Protesta, naftëtarët e Ballshit bllokojnë TEC-in në uzinë

Të papunë dhe të papaguar prej 10 muajsh tashmë  punonjësit e Uzinës së Naftës në Ballsh protestuan sërish gjatë ditës së djeshme. Rreth 800 punonjësit protestues kanë hyrë me forcë në uzinë. Protestuesit tentuan të hyjnë në sallën e Komandës së TEC-it për të stakuar energjinë elektrike që furnizon gjithë jugun e vendit, por nuk janë lejuar nga policia.
Punonjësit e nisën protestën në hyrje të uzinës, por më pas hynë brenda saj, pavarësisht kundërshtimeve të rojeve të sigurisë. Ata kërcënojnë se do të stakojnë centralin e energjisë elektrike nëse nuk marrin një përgjigje për fatin e uzinës dhe punën e tyre. Në vendngjarje mbërrritën  forca të shumta sigurie dhe po negociojnë me puonjësit për t’i bindur të dalin nga uzina. Uzina e Përpunimit të Naftës në Ballsh është mbyllur, ndërsa prej 10 muajsh 1200 punonjësit e saj nuk janë paguar.
Ndërkohë, Policia ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë në Ballsh 4 drejtuesit e protestës së naftëtarëve. Lajmi konfirmohet nga vetë të ndaluarit, të cilët pohojnë se janë në ambientet policore në Ballsh. Ata po merren në pyetje nga oficerë krimesh rreth organizimit të kësaj proteste, nëse ka qenë e ligjshme apo jo. Bëhet e ditur se, policia ka ndaluar shtetasit, Gjergji Selmani, Kamber Iljazi, Petref Skënderaj dhe Namik Malaj.