Qeveria betohet para FMN se do të ndalë koncesionet

FMN ka rekomanduar që ka hapësirë për të ulur kufirin deri në të cilin tatimi mbi të ardhurat është zero. Aktualisht, ky kufi është 30 mijë lekë, por nga ana e qeverisë nuk ka ndonjë angazhim konkret për të ulur këtë kufi…
Qeveria shqiptare është angazhuar që të mos lejojë më përjashtime fiskale, ose norma preferenciale taksash, pa u konsultuar më parë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Angazhimi ka ardhur në letrën e mirëkuptimit me FMN-në, publikuar sot në raportin e vendit për vitin 2016.
Ky angazhim, thotë letra, do të plotësojë përpjekjet që synojnë zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, duke mbyllur shtigjet për shmangien e taksave, thjeshtimin e administrimit të taksave dhe duke krijuar një mjedis më të përshtatshëm për biznesin.
FMN është shprehur vazhdimisht kundër përjashtimeve fiskale, referuar dhe përjashimit nga TVSH-ja e makinerive dhe pajisjeve mbi një shumë të caktuar (50 milionë lekë), që ajo e ka identifikuar si një nga shkaqet e rendimentit jo të mirë të të ardhurave nga TVSH.
Teksa biznesi ka kërkuar përshkallëzim të TVSH-së për turizëm, apo dhe produkte të tjera, kjo duket se nuk mund të realizohet përsa kohë që qeveria është në një marrëveshje me FMN-në. Nga ana tjetër edhe përjashtimet fiskale për investimet e mëdha të huaja, me të cilat po konkurron gjithë rajoni, duken të pazbatueshme.
FMN ka rekomanduar që ka hapësirë për të ulur kufirin deri në të cilin tatimi mbi të ardhurat është zero. Aktualisht, ky kufi është 30 mijë lekë (nën 30 mijë lekë tatimi mbi pagën është zero), por nga ana e qeverisë nuk ka ndonjë angazhim konkret për të ulur këtë kufi.
Një tjetër angazhim i qeverisë është transparenca për partneritetet publike private (PPP), apo koncesionet si dhe kufizimin e tyre. “Ne jemi në procesin e amendimit të ligjit të buxhetit për të fuqizuar rolin e Ministrisë së Financave në vlerësimin paraprak të PPP-ve dhe monitorimin e tyre të vazhdueshëm, të integrojmë PPP-të në procesin buxhetor dhe të kufizojmë stokun total të PPP-ve. Ne gjithashtu planifikojmë të rishikojmë ligjin e PPP-ve për të fuqizuar mbikëqyrjen e Ministrisë së Financave, të integrojmë PPP-të në kuadrin më të përgjithshëm të monitorimeve të investimeve publike dhe të sigurojmë përputhshmërinë me ligjin e buxhetit. Në mënyrë që të kufizojmë rreziqet fiskale nga PPP-të, ne do të sigurojmë që ato të ndjekin praktikat më të mira ndërkombëtarë dhe se kostot e tyra fiskale dhe detyrimet e lidhura do të jenë të llogaritshme nga ana fiskale dhe statistikore”, thuhet në angazhimin e qeverisë.