PD zgjeron koalicionin

253

Partia Demokratike zgjeron koalicionin kundër të keqes, krimit të veshur me pushtet dhe rrënimit ekonomik. PD shpalli aleancën e saj dje me Partinë për Liri, Demokraci dhe Etikë. Në një prononcim për mediat kreu i PD, Basha bashkë me kreun e PLDE, Arian Galdini deklaroi se “opozita, koalicioni opozitar zgjerohet me një forcë të re politike, me një forcë me të cilën na bashkojnë vlerat, na bashkon besimi tek një model ndryshe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një model ku demokracia shqiptare të mund të shërbehet nga njerëzit e vlerave, në radhë të parë nga rinia, nga të rinjtë dhe të rejat, por edhe nga njerëz të tjerë të angazhuar në çdo fushë të jetës dhe që besojnë tek demokracia e përfaqësuar përmes vlerave. Modeli ynë qëndron në kontrast të thellë me modelin e kundërshtarit tonë, i cili për tri vite e gjysmë ka investuar në inkriminimin e politikës, në veshjen e pushtetit me krim dhe veshjen e krimit me pushtet si një përpjekje për të diskredituar demokracinë, për t’ju thënë shqiptarëve ja çfarë iu sjell demokracia, Roshë, Bushë, Bardhë, Prengë, Ndokë, Kokëdhimë, etj. Por kjo nuk është demokraci. Demokracia duhet të ketë fytyrën engjëllore të rinisë shqiptare. Ndaj unë jam përkushtuar për 35% kuotë për rininë në Partinë Demokratike, për zgjedhje përmes primareve. Ndaj jam përkushtuar dhe jam i vendosur që së bashku me aleatët tanë t’u japim shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha Basha. Ai shprehu bindjen se pa dallime politike, të djathtë dhe të majtë bashkohen tek nevoja akute për të pastruar Shqipërinë nga krimi politik dhe tek nevoja akute për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme që janë po kështu dy nga levat kryesore të nxjerrjes të Shqipërisë nga kriza. Basha theksoi se nga kriza ekonomike në radhë të parë që është produkt i drejtpërdrejtë i inkriminimit të vendimmarrjes, të korrupsionit, i vjedhjes së taksave dhe parave të shqiptarëve. “Pra, i mungesës së këtyre parave për rritjen e rrogave, të pensioneve, investimeve, punësimit, ndihmës ekonomike dhe mirëqenies së tyre në tërësi. Koalicioni ynë po vjen duke u zgjeruar. Të tjera parti politike kanë shprehur interesin t’i bashkohen Partisë Demokratike në opozitë. Ky është një koalicion i madh vlerash, ky është vendi ku bashkohen shqiptarët dhe jo vetëm forcat politike, rreth vlerave të lirisë, demokracisë dhe të integritetit. Rreth vlerave të Europës me shpresën dhe besimin se kështu do të mund me të vërtetë t’i japim Shqipërisë një të ardhme të sigurt, me një ekonomi të fortë që janë edhe tiparet kryesore të standardit europian” u shpreh kreu i PD. Basha përsëriti ftesën ndaj cilës do force politike, ti bashkohet opozitës në betejën për të ndalur të keqen që po keqqeveris. “Dua të përsëris sot ftesën për këdo që ndihet në opozitë me të keqen, të bashkojmë forcat pavarësisht nëse janë forca politike apo jo, shoqërore, individë, grupe shoqërore. Sepse së bashku mund dhe do t’ia dalim ta ndalim të keqen dhe të hapim një erë të re të së mirës, të punës dhe të drejtës për Shqipërinë dhe shqiptarët” tha Basha.

Arian Galdini: Betejë opozitare për t’i thënë ndal keqqeverisjes

Kreu i PLDE, Arian Galdini deklaroi se bashkimi me beteja opozitare do forcohet për ti thënë ndal keqqeverisjes.
“Unë e kuptoj që ju sot prisnit takimin Basha-Rama, por z. Basha dhe Partia Demokratike vendosën ta lenë Ramën dhe një javë pushim se ai pati një tërheqje muskuli në Kavajë dhe t’i japim mundësi një trajektoreje të re opozitare nëpërmjet një partie, e cila sapo ka hyrë në dimensionet dhe spektrin politik shqiptar me djem dhe vajza të reja, të cilët duan të jenë partia e qytetarëve të rregullt dhe të thjeshtë, partia e aspiratave, e cila kërkon të jetë ofertë nëpërmjet modelit dhe mënyrës sesi vepron si parti elektorale dhe jo si parti e strukturave.
Ne patëm shansin dhe mundësinë sot që të bashkëbisedojmë me zotin Basha dhe me krerët e PD për këtë rrugë të re, të cilën e kemi nisur bashkë tashmë sot dhe deri në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme që na presin. Si një rrugë, e cila do të jetë përballje, si një rrugë e cila do të jetë alternativë, si një rrugë e cila do të jetë mundësi dhe komunikim i vazhdueshëm me të gjithë qytetarët shqiptarë, rolin që ka luajtur PD deri sot si opozitë ta ndiejnë dhe ta përputhin me atë që quhet opozitarizëm si gjendje qytetare.
Ne i bashkohemi këtij koalicioni për të bashkuar opozitarizmin me gjendjen opozitare që kanë qytetarët shqiptarë që janë masivisht, thellësisht dhe thellësisht të pakënaqur me këtë qeveri, e cila të vetmen ofertë që ka keqqeverisjen, varfërimin, taksimet e larta, korrupsionin e lartë, krimin në Parlament, krimin në institucione.
Dhe ne mendojmë që kësaj filozofie qeverisjeje, këtij mekanizmi qeverisës duhet t’i themi ndal, i duhet thënë ndal me betejën opozitare, por i duhet thënë ndal edhe me votën e zgjedhjeve të ardhshme ku opozita e përputhur me mendimin opozitar do të jetë fituesja e këtyre zgjedhjeve”.