Rama kërcënon investitorët e huaj. PD: Situata ekonomike dramatike

Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar hapur investitorët e huaj në lidhje me pakënaqësitë e këtyre të fundit me paketën fiskale të qeverisë. Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, Rama u mundua të baltoste investitorët ndërsa tha se ka pasur raste kur investitorë të huaj kanë kërcënuar qeverinë shqiptare, sipas tij, me qëllim që të shmangeshin detyrimet fiskale.  Në lidhje me këtë situatë skandaloze ka reaguar dje Partia Demokratike. Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i PD, Edmond Spaho dënoi kërcënimet e Ramës ndaj investitorëve ndërsa Demokratike denoncoi situatën dramatike në të cilët është përfshirë ekonomia e vendit. “I njëjti kryeministër që thotë nuk ka përgjime të paligjshme, ndërkohë që përgjime të paligjshme ka pasur, i njëjti që thotë s’ka trafik droge, kur droga ka mbuluar vendin, i njëjti që tha Elvis Rroshi nuk është dënuar asnjëherë, kur ai ishte dënuar më shumë se një herë, deklaroi sot në një retorikë 40 minutëshe se ekonomia qenka mirë. Madje, ai sulmoi me tone kërcënuese edhe bizneset që mund të kenë ankesa” tha Spaho. Ai solli fakte reale mbi situatën ekonomike të vendit. “Dhoma Amerikane e Tregtisë është shprehur se besimi ka rënë me 4.83 pikë, dhe 65 për qind e të anketuarve janë shprehur se klima për biznes është e pafavorshme ose shumë e pafavorshme. Më parë, Dhoma Gjermane e Tregtisë denoncoi korrupsionin e taksat e larta. Konsumi ka pësuar rënie në rekorde historike. Eksportet dhe investimet janë në rënie, dhe këto tregues janë ekonomia e vendit. Asnjë investitor i huaj nuk ka shkelur në këto tre vite, madje investitorët po largohen. Kryeministri vazhdon të krenohet me TAP-in dhe Hidrocentralin e Devollit, të dyja punë të nisura nga qeveria e mëparshme. Konkurenca është eliminuar, vetëm nëse je mik i Ramës e klanit të tij të ngushtë përfiton tendera e fonde publike. Kjo është ekonomia e Ramës dhe Ahmetajt, të cilët vazhdojnë të flasin me “do të”, a thua se nuk ishin këtu këto 32 muaj, a thua se nuk janë ata shkaktarët e krizës së thellë” tha Spaho ndër të tjera.