Nelson, zogu tropikal parashikon rezultatet e Euro 2016

Kampionati Europian në Francë ka parashikuesin e tij zyrtar. Ndërsa në Botërorin 2010, parashikimet për fituesin e ndeshjeve bëheshin nga i famshmi Oktapodi Paul, në Euro 2016 ato do të realizohen nga Nelson. Zogu tropikal, i ngjashëm me Zazo, personazhin e filmit për fëmijë Mbreti Luan, jeton në Parkun Zoologjik të Parisit, u bë zyrtarisht parashikuesi i EuroSport.
Nelson do të parashikojë rezultatet e 8 ndeshjeve në fazën e grupeve të Kampionatit Europian, mes të cilave sfida hapëse Francë-Rumani apo edhe Angli-Rusi dhe derbin Angli-Uells.
Parashikimet do të realizohen në ambientet e Parkut Zoologjik të kryeqytetit francez, aty ku zogu Nelson jeton së bashku me rinocerontët dhe zebrat. Ai nuk fluturon shumë dhe lëvizjet i realizon me ecje të kujdesshme, ashtu siç pritet të ndodhë edhe në momentin e parashikimeve të fituesve të dueleve në Kampionatin Europian. Për të mësuar nëse zogu tropikal Nelson do të jetë në gjendje të gjejë fituesin e titullit europian, duhet pritur