpjetë”, shton me humor Abedini. Më tej, Abedini thotë se nuk ka frikë ta kultivojë hashashin, pasi porositësit janë njerëz të afërt të politikës. “Unë fermer jam, me një shkollë 8-vjeçare, por një gjë e kuptoj.
Këto punë nuk bëhen pa mbështetjen e policisë dhe politikanëve”, thotë Abedini. “Prodhimin e kam të shitur 100% dhe nuk më intereson fare se ku shkon”, thekson ai. Të njëjtin mendim ndan edhe bashkëfshatari dhe bashkëmoshatari i Abedinit, Izet Ç., madje ai shkon më tej me faktet. “Mos kujto o djalë se Lazarati ishte histori suksesi për Policinë e Shtetit, rreth dy vite më parë”, nis “analizën” e tij, Izeti. “Iku Lazarati, por Tepelena, Memaliaj dhe Përmeti është lazarizuar e gjitha”, nënvizon ai. “Ke dëgjuar të ankohen fshatarët e jugut, përveç Gjirokastrës, për bukën e gojës? Jo!”, pyet dhe përgjigjet Izeti. Në vlerësimin e tij, Izeti është kundër kultivimit të bimës narkotike, por, sipas tij nuk ka zgjidhje tjetër.
Situata ekonomike, thotë Izeti, është rënduar gjatë tri viteve të fundit. “Para 23 qershorit 2013 njerëzit diskutonin bukën e gojës, por sot njerëzit diskutojnë bukën e fëmijëve. Është një ndryshim i madh”, shprehet Izeti. “Hashashi është bima e vetme që të nxjerr nga varfëria”, përfundon ai.