Një ditë në Valbonë, perlën e turizmit malor

Valbona, kjo perlë e turizmit malor në Shqipëri është “pushtuar” nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj sidomos në fundjavë. Ndërtimi i rrugës që e lidh këtë zonë me Bajram Currin i ka dhënë një impuls të madh zhvillimit të turizmit, ndërkohë që banorët e Luginës së Valbonës kanë rritur kapacitetet e tyre, për akomodimin e sa më shumë turistëve.
Rruga më e shkurtër për të mbërritur në Tropojë është përmes Kosovës. Është tërësisht e asfaltuar deri në destinacionin final dhe nuk zgjat më shumë se 4 orë nga Tirana. Edhe pse është fillim sezoni turistik, në Valbonë ka një numër të madh turistësh, të cilët kanë ardhur përveçse nga qytete të ndryshme të vendit, edhe nga jashtë shtetit, duke treguar një interes të madh për të vizituar këtë perlë të turizmit malor.
Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet rreth 25 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Ka një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh dhe konsiderohet mrekullia e Alpeve shqiptare. Ky park shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte e të papritura.
Të premten, Bashkia e Tropojës hapi sezonin turistik në Valbonë. Në aktivitetin që nisi në orën 10:00 tek muzeu i qytetit në Bajram Curri u zhvilluan një sërë aktivitetesh. Të pranishmit e shumtë vizituan zyrën e re të turizmit dhe ekspozitën fotografike të Tropojës. Më pas të pranishmit iu drejtuan Valbonës ku ndoqën aktivitetin festiv dhe vizituan panairin e kulinarisë. Në këtë ditë veç banorëve vendas dhe deputetëve, Mimoza Hajdarmataj, Sherefedin Shehu dhe ish-deputeti Jemin Gjana, ishin dhe drejtuesit e tjerë vendorë të Qarkut Kukës.
Pronarët e hoteleve që akomodojnë turistët, thonë se këtë vit është shtuar ndjeshëm numri i të huajve. Turistët thonë se peizazhet e mrekullueshme të kësaj zone, si dhe mundësitë që ofrohen e bëjnë këtë pikë turistike shumë të lakmueshme.
Mirash Lamthi është pronari i një restoranti dhe hoteli luksoz në Valbonë. Restoranti i tij me një kapacitet prej 300 vetësh, është tepër i preferuar jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe vendasit. Deputetja e AK të Kosovës, Teuta Haxhiu kishte ardhur nga Gjakova për të shijuar një kafe në Valbonë. “Vij çdo fundjavë për një kafe në Valbonë. E s’mundem me ndejt pa këtë ajër”, thotë deputetja e Kosovës. Këtë ditë restoranti i tij buçet nga kënga e bilbilit të Tropojës, Fatmira Breçani.
Duke qenë se Lugina e Valbonës është një nga pikat më të rëndësishme të turizmit malor në vend, kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj thotë se, do i kushtohet një vëmendje maksimale turizmit malor, duke përfshirë në projektet e ardhshme të gjitha zonat, pasi çdo zonë e Tropojës ka vlera të veçanta turistike.
Në fjalën e tij në aktivitetin “Tropoja turistike” dhe ceremoninë e organizuar në Valbonë, kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj tha se, Valbona është një nga trevat malore, e pasur me bukuri të rralla, e përzgjedhur kohët e fundit si më e bukura në planet. “Para se të ngjiteshim këtu, shijuam në qindra fotografi pasuritë turistike të Tropojës, pamë do të thosha natyrën e mrekullueshme të saj, të vendosura tashmë në muzeun e qytetit Bajram Curri. Tash jemi këtu në Valbonë, në gjirin e kësaj parajse të krijuar nga Zoti, mirë se erdhët në vendin e njohur të mikpritjes shqiptare, në Valbonë dhe Malësinë e Gjakovës! Siç e shihni edhe vetë, sot jeni në një nga trevat malore, e pasur me bukuri të rralla, e përzgjedhur kohët e fundit si më e bukura në planet. Por unë dua t’u them se Tropoja është turistike, është e bukur, në çdo cep të saj, nga Brisa në Padesh, nga Curraj Epër në Bytyç e Berishë, nga Valbona në Fierzë. Dhe unë gjej rastin sot t`ju ftoj që të vizitoni edhe ato vende, që nuk keni patur mundësinë t`i shihni më parë. Në dy anët e kësaj lugine përtej maleve ndodhen edhe lugina të tjera, secila më e bukur se tjetra, ku ndërthuren lumenjtë e kulluar, me bjeshkët e majat, me liqenet alpinë, me plantacionet e boronicave dhe shpellat e rralla. Janë Currajt e Epër e gjithë Nikaj Mërturi, Parku Natyror Rajonal. E në anën tjetër, përtej këtyre maleve, në mes të bjeshkëve të Krasniqes e Gashit, shtrihet Lumi i Gashit, Park Kombëtar i kategorisë së parë (zonë e mbrojtur strikt). Por e gjithë pjesa alpine rrethohet nga qendrat e banuara, kullat e bardha, qendrat arkeologjike, kalatë e Lek Dukagjinit dhe plantacioni mahnitës prej mbi 3000 hektarësh me gështenja, më i madhi në Ballkan”, u shpreh Dushaj.

