Pas kërkesës së PD, Rama pranon: Brenda vitit mbërrijnë 1900 muxhahedinë

Kryeministri Rama i është përgjigjur kërkesës së nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, për informacion lidhur me pranimin nga Shqipëria të muxhahedinëve iranianë. Në letër Rama sqaron se brenda vitit 2016 në vendin tonë do të mbërrijnë edhe 1900 muxhahedinë të tjerë. Sipas Kryeministrit, Shqipëria e shikon të udhës të vendoset në krah të aletatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Nga viti 2013 e deri më sot, numri i personave të ardhur në Shqipëri është 1001, ndërkohë që sipas pritshmërive tona do të jenë edhe 1900 persona të tjerë që do të mbërrijnë brenda vitit 2016. Ata kanë ardhur në grupe të vogla, të përbërë nga 20 deri në 120 vetë dhe aktualisht janë strehuar në banesa kolektive në periferi të Tiranës. Të gjithë këta persona, pjesë e organizatës MEK, vetëfinancohen, ndërsa autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim të ngushtë me organizata të ndryshme ndërkombëtare si UNHCR, IOM apo RMSA”, citohet në letër. Më tej thuhet se në momentin që këta qytetarë hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, autoritetet informojnë Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Policinë e Shtetit. “Secili prej personave të mbërritur deri më tani në vendin tonë është marrë mbi baza humanitare dhe do të trajtohet sipas kuadrit ligjor në fuqi. Deri më sot, asnjë prej qytetarëve anëtarë të MEK nuk ka aplikuar për nënshtetësi shqiptare. Dëshiroj t’ju informoj se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat e nevojshme, në bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë të huaj, për të qenë në lartësinë e duhur në këtë operacion humanitar të rëndësishëm. Vlen të theksohet se deri më sot, 1001 qytetarët e ardhur në vendin tonë janë integruar më së miri në komunitet, duke mos shënuar asnjë lloj incidenti serioz. Ata kanë mësuar gjuhën shqipe dhe disa prej tyre kanë filluar punë”, theksohet në letër.