Neranxi: Të hiqen fashat e taksimit për biznesin e vogël

Nikollaq Neranxi, kryetar i Shoqatës së Tregtarëve të Shqipërisë ka qenë mjaft aktiv së fundmi në mbrojtjen e interesave të tregtuesve e prodhuesve, teksa kërkesa e Shoqatës së tij për anulimin e gjobave të larta të parashikuara në Ligjin e Procedurave u cilësua e drejtë nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit të kaluar, duke krijuar lehtësim të fortë te sipërmarrjet. Neranxi thotë se ndryshimi i situatës së vështirë ku gjenden sipërmarrjet sot nuk është më vetëm në dorën e biznesit, por organeve qeveritare qendrore dhe atyre lokale, institucioneve financiare dhe bankare, të cilat duhet të bashkërendojnë masat për t’i dhënë më shumë frymëmarrje biznesit, përmes rritjes së kreditimit dhe lehtësive fiskale

-Biznesi i vogël po kalon një tranzicion nga rënia e konsumit, përqendrimit të tregtisë me pakicë në qendrat tregtare dhe supermarkete, taksat e larta lokale dhe lufta antiinformalitet. Çfarë politikash duhen ndjekur që ta bëjmë më të lehtë këtë tranzicion?
Bazuar në të dhënat zyrtare dhe në ato që dalin nga vëzhgimet e studiuesve del se biznesi i vogël së bashku me atë të mesëm japin një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik, si dhe për numrin e të punësuarve në sektorin privat në shkallë vendi. Rreth  95% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve aktive të vogla dhe të mesme e zënë mikrondërmarrjet me 1 deri në 9 punonjës. Këto biznese në përmasa të vogla luajnë rolin kryesor për punësimin dhe sidomos vetëpunësimin familjar. Rreth 60% e këtyre bizneseve ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorë ekonomikë të tillë si në tregti, hotele dhe restorante, pjesa tjetër në transport dhe komunikacion, në industri, ndërtim, bujqësi dhe peshkim, në shërbime etj. Sektorët e tregtisë, hoteleve, bareve dhe restoranteve kanë ndikuar në rritjen dhe zhvillimin e turizmit në vend. Mbi gjysma e ndërmarrjeve aktive veprojnë në rajonin e Tiranës dhe të Durrësit.
Por biznesi, këta muajt e fundit, po has në një fenomen negativ në ekonomi: indeksi i çmimeve të konsumit po qëndron në vend me prirje drejt zeros dhe në disa artikuj nën zero. Kjo është dukuri e qartë e rënies të konsumit, i cili ndikon në rënien e prodhimit apo aktiviteteve të shërbimit në tregti dhe në sektorë të tjerë. Në muajin prill p.sh., ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është vetëm 0,3%, thuajse i njëjti nivel me muajin mars, kur një vit më parë ky ndryshim ishte 2,3%! Kjo do të thotë se ka rënë kërkesa për mallra dhe shërbime, pasi ka rënë fuqia blerëse, ka më pak para në duart e popullatës. Këto janë shenja të një ekonomie në vendnumëro, me pak nxitje për shtimin e prodhimit dhe të punësimit.
Ndryshimi i kësaj situate nuk është në dorën e biznesit, por organeve qeveritare qendrore dhe atyre lokale, institucioneve financiare dhe bankare, të cilat duhet të bashkërendojnë masat për t’i dhënë më shumë frymëmarrje biznesit, përmes rritjes së kreditimit dhe lehtësive fiskale. E kam thënë shpesh në daljet e mia, hiqjani biznesit të vogël fashën, sepse ia morët frymën dhe lëreni të punojë sa të dojë, natyrisht, duke i caktuar detyrime fiskale normale. Kështu edhe ata do paguajnë më shumë detyrime në shtet dhe biznesi i madh do të jetë i qetë nga presioni i të voglit, i cili nuk do faturë tatimore, sepse nuk do të kalojë fashën. Kjo duhet bërë urgjent. Taksat vendore, sidomos në kryeqytet, janë taksa falimentimi. Shoqata që unë drejtoj, e ka çuar paketën e taksave vendore në Gjykatë, me shpresën që të kthehet mbrapsht, para se të jetë shumë vonë dhe të kemi falimentuar të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Por ndërkohë, bashkia duhej të kishte reflektuar, për të rregulluar atë që ka vetë në dorë. Është e pafalshme që nuk e ka bërë.

