Prokuroria nis hetimet për Bushin, fshehu identitetin e dytë

Prokuroria e Përgjithshme nisi dje hetimet mbi të dhënat e dyshuara kriminale ndaj kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.
Zyra e re e Prokurorisë për dekriminalizimin i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të verifikojë nga vetëdeklarimi i dekriminalizimit të kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, disa të dhëna, të cilat kërkojnë detajim më të thelluar në të shkuarën e tij. Verifikimin fillestar do ta bëjë KQZ-ja dhe pas kësaj Prokuroria do të vijojë hetimet. KQZ publikoi dy javë më parë vetëdeklarimet e ministrave, deputetëve, bashkiakëve dhe këshilltarëve. Mes tyre ka edhe të hetuar e dënuar për krime të ndryshme. Mes tyre, bashkiaku socialist i Krujës, Artur Bushi, pranoi se u ndalua dy herë në Itali. Ai u ndalua së pari në vitin 1996 dhe herën e dytë në vitin 2010 u arrestua si i dyshuar për “trafik lëndësh narkotike”, por u lirua me vendim gjyqësor. Prokurorët nisën verifikimet edhe për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Ai u akuzua nga opozita se ka ndërruar emrin për të fshehur të kaluarën e tij dhe përfshirje në veprimtari kriminale. Rroshi pohoi se është ndaluar nga policia në Gjermani dhe në Itali, por se nuk është subjekt i asnjë krimi që parashikon ligji i dekriminalizimit.

Si e ndryshoi identitetin Artur Bushi

Dosja e Artur Bushit në Itali nën akuzën e plagosjes së dy personave është ende e hapur. Ai i shpëtoi drejtësisë italiane duke ndryshuar identitetin e tij. Artur Bushi akuzohej për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në zonën e Napolit. Bushi ka bërë një atentat, duke plagosur dy persona, të cilët ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre për shkak të konflikteve të vjetra që kishin mes tyre. Dy personat në gjendje të rëndë nga atentati kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve edhe për shkak të fatit, pasi aty pranë është ndodhur një autoambulancë. Kjo çështje ka nisur të hetohet në Napoli gjatë kohës që Bushi ishte atje me emrin e tij të vërtetë. Kur ai ka shkuar që të rinovojë dokumentet në Kuesturë, policët i kanë thënë që ai t’iu përgjigjej disa dyshimeve që policia kishte në lidhje me të. Në mënyrë të shpejtë, Bushi është larguar nga Kuestura, duke u nisur menjëherë për në Shqipëri. Veprimi i parë që ka bërë kur ka mbërritur këtu ka qenë ndryshimi i emrit. Ai është pajisur me një pasaportë tjetër me emrin Kastriot C. Me këtë identitet, ai ka shkuar sërish në Itali. Bushi ekziston me identitetin e tij në Caserta, ndërsa në Napoli ai njihet me gjeneralitet Kastriot C. Madje me këtë emër, ai ka bërë në gjendjen civile të zonës edhe veprime të tjera familjare, lehtësisht të evidentueshme nga Prokuroria, e cila do të hetojë të dhënat e të gjithë kontigjentit kriminal të Ramës në Parlament, Bashki dhe administratë.
Në formularin e dekriminalizimit ka një pyetje, e cila kërkon nëse personi që e plotëson atë ka pasur gjeneralitete të tjera në të shkuarën? Rama e pranoi se ka pasur një të tillë kur tha se e ka pasur emrin Edvin dhe e ka ndryshuar në Edi. Kryebashkiaku i Kurbinit thotë se ka pasur 4 emra, ndërsa dyshohet se ka fshehur edhe dy emra të tjerë. Në këtë pikë Bushi ka bërë një gabim, i cili e penalizon atë dhe e çon direkt për ndjekje penale dhe deri në burg, pasi ai ka fshehur gjeneralitetin me emrin e dytë që ka mbajtur një periudhë të shkurtër kohore në Itali. Ai ka mbajtur atje edhe emrin Kastriot C. Ky identitet i është vjedhur një qytetari, i cili jeton sot në Shqipëri.

Formulari i dekriminalizimit

Në formularin e dekriminalizimit Bushi thotë se është arrestuar dy herë në Itali, një herë për arsye që atij nuk i kujtohen dhe një herë tjetër për trafikim të lëndëve narkotike. E vërteta është disi ndryshe. Në arrestimin e parë, të cilin ai e pranon në formular dhe që ka ndodhur në vitin 1996 në Caserta të Italisë, arsyeja e mbajtjes së tij në qeli ka qenë për trafik prostitucioni. Ai ka mundur që të dalë sërish nga burgu në një mënyrë të dyshimtë dhe pas një pakti të pistë me autorë të kësaj historie. Gjithsesi ky hetim dhe ky arrestim nuk e nxjerr atë të pastër edhe nga kjo vepër penale, pavarësisht se ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.