Mjaft destinacione turistike ende të pashfrytëzuara

Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj thotë se, përtej kënaqësive që na krijojnë këto vende, ky gjelbërim dhe njerëzit optimistë, turizmi në kuptimin e gjerë të fjalës është në hapat e parë. “Mendoj se do të duhet shumë punë që njerëzit të kuptojnë se turizmi është pothuajse aseti kryesor, që do të sjellë zhvillim në Tropojë. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për të identifikuar potencialin turistik të zonës. Dhe një ndihmesë të madhe në këtë drejtim na kanë dhënë Shoqatat e Turizmit të Alpeve, Këshilli i Qarkut Kukës dhe veçanërisht Fondacioni gjerman GIZ, të cilat i falënderoj në emër të Bashkisë së Tropojës dhe kërkoj që të vazhdojnë mbështetjen në njohjen, shfrytëzimin dhe leverdinë ekonomike që ka kjo zonë nga turizmi. Kur flasim për destinacione dhe resurse turistike kemi parasysh Tropojën, e rrethuar nga dy liqene të mrekullueshëm, i Komanit e Fierzës dhe me shumë lumenj e liqene malorë deri në lartësi të Jezercës e Dobërdolit. Një luginë pjellore e njohur si lug i Malësisë, me pllaja dhe bjeshkë, me male të larta, me bukuri dhe madhështi”, u shpreh Dushaj.
Për në Tropojë, turistët vijnë jo vetëm nga Qafa e Morinës apo liqeni i Komanit, jo vetëm nga Qafa e Malit apo Qafa e Luzhës, por nga Veriu e Perëndimi, nga qafat e maleve, nga Bjeshkët e Kosovës, Plava e Gucia, nga Thethi e Dukagjini. “Nuk e di se cilin destinacion turistik të veçoj tani, pasi ato janë me qindra dhe secila më interesante se tjetra, shumica të pashfrytëzuara. Ne duhet t’i orientojmë turistët të dalin nëpër asfalt deri në Markaj apo Kërrnajë dhe të shijojnë Parkun e Gështenjave, më të madhin në Ballkan, të shkojnë në qytezën e bukur të Fierzës për t’u shpjeguar hidrocentralin dhe njërën nga digat më të larta të Europës. Fola për këto vende afër qytetit dhe rrugëve që shkohet lehtë, por sigurisht që është mahnitëse të shkosh në Çerem e bjeshkët përreth, të shkosh në Padesh apo Curraj Epër, në lumin e Pjasë apo shpellën e pashoqe në botë, atë të Kakverrit. Me sa kemi ne mundësi, bashkë me banorët vendas po punojmë për të hapur shtigje dhe rrugë të reja.
Së shpejti mbaron rruga e bjeshkës Tropojë-Sylbicë, e cila jep mundësi lëvizje me automjete në gjithë bjeshkët e larta. Thënë më thjeshtë, në qoftë se ha mëngjesin në stanet e Sylbicës, drekën e ha në Valbonë duke shijuar liqenin dhe bjeshkën e Dobërdolit, bjeshkët e mrekullueshme, me rudina dhe pyje shekullore deri në Çerem, e pastaj zbritje në grykën mbi Dragobi, përballë shpellës legjendare, ku dha jetën Bajram Curri. Sa kënaqësi do të ishte sikur turistët të fillonin të ngjiteshin përgjatë lumit të Gashit. Ndofta itinerari më interesant do të ishte nëpër kanalin e Gashit, ku njeriu shikon i çuditur atë mrekulli, që kanë bërë malësorët vetëm me levë dhe vare, kanë çarë shkëmbinj për të sjellë ujin në tokat e tyre të thara. Te ama e kanalit është Gryka e Bradoshnicës e më lart fshati i shtrirë në disa kilometra, fshati më i thellë në Shqipëri. Fshati i lë vendin një lugine të rrethuar nga malet e shkëmbinjtë, lumit të Gashit. Aty rriten të gjitha llojet e luleve, të bimëve dhe drurëve. Është vlerësuar si ndër vendet e rralla në botë, me një bimësi jashtëzakonisht të pasur. Unë them se bëhet ndër më të rrallat edhe për faktin se në një parajsë të tillë tokësore si kjo, nuk kanë filluar të ngjiten turistët akoma. Prandaj sot e rekomandoj me kënaqësi si destinacionin turistik të kësaj vere”, theksoi kryebashkiaku Dushaj.

Kryebashkiaku Dushaj: Qeveria të ndihmojë bizneset

Kreu i Bashkisë së Tropojës tha se, qeveria duhet të subvencionojë prodhuesit apo bizneset që promovojnë tradicionalen e zonës. “Unë fola më shumë për resurset natyrore gjithëvjetore, por nuk mund të ketë turizëm të nivelit të kërkuar dhe me leverdi ekonomike, pa resurse njerëzore, ekonomike, infrastrukturë të pranueshme dhe ndihmë nga shteti. Dhe kjo ndihmë mendoj se duhet të konsistojë në subvencionimin e prodhuesve apo bizneseve që promovojnë tradicionalen e zonës, si dhe të reduktojë ose t’i heqë tërësisht taksat për një periudhë të caktuar kohore atyre bizneseve që investojnë në infrastrukturën turistike në zonat malore, kur dihet se ky lloj investimi ka një kosto të lartë.
Një tjetër ndihmë që qeveria mendoj mund të jepte është hapja e shkollave të mesme apo kurseve këtu në Tropojë, ku të rinjtë të kualifikohen në turizëm, bujqësi, blegtori, kuzhinë, marketing etj. Unë mendoj se Tropoja ka tokën, blegtorinë, frutikulturën, bletarinë, ka njerëz punëtorë dhe në stinët e verës e vjeshtës nuk është nevoja të sjellim nga rrethet e tjera produktet që kërkon kulinaria turistike. Ne e dimë se ka shumë për të bërë në drejtim të akomodimit, në drejtim të kuzhinës tradicionale, por dhe të veprimtarive të ndryshme, si ecjet në shtigje e male dhe sidomos vizitat në vendet historike, ku Tropoja ka shumë, sepse ka luajtur një rol të madh në historinë e kombit. Por ne gjithashtu duhet të punojmë që turizmi në Tropojë të mund të ushtrohet gjatë gjithë vitit, pra në çdo stinë.
Në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, këto ditë do të finalizojmë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do të mundësojë që Qendra e Zhvillimit të Turizmit të përmirësohet rrënjësisht dhe të kthehet në promotorin e promovimit të turizmit, jo vetëm të Valbonës, por të gjithë Tropojës dhe të zonave përreth. Kjo qendër nuk synon dhe nuk do të konkurrojë asnjë biznes, por do të jetë ndihmë për ta, pasi me punën që do të kryejë, me shërbimet dhe informacionin që do të japë do të shtojë numrin e turistëve në këto zona, duke u shndërruar në shtëpinë e përbashkët të çdo vizitori”.
“Tani jemi këtu në stinën më të bukur të vitit dhe çdo gjë na duket e lehtë dhe e bukur. Por këta burra e gra që banojnë këtu në Valbonë e në zonat përreth, të cilët i përshëndes përzemërsisht, me një vendosmëri të madhe për përmirësimin e jetës së familjeve të tyre, me një punë mbinjerëzore, që bëjnë në përballje me dimrat e egër, me borën që arrin në 2 m, me bujarinë, mikpritjen, me dashurinë dhe respektin që tregojnë për njerëzit, janë heronjtë e vërtetë të turizmit shqiptar dhe kanë dhe do të kenë gjithmonë nderimin tonë e të mijëra vizitorëve nga e gjithë bota. Duke përfunduar, një falënderim të veçantë kam për përfaqësuesit e mediave që janë sot këtu dhe ju kërkoj që të shfrytëzoni çdo hapësirë për të pasqyruar në mënyrë të vazhdueshme në mediat dhe portalet tuaja këto bukuri që shihni, sepse kjo zonë ka nevojë veç investimeve, edhe për promovim, ka nevojë për fjalë të mira, siç thotë populli. Se kjo është malësia legjendë e Gjakovës, ku kanë ngjyer penat e tyre shumë njerëz të shquar. Dua ta mbyll me vargjet e Fishtës: Unë jam Ora e Shqiptarisë, Gjeraqinë emnin ma thonë, Edhe rri, atje mbi Valbonë!”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj.

Shqetësimi i Sherif Margjekës

Sherif Margjeka, pronar i një hoteli dhe restoranti në Valbonë, thotë se këtë vit turistët kanë qenë më të shumtë në numër. Pas emigrimit në Gjermani, Margjeka është kthyer në vendlindjen e tij bashkë me gruan gjermane dhe kanë ndërtuar një prej hoteleve më cilësorë në zonë. Turistët përveç ajrit dhe bukurive mahnitëse të Valbonës, shijojnë edhe ushqimet tradicionale të kësaj treve. Bashkëshortja e Sherifit është ambientuar me gjithçka dhe është krahu i djathtë i tij në menaxhimin e punës së tyre. “Turizmi është përmirësuar shumë, sidomos tani pas asfaltimit të rrugës, e cila përveçse ka shkurtuar së tepërmi distancën mes Tropojës dhe Valbonës, nuk është më stres për vizitorët”, thotë Margjeka.
Margjeka shprehet se, duhet të vazhdojnë investimet në Valbonë për t’u dhënë mundësinë të gjithëve ta shijojnë këtë zonë. Ai i trembet zërave për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. “Nëse këtu do të ndërtohen hidrocentrale, siç qarkullojnë zërat, atëherë kemi të bëjmë me një katastrofë të vërtetë. Kjo perlë e turizmit malor do të përmbytet dhe askush nuk ka për t’iu afruar Valbonës”, thotë i shqetësuar Sherif Margjeka.
Në Valbonë ka disa lloje ambientesh dhe çmime të ndryshme, nga 10 euro deri në 40 euro dhoma me mëngjesin të përfshirë. Për të ngrënë drekë dhe darkë ka çmime mëse normale. Ngado takon njerëz bujarë. Turistët e huaj janë mjaft të kënaqur me mikpritjen, por sidomos me bukuritë përrallore të Valbonës.
“Peizazhet e mrekullueshme të zonës së Valbonës më kanë lënë pa fjalë, nuk e prisja një perlë të tillë. Mundësitë që na ofrohen këtu e bëjnë këtë pikë turistike shumë të lakmueshme. Çmimet nuk janë të shtrenjta, as në hotel ku serviren, as nëpër minimarkete të zonës, ku na i shesin banorët”, shprehet një turist danez.

Rexhep POLISI