Policia e Elbasanit si model paafësie

280

Nga Pirro Guremani

Çorganizimi i një institucioni si policia në Elbasan, dukshëm po mban vulën e një modeli paaftësie të ideuar nga deputeti përgjegjës i socialistëve, Taulant Balla.
Duart e futura në këtë institucion për të lëvizur, hequr dhe futur policë sipas preferencave të tij personale, pa asnjë kriter profesionalizmi, por vetëm mbi bazën e militantizmit të spikatur, ka bërë që efektet e punës së kësaj policie të jenë nga më të ulëtat.
Përballë një kriminalizimi të qëllimshëm që është kthyer në profesion dhe ku janë punësuar njerëz që janë të aftë për të vrarë me uniforma policie dhe pa u ndëshkuar asnjëherë, kemi një polici që struket dhe bën të heshturin. Ajo qetësi e dallueshme që ka pasur ky qytet që më shumë se çdo gjë tjetër ka pasur dëshirën për arsimim dhe për qetësi, po gjendet si në një ishull ku kryqëzohen interesat e mafiozëve dhe drogmenëve etj.
Ngjarjet e ndodhura një pas një, që nga laboratori i drogës që erdhën gjermanët dhe e zbuluan se policia ishte bërë rojtare e tij e deri tek spektakli i fundit i policisë në mes të rrugës, kanë qenë një seri treguesish të një situate që po degjeneron në arkivimin e krimeve dhe në frikë qytetare. Askush nuk e di në ish-qytetin e arsimit se, krimi do të godasë pikërisht qetësinë e qytetarisë dhe policia vetëm se do të arkivojë të vrarë e të plagosurit.
Pa e ekzagjeruar, në çdo sektor të policisë ata që ishin profesionistë u larguan një edhe nga një dhe në vend të tyre erdhën taulant ballat e specialiteteve të kotësisë, që më shumë i tremben kriminelëve se sa kriminelët policisë. Këta që futen në statistikën e punësimit të qeverisjes Rama sipas modelit të Rilindjes = Paaftësi, vetëm se kanë veshur uniformën e Policisë së Shtetit, por më shumë janë shërbëtorë të individëve politikë si të Taulantit që ka librazhdizuar Elbasanin në mënyrën më të keqe të mundshme.
Por nuk është vetëm kjo, nëse në harkun kohor të këtyre muajve të këtij viti kanë ndodhur kaq shumë ngjarje dhe nuk është gjetur as arrestuar ndonjë autor vrasjesh, por vetëm është bërë një show që desh shkaktoi edhe tragjedi të madhe nga sjellja aspak profesionale dhe jashtë çdo sjelljeje policimi në shkëmbimin e të shtënave automatike mes disa qytetarëve që thuhet se ishin të familjes Çapja dhe disa policëve civilë që veshën gjoksoret në sy të opinionit që po bënte sehir me rrezik jete. Është mungesa e rendit dhe qetësisë, moszbatimi i mbrojtjes së qytetarëve nga shkelësit e ligjit dhe të “fortët” ia bëjnë tetë me dy policisë me mbështetjen e pushtetit që i ka “mbrojtës” të votës. “Të fortët” e njohur dhe të cilësuar si të afërt me titullarë të pushtetit dhe të politikës rilindase kanë kapur gjithçka dhe më shumë akoma policinë që e komandojnë përmes deputetit sekretar partie i kohës enveriste që telefonon në çdo gjë krerët e policisë.
Mjafton që të investigosh një natë në rrugët kryesore të Elbasanit, do të ndjesh se lokalet e shumta me luks si në kohën e kolerës kanë nga një ngjarje për shkak të mosrespektimit të orareve të mbylljes së tyre. Lënia në vazhdim e lokaleve të hapura ka gjeneruar gjithnjë në humbje të qetësisë së qytetarëve, në humbjen e rregullit dhe rendit, por edhe në shtimin e kriminalitetit dhe përdoruesve të alkoolit dhe drogave. Informacioni i policisë mund të kryejë ndonjë punë, por vetëm në ndonjë rast se më shumë se sa këto që janë në shërbim të qytetarëve, policia është vënë në shërbim të gangsterëve që i bëjnë të heshtin dhe policia të ikë me bisht ndër shalë.
Trafiku, që është në njëfarë forme edhe problemi i respektimit të rregullave, ka dy situata që janë të kundërta dhe të papranueshme, sepse në vend të dënimit të shkelësve të rregullave të qarkullimit, kapen dhe gjobiten njerëz që nuk kundërshtojnë policinë, ndërsa ata “të fortët” i shajnë mbarë e prapë e askush nuk u thotë ndonjë fjalë. Edhe pse mund të ketë profesionistë në krye të trafikut dhe sigurisë në qarkullim, përsëri policët e kësaj policie janë kthyer në abuzuesit e parë me gjobat e vendosura dhe me dënimet e dhëna për qytetarë që mjetet e qarkullimit i kanë mjete pune dhe jo qejfi.
Ngjarja kriminale në Elbasan para disa ditësh, me atentatet mafioze të filmave me gangsterë, është tabloja e paralajmëruar e një dështimi të policisë së këtij qyteti në luftë ndaj krimit. Përkundër kësaj dhe me një platformë tipike mafioze janë veprimet e policisë së Elbasanit ndaj qytetarëve, duke ushtruar një terror policor përmes Policisë Rrugore. Vendosje gjobash të rënda me shkakun më të vogël ndaj qytetarëve të thjeshtë, por jo të rrugaçëve që e shajnë policinë me fjalorin më të rëndë.
Situatat e rënda të krijuara në qendër të qytetit pranë gjykatës pranë një rrugice të lagjes së njohur si “Spajkore” ose “5 Maji” sot, ka krijuar një ndikim të fortë psikologjik për pasigurinë që dikton ndaj qytetarëve.
Pa kaluar as 24 orë nga një atentat mafioz ndaj familjes Çapja që dukej si i paralajmëruar dhe vetëm pas 4 muajsh nga krimi makabër ndaj kësaj familjeje me 3 të varë dhe 8 të plagosur, si dhe me një vrasje mafioze në autostradën e metalurgjisë, Policia e Elbasanit manifeston vepra me gjoba trafiku duke dashur të mbulojnë dështimin dhe turpin në dështimin për kapjen e autorëve të krimit që kanë lënë në një mister autorët dhe qëllimet.
Arroganca e policëve të qarkullimit me qytetarët dhe pasojat e rënda financiare mbi xhepat e familjeve qytetare, janë një dënim si me urdhër nga lart për të shantazhuar opinionin si një manifestim i dështimit të kësaj policie ndaj krimit që po bën namin, ndërsa policia e qarkullimit po bën “të ligjshmin” me gjobëvënie.
Mbyllja e krerëve drejtues të policisë në godinat e institucionit i ngjan atyre romancave romantike të një shekulli të kaluar, sikur shohin ëndrra me sy hapur që ishallah nuk ndodh gjë se të jetë për ta, krimi merr rrugët e qytetit të Elbasanit.