Përgjimet, nën hetim edhe Tahiri, kush janë dy të arrestuarit për skandalin e përgjimeve

Ministri i Brendshëm është nën hetim për futjen e pajisjes përgjuese “IMSI CATCHER” në territorin e Shqipërisë. Në njoftimin për mediat, saktësohet se, “po vijojnë hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë”.
Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se, dyshimet bien mbi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili është nën hetim bashkë me zyrtarët e policisë, “për deklaratat në lidhje me pajisjen përgjuese, por edhe për veprimet e tij”.
Dyshimet janë se, pajisja përgjuese hyri në territorin shqiptar pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla.
Sipas prokurorëve është provuar tashmë se ka pasur ndërhyrje disa herë në segmentin aparat fundor-antenë të pajisjes. Nga kjo, akuza ka arritur në përfundimin se, “aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”.

Dy të arrestuarit për skandalin

Shtetasi Artion Duka, në cilësinë e drejtorit të Forcave Operacionale, nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit. Fakti që mjeti, së bashku me pajisjen “IMSI Catcher” ka lëvizur në të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi titullarin e Forcës.
Po ashtu, ky shtetas ka deklaruar se pajisja, në përfundim të çdo seance trajnimi, lëvizte së bashku me ekspertët italianë. Ky deklarim rezulton i rremë, pasi, siç shkruhet nga libri i hyrje-daljeve, mjeti me pajisjen ka qëndruar thuajse gjatë të gjithë kohës së trajnimit në ambientet e Forcës Operacionale.
Pika e fundit e shkeljeve të dyshuara se janë kryer nga shtetasi Artion Duka është edhe më e rëndësishmja. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumutim të natyrës penale apo administrative, se gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit “IMSI CATCHER” nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm. Ka dyshime të arsyeshme se kjo gjë nuk është e vërtetë. Kështu nga hetimi ka rezultuar se aparati konkret funksionon, duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundor nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e Ligjit 9918, neni 123/2.
Shtetasi Ention Xhelilaj, me funksion specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim. Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyrë automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknikë të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve. Nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në FO, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen.
Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet mbi këtë rast, për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.