Pse Shqipëria nuk i tërheq dot turistët rusë

317

Turistët rusë janë duke testuar Shqipërinë si destinacion turistik, por efektet e këtij “vrojtimi” do të jenë më domethënëse vitin e ardhshëm.
Drejtuesit e agjencisë turistike “KLSU Travel” thanë për “Monitor” se, po vihet re se ka rritje të kërkesës së turistëve rusë për ta njohur si destinacion Shqipërinë. “Është vështirë të bëhet një krahasim në lidhje me shifrat, për interesimin e rusëve, pasi jemi në kushtet kur ajo po diktohet nga situata e krijuar me Turqinë, megjithatë mund të konfirmojmë se është në rritje”, u shprehën drejtuesit e kësaj agjencie, e cila bashkëpunon që nga viti 1992 me tur-operatorë kryesisht të Federatës ruse.
“Rusët, janë të interesuar më së shumti për bregdetin shqiptar. Nuk e njohin shumë vendin tonë dhe tashmë po e eksplorojnë si mundësi. Janë të interesuar për qëndrime nga 7 deri në 10 ditë me shërbime all inclusive, që ne mundohemi t’ia ofrojmë, pasi siç e dini ne nuk kemi shumë struktura hoteliere që i përshtaten kërkesave të tyre. Ne nuk mund ta konkurrojmë dot Turqinë, por me bregdetin tonë të bukur mund t’i joshim ata. Po mundohemi të ofrojmë paketa konkurruese, pasi nuk duam që t’i humbasim si treg. Së fundmi një grup me tur-operatorë rusë po viziton disa destinacione të Shqipërisë dhe në shtator do të kemi sërish një vizitë të këtij lloji, por këtë herë me grupe që janë të interesuar për turizmin fetar. Do të ketë ture të kombinuara edhe me Korfuzin”, thonë drejtusit e agjencisë “KLSU Travel”. Sipas tyre është e vështirë që të tërhiqet ky kontigjent, i cili është mësuar me tipet e resorteve turke, ndaj dhe Shqipëria duhet të përpiqet që të joshë me veçantitë e saj.
Edhe Xhimi Lama, drejtues i Tours Albania thonë se së fundmi ka pasur dy-tre grupe turistësh rusë që kanë qenë të interesuar për turizmin kulturor dhe se tendenca e tyre është në rritje, për shkak të një sërë faktorëve. Sipas tij, një konkurrente e fortë mbetet Greqia, e cila po tërheq ndjeshëm vëmendjen e rusëve me ishujt e saj. Shteti fqinj Greqia është destinacioni i tretë i zgjedhur nga rusët për të kaluar pushimet verore. Kostoja për natë për person llogaritet në 159 euro në Greqi. Në vend të parë të preferncave ruse është Qipro, me një mesatare çmimesh që llogaritet në 107 euro në natë për një dhomë dysheme standarde. Sipas rrjetit Trivago, në vendin e dytë të preferencave ruse gjendet Mali i Zi me një çmim mesatar prej 94 euro në natë. Bullgaria dhe Spanja mbyllin listën e destinacioneve më popullore.
Greqia, këtë verë do të jetë e preferuar edhe nga shqiptarët, pavarësisht rritjes së çmimeve të diktuar nga rritja e nivelit të TVSH-së, kryesisht për ishujt. Për z. Lama, çmimet do të japin efektet e tyre, por jo në stepjen e kërkesës së shqiptarëve për të pushuar në Greqi, veçanërisht në Korfuz, Pragë dhe Halkidiki. Kërkesa parashikohet të jetë 10-15% më e lartë në krahasim me një vit më parë.
E ndërsa rusët dhe gjermanët pothuajse e kanë braktisur Turqinë, numri i shqiptarëve që do ta zgjedhë si destinaciion kryesisht në pjesën e dytë të korrikut dhe gjatë gushtit do të rritet deri në 20-25%. Çmimet më të ulëta se një vit më parë janë faktori kryesor që do të ndikojnë këtë ecuri të kërkesës.