-Cili do të ishte modeli më i mirë rajonal apo europian që duhet ndjekur?
Sigurisht, modelet janë të shumtë; ato mund të gjenden sidomos në vendet me ekonomi tregu tradicionale prej dekadash e shekujsh siç janë disa vende të BE apo SHBA. Por disa shembuj që mund të përshtaten në kushtet e vendit tonë, ka edhe midis vendeve fqinje të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Një përvojë mund të merret nga Maqedonia. Pavarësisht problemeve politike, shpesh të ashpra e të zgjatura, qeveritë kanë ndjekur një politikë tatimore me tarifa të ulëta dhe krijim të kushteve të favorshme për zhvillimin e biznesit. Maqedonia ka tregues më të lartë dhe renditje më të mirë në vlerësimin e lirisë ekonomike, duke zënë vendin e parë në rajonin tonë. Maqedonia dallohet në rajon dhe më gjerë për taksat e ulëta që ajo përdor për biznesin dhe popullsinë në përgjithësi. Kështu p.sh., tatimi mbi të ardhurat personale dhe mbi fitimin është i njëjtë, 9%.
Analiza e rezultateve të lehtësisë e të bërit biznes për vitin 2015 e nxjerr në krye Maqedoninë, duke e renditur në vendin e 30-të në botë. Maqedonia renditet e 3-ta në botë për sa i përket fillimit të një biznesi, duke u distancuar ndjeshëm me vendet e tjera, që renditen nga 41 (Shqipëria) deri tek 147 (Bosnjë dhe Hercegovina). Maqedonia renditet e 7-ta në botë për pagesën e taksave, kur tre vende të tjera si: Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Shqipëria, rreshtohen përkatësisht në vendin 165, 151 dhe 131.
Pra, këta janë tregues pozitivë dhe konkurrues në shkallë ndërkombëtare, që duhet të tërheqin vëmendjen e organeve qendrore dhe vendore, me qëllim që mund të përshtaten edhe në kushtet e vendit tonë.

-Cilat janë pasojat që do të përjetojë ambienti social-ekonomik i vendit?
Organet e qeverisë qendrore dhe ato vendore duhet të jenë më seriozë në hartimin e projektligjeve dhe vendimet që paraqesin për miratim. E kam fjalën si për seriozitet që rrjedh nga detyra administrative dhe ajo profesionale. Kjo do të thotë që kur përgatisin dhe miratojnë një akt ligjor, duhet të parashikojnë zbatimin e tij për një kohë relativisht të gjatë dhe jo për të kaluar një situatë të caktuar. Kohët e fundit ka ndodhur, që aktet në fushën e taksave kanë ndryshuar brenda disa muajve, duke krijuar konfuzion dhe shqetësim tek bizneset e të gjitha përmasave.
Këto organe duhet të jenë në bashkëpunim të përhershëm me organizata dhe shoqatat e biznesit për të njohur dhe për të përfshirë në aktet ligjore dhe nënligjore kërkesat e drejta të tij. Politika e tyre e bashkëpunimit duhet të jetë përfshirëse dhe jo selektive. Kjo do të thotë që puna të mos konsiderohet e kryer, kur takohet një shoqatë dhe lihen mënjanë disa të tjera. Duhet mbajtur parasysh se një organizatë apo shoqatë nuk mund të përfaqësojë të gjithë problematikën e biznesit, pasi ndryshe janë ato të biznesit të madh e ndryshe ato të biznesit të vogël. Për më tepër që biznesi i vogël, problemet më të shumta i ka me organet e bashkive.
Raporti i OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) i publikuar disa ditë më parë, nxori si pengesë kryesore për bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri për vitin 2016, konkurrencën e pandershme dhe korrupsionin, që janë mjaft të përhapur në vend. Klima e të bërit biznes gjithashtu nuk është në nivelin e duhur dhe bizneset e vogla e të mesme vazhdojnë të përballen me vështirësi në kreditim si dhe në zbatimin e ligjit.
Për fat të keq, me gjithë ndonjë përmirësim, ka ende pengesa serioze, me të cilat haset biznesi dhe nëse nuk merren masat urgjente, pasojat do të jenë katastrofike për të gjithë biznesin e ndershëm në këtë vend, i cili funksionon me një bilanc shpenzime të ardhura, dhe jo me afera klienteliste dhe korruptive.