Përse Rama dhe Tahiri mbrojnë Çakon

Prokuroria në njoftimin zyrtar ka sqaruar edhe rolin e dy prej njerëzve të tjerë të policisë të përfshirë në skandalin e përgjimeve. Të dy të veshur deri tani nga policia rezultojnë jo vetëm se kanë qenë në dijeni të pajisjes së përgjimit, por kanë bërë lëvizjet e saj, duke ia fshehur Prokurorisë dhe duke e lëvizur nga Drejtoria e Policisë.
Nga pozicionet që ata kanë në polici, kuptohet edhe mënyra se si ka vepruar Rama dhe Tahiri në këtë skandal. Gjithçka duket se është lëvizur me urdhër nga lart dhe urdhri ka shkuar nga ministri tek vartësi më i fundit që ka bërë dhe transportuesin e pajisjes së përgjimit dhe që është specialist pranë Forcës Operacionale, ndërsa urdhrat i ka marrë direkt nga drejtori i tij, Duka.
Të gjitha lëvizjet e pajisjes së përgjimit janë bërë sipas hierarkisë së pushtetit dhe pozicioneve të drejtuesve në polici. Rama ka urdhëruar Tahirin, Tahiri ka urdhëruar drejtorin e Policisë, Çako. Ky i fundit më pas ka urdhëruar drejtuesin e Forcave Operacionale, Duka dhe më pas Duka ka urdhëruar oficerin e tij, Xhelilaj që të bëjë lëvizjen e pajisjes në momentin që prokurorët prisnin prej orësh të bënin sekuestrimin në Drejtorinë e Policisë. Prokuroria e ka të plotë skemën e lëvizjes dhe ajo ka konfirmuar me oraret e përcaktuara, lëvizjet e saj sikurse i ka me emra njerëzit, të cilët janë marrë me transportin e pajisjes.
Është e qartë për këdo se as Haki Çako dhe aq më pak specialisti i Forcave Operacionale, Xhelilaj të mund të bënin lëvizje të pajisjes së përgjimit pa pasur urdhër nga eprori në ministri, sikurse është po aq evidente se as Çako dhe askush tjetër të refuzonin për orë të tëra prokurorët që të sekuestronin pajisjen pa pasur miratimin e Tahirit.
Të gjitha hetimet e kësaj pajisje përgjimi të futur dhe përdorur në mënyrë jo ligjore të çojnë tek ministri i Brendshëm. Kjo është edhe arsyeja se përse ai dje reagoi menjëherë dhe pas tij edhe Kryeministri. Ata janë pozicionuar hapur si njerëzit që qëndrojnë pas kësaj pajisje përgjimi dhe kanë arritur deri aty sa të kërcënojnë edhe kryeprokurorin duke i kujtuar se me Reformën në Drejtësi do e largojnë nga posti që mban.
Mbrojtja që Rama dhe Tahiri i bënë dje Haki Çakos publikisht tregon për panikun që ka përfshirë kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm nga hetimi. Ata po kërkojnë t’i japin mbrojtje Çakos në mënyrë që ai të marrë përsipër të gjithë barrën e përgjegjësisë për këtë skandal dhe shkelje të ligjit në mënyrë që ata të mos preken. Kjo është një skemë e ngjashme me atë që u përdor në rastin e drejtorit tjetër të Drejtorisë së Policisë, Didi, i cili zbatoi të njëjtat urdhra duke fshehur urdhrin e Interpolit të Brukselit për vrasësin-deputet Mark Frroku. Përgjegjësinë Didi e kaloi tek një tjetër drejtor i nivelit më të ulët, ndërsa vetë Didi u detyrua të largohej, por edhe të ngrihej në detyrë duke u katapultuar në ambasadën e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.