Rama, tutori i Elvis Roshit

270

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi dje Ramën si tutorin e Elvis Rroshit ndërsa deklaroi se qyteti i Kavajës do çlirohet nga terrori i krimit. I pyetur nga mediat në lidhje me deklaratat e mazhorancës pas dorëheqjes së Elvis Rroshit, Basha theksoi se reagimet e Ramës faktojnë mentalitetin e tij për të mbajtur pushtetin dhe për të qeverisur me të inkriminuarit.
“Edi Rama ka poshtëruar dje, qindra e mijëra, pse jo, miliona shqiptarë emigrantë, vëllezër dhe motrat tona, duke u thënë të gjithëve se ju jeni të gjithë si Elvisi dhe Elvisi është si ju. Elvis Rroshi i dënuar për drogë dhe përdhunim, kryetari i PS-së i dënuar për drogë, dy njerëz që përpiqen të mobilizojnë me forcë, për të mbrojtur çfarë? Krimin në Kavajë. E dinë të gjithë shqiptarët. E dinë padyshim të gjithë kavajasit, të cilët kanë qenë nën thundrën e një klike kriminale, e cila edhe dje tregoi dhëmbët sepse ka mbështetjen e Edi Ramës” u shpreh kreu i PD, Basha.
Kreu i PD theksoi se është e papranueshme që Rama barazon shqiptarët në emigracion me modelin e Elvis Rroshit.
“Ky prononcim i tij i djeshëm tregon mentalitetin e inkriminuar të kreut të ekzekutivit, e nxjerr edhe një herë zbuluar si arkitektin e sistemit të inkriminimit në politikën shqiptare. Tregon qartë se largimi i Elvis Rroshit, përtej të qenit një fryt i hidhur për ta, por i ëmbël për shqiptarët, i ligjit të dekriminalizimit, është tërësisht i pamjaftueshëm sa kohë që arkitekti i kriminalizimit të politikës, jo vetëm nuk shfaq pendesë, por do që të mbrojë e promovojë krimin deri aty sa të barazojë një njeri të akuzuar dhe të dënuar për përdhunim në grup, të akuzuar e të dënuar për trafik droge e të thotë: Ky është modeli i shqiptarëve në emigracion” tha kreu i PD.
Nga ana tjetër, në lidhje me hapjen e Partisë Demokratike, Basha theksoi se reforma e vazhdueshme në Partinë Demokratike ka për qëllim që pikërisht PD të jetë në ballë të këtij realiteti të ri politik, që ai e quajti si “Demokracia e re”. “Kjo është e rëndësishme, vlera është e rëndësishme dhe padyshim vlera do t’i diktojë edhe numrat sepse demokracia është numra. Por demokracia e vërtetë nuk është ajo e numrave të korrupsionit e të krimit, por është demokracia e numrave që bashkohet rreth vlerave” tha Basha.

– Zoti Basha ju duhet një parti që nuk ka vota?
Keni filluar të nxirrni konkluzione të shpejta për median që jeni ju. Partia Demokratike nuk paragjykon askënd që dëshiron të bashkohet me opozitën në përballje me të keqen. Ne jemi në opozitë dhe lufta opozitare, përballja me të keqen do të vijë duke u ashpërsuar. Askush nuk vjen për privilegje, vijnë për sakrificë dhe këtu nuk ka asnjë paragjykim dhe aq më shumë për forca të reja politike që dëshirojnë të jenë një zë i ri në mozaikun politik të vendit.
I vetmi kusht është, të bashkohen vlerat dhe vlera kryesore është besimi në një Shqipëri të pastruar nga krimi, në një Shqipëri të lirë për të votuar dhe për të zgjedhur në bazë të programeve, në bazë të ofertave reale për të nxjerrë vendin nga kriza dhe jo në bazë të makinacioneve dhe pazareve.
Natyrisht ka parti që mbledhin vota me anë të shitblerjes së tyre, me anë të emërimeve korruptive në administratë, me anë të kriminelëve të hurit dhe të litarit, po ato parti e kanë derën të mbyllur që atje në hyrje në oborr dhe do ta kenë derën e mbyllur.
Shqiptarët meritojnë parti të pastra nga krimi, shqiptarët meritojnë parti, të cilat përfaqësojnë shqetësimet dhe zërin e tyre. Reforma e vazhdueshme në Partinë Demokratike ka për qëllim që pikërisht Partia Demokratike të jetë në ballë të këtij realiteti të ri politik, që unë e quaj “Demokracia e re”, duke u vetëpastruar dhe duke ofruar vetë ne më të mirët.
Kjo është e rëndësishme, vlera është e rëndësishme dhe padyshim vlera do t’i diktojë edhe numrat sepse demokracia është numra. Por demokracia e vërtetë nuk është ajo e numrave të korrupsionit e të krimit, por është demokracia e numrave që bashkohet rreth vlerave.

– Elvis Rroshi dha dorëheqjen dje, por u duk sikur nisi edhe fushatën elektorale për t’u rikandiduar nga Kavaja. Si e komentoni lëvizjen e tij?
Tutori i Elvis Rroshit është Edi Rama. Edi Rama ka poshtëruar dje, qindra e mijëra, pse jo, miliona shqiptarë emigrantë, vëllezër dhe motrat tona, duke u thënë të gjithëve se jeni të gjithë ju si Elvisi dhe Elvisi është si ju. Unë nuk e besoj këtë. Unë nuk besoj se qindra, mijëra djem të rinj shqiptarë që janë sot në emigracion apo që kanë nisur emigracionin në vitet ‘90 apo sot janë burra me familje, janë si Elvis Rroshi. Unë nuk besoj se qindra dhe mijëra shqiptarë kanë marrë pjesë në përdhunime në grup apo trafik droge. Prandaj ky është një poshtërim i dytë që Edi Rama i bën shqiptarëve, në veçanti vëllezërve dhe motrave tona në emigracion. Ky prononcim i tij i djeshëm tregon mentalitetin e inkriminuar të kreut të ekzekutivit, e nxjerr edhe një herë zbuluar si arkitektin e sistemit të inkriminimit në politikën shqiptare. Tregon qartë se largimi i Elvis Rroshit, përtej të qenit një fryt i hidhur për ta, por i ëmbël për shqiptarët, i ligjit të dekriminalizimit, është tërësisht i pamjaftueshëm sa kohë që arkitekti i kriminalizimit të politikës, jo vetëm nuk shfaq pendesë, por do që të mbrojë e promovojë krimin deri aty sa të barazojë një njeri të akuzuar dhe të dënuar për përdhunim në grup, të akuzuar e të dënuar për trafik droge e të thotë: Ky është modeli i shqiptarëve në emigracion. Nuk është ky modeli i shqiptarëve në emigracion. Nuk është ky modeli i shqiptarëve kudo ku janë. Modeli i shqiptarëve është ai, i shqiptarëve të ndershëm, punëtorë të cilët me të vërtetë janë hasur në shumë vështirësi në këto 25 vite, por ia kanë dalë t’i kapërcejnë si shumicë, përmes punës së ndershme. E djeshmja ishte një ditë e turpshme edhe në një rrafsh tjetër. Krimineli tjetër, Gentian Daja, i dënuar për trafik droge mobilizoi me forcë një grup qytetarësh të Kavajës, me gjasë punonjës të bashkisë së drejtuar deri dje nga Elvis Rroshi, për një miting apo një kuazimiting dhe kjo nuk ishte gjë tjetër veçse presion, terror psikologjik ndaj qytetarëve të Kavajës. Elvis Rroshi i dënuar për drogë dhe përdhunim, kryetari i PS-së i dënuar për drogë, dy njerëz që përpiqen të mobilizojnë me forcë, për të mbrojtur çfarë? Krimin në Kavajë. E dinë të gjithë shqiptarët. E dinë padyshim të gjithë kavajasit, të cilët kanë qenë nën thundrën e një klike kriminale, e cila edhe dje tregoi dhëmbët sepse ka mbështetjen e Edi Ramës, që i trajton këta kriminelë si standardin e shqiptarëve. Por ju them sot qytetarëve të Kavajës që dita e çlirimit të Kavajës nga krimi po afron!