Psikopati: Nuk ka kriminelë në PS

PD-ja ka reaguar dje me ironi, ndaj Kryeministrit Edi Rama, pas takimit që ai pati me gratë socialiste dhe ku deklaroi se parlamenti nuk është i kriminelëve, por i numrit më të madh të grave dhe vajzave. Sipas PD, për Edi Ramën, tipat si: tutorë, përdhunues, trafikantë droge, rrëmbyes personash, vrasës, nuk janë kriminelë.
“Edhe sot, në një mbledhje me gratë socialiste ai nuk pati zor të deklaronte se kriminelë nuk ka në partinë e tij, – tha PD në një deklaratë sot. -E thotë ditën kur çdo shqiptar, dhe veçanërisht çdo grua, vajzë, nënë, pret nga Edi Rama një ndjesë, një falje, pse ai mban në pushtet, vazhdon ta ushtrojë pushtetin me përdhunues e tutorë.
Nuk kërkon ndjesë, nuk u zë as emrin në gojë. Ndërkohë që Rroshi e Bushi, Prenga e Ndoka, e dhjetra e qindra si këta që gjenden në krah të Edi Ramës, janë plagët e realitetit sot.
Në atë sallë ku ishin mbledhur gratë socialiste, mungojnë dy zonja nga Lezha. Mungojnë sepse u larguan me dhunë nga lista e deputetëve për t’i hapur rrugën Arben Ndokës, i dënuar me 7 vite burg në Itali për prostitucion dhe rrëmbim personi.
Mirëpo kjo nuk bën më përshtypje në forumet e Edi Ramës, kaq shumë e ka vënë mbi parti rrasën e inkriminimit, e ka kthyer në model, në trend, në orientim” thuhet në reagimin e PD.
“Në vend se gratë të kërkonin llogari për dy zonjat nga Lezha që janë përjashtuar për t’i lënë vendin trafikantit të femrave, në vend se t’i thonin ku e ke vendimin për shkarkimin e Rroshit të dënuar në Itali për përdhunim në grup, ato ulin kokën dhe dëgjojnë kakarisjen e fëlliqur të atij, pikërisht të atij që e mbushi partinë me kriminelë.
Jo vetëm partinë po zyrat publike, institucionet, parlamentin.
Ku janë kriminelët? Në çdo zyrë të pushtetit të Edi Ramës. Nuk ka shqiptar që nuk e di këtë, nuk ka shqiptar që nuk i njeh. Vetëm një e mohon. Autori, krijuesi, ai që i qemtoi me dorën e tij, i mori për të ardhur në pushtet e për të ndarë sot me ta pushtetin. Edi Rama ka zgjedhur të sfidojë shoqërinë, ligjin, dekriminalizimin, cdo normë morali në vend, duke afruar me shpejtësi fundin e tij, e bashkë me të të tutorëve, vrasësve, përdhunuesve, trafikantëve të drogës” vijon reagimi i PD.