PD dhe qytetarët protestojnë, Veliaj betonizoi liqenin, radhën e ka Parku “Rinia”

218

Dhjetëra aktivistë të Departamentit të Mjedisit dhe të rinj demokratë protestuan dje në Parkun “Rinia”, duke paralajmëruar qytetarët e Tiranës, se së shpejti ky park do të ketë radhën për t’u betonizuar. Kreu i departamentit, Jamarbër Malltezi u shpreh se, Veliaj duhet të japë dorëheqjen, pasi opozita vërtetoi se ai shkeli ligjin me ndërtimin brenda Parkut të Liqenit, duke derdhur mbi 870 metra kub beton, si dhe është duke përgatitur dhënien e lejeve të tjera të ndërtimit. Ai u bëri thirrje qytetarëve t’i bëjnë rezistencë këtij plani të Ramës dhe Veliajt dhe ta kundërshtojnë me të gjitha mjetet ligjore.
“Këtu jemi në skenën e ardhshme të krimit, pasi do ta betonizojmë së shpejti. Sot disa njerëz që keqpërdorin ndonjërin dhe gjithçka, keqpërdorin paratë publike për tua dhënë burrave të drejtoreshave të tyre, po përurojnë një sarkofag në të cilin mbulojnë me beton dhe po shtrojnë bar sintetik kauçuku. Kjo është zgjidhja për cilësinë e rëndë të ajrit në Tiranës. Ndërkohë, Parku ‘Rinia’ ka radhën për t’u betonizuar. Ky park është tjetri në radhë ashtu si Parku i Liqenit, ku tashmë në dy krahët e tij po përgatiten të ndërtohen gradaçiela për klientët oligarkë të Kryeministrit. Për fat të keq, këtu nuk ka asnjë përgjegjësi. Na u deklarua se nuk do të kishte beton, por vetëm ashkla. Ne po dëshmojmë këtu më shumë foto që aty kishte 870 metra kub beton ose sa 100 betoniere që hodhën beton tek mushkëritë e qytetit tonë, tek mushkëritë e fëmijëve tanë. Na premtoi se do të jepte dorëheqjen, nëse një pemë e vetme do të ishte prerë. Ne këtu, kemi 17 pemë të prera dhe zotëria do të duhet të jepte 17 herë dorëheqjen, nëse do të kishte cipë. Ne bëjmë thirrje të qëndrojmë me mjete paqësore. Ne duhet të qëndrojmë për mushkëritë tona e të fëmijëve tanë. T’i shohim mirë këto foto e pamje, sepse nuk është çudi që edhe këto pemë e ky bar këtu të zëvendësohen vitin tjetër me bar kauçuku. Qeveria ka frikë nga qytetarët dhe nuk i dëgjon ata ndaj dhe pengoi referendumet në shenjë paniku të pashoq. Pse nuk dëgjohet zëri i qytetarëve për kullat që duan të ndërtojnë këta? Pse të mos dëgjohet zëri i qytetarëve për gradaçielën 24 kate që do të marrë zoti Rama? Pse kanë kaq shumë frikë nga qytetarët?!”, u shpreh Malltezi.
Aktivistët e shoqërisë civile (përjashto Eljan Taninin), që ende vazhdojnë t’i bëjnë rezistencë ndërtimit të këndit të lojërave, i cili u inaugurua dje me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kanë denoncuar së fundi faktin që nën tapetin sintetik të vendosur në park është hedhur shtresë betoni. “Betoni i ka këmbët e shkurtra! Këndi i lojërave pas 5 orësh. Nën tapetin plastik shfaqet betoni”, shkruhet në faqen në Facebook “Qytetarët për Parkun”. Ndonëse disa herë publikisht kryebashkiaku Veliaj pati premtuar se nuk do të kishte betonizim e as prerje pemësh, diçka e tillë nuk ndodhi. Jo për herë të parë, Veliaj gënjeu sërish edhe kësaj radhe. Siç “Lapsi.al” ka raportuar edhe më herët për ndërtimin e këtij projekti pati edhe betonizim edhe prerje pemësh.