Polemika për fondin e punësimit në Kosovë

315

Shumë premtime të zyrtarëve të lartë qeveritarë për zhvillim ekonomik, rrjedhimisht rritjen e shkallës së punësimit, janë heshtur apo nuk janë realizuar në mungesë të angazhimit dhe seriozitetit të autoriteteve kompetente, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Një premtim i zyrtarëve qeveritarë para dy vjetësh ka qenë krijimi i një Fondi për Punësim dhe Zhvillim duke u bazuar në mjetet e Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës, që arrijnë shifrën rreth 1. 9 miliard euro. Si Fond, ishte thënë se do të krijojë mundësi të reja të përkrahjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik, duke përdorur praktikat më të mira investuese. Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se ky premtim ka qenë vetëm në kuadër të fushatës zgjedhore dhe jo vullnet apo angazhim i mëtutjeshëm i autoriteteve qeveritare. “Duhet kuptuar se viti 2014 ka qenë kohë zgjedhjesh, më shumë ka pasur premtime, joshje të elektoratit se sa kanë pasur bazë reale ato që janë premtuar. Edhe çështja e Fondit të Privatizimit dhe Fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale, nuk janë çështje të vullnetit të një kryeministri apo kryetari,cilido qoftë, që ato të mobilizohen për zhvillimin e Kosovës”. “Duhet infrastrukturë ligjore, instrumente të sigurisë, garanci, të cilat nuk i ka bërë as kjo Qeveri, as që i ka bërë Qeveria e kaluar. Për këtë arsye çështja është heshtur”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë. Profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se gjatë vitit 2014 të gjitha partitë kanë premtuar skenar për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Edhe krijimi i këtij Fondi, që sipas tij, ka qenë ambicioz, ka mbetur i heshtur për shkak të mungesës se seriozitetit të autoriteteve në Kosovë, pasi për shfrytëzimin e mjeteve të Privatizimit dhe Trustit, nevojiten edhe ndryshime në aspektin ligjor. “Ato mjete nuk mund të shfrytëzohen nëse nuk krijohet baza e qëndrueshme juridike dhe të ndryshohet edhe Ligji për Privatizim dhe ai i Fondit të Trustit Pensional të Kosovës. Kosova ka rreth 2 miliardë euro që gjenden në bankat e vendeve perëndimore, ku norma e interesit është zero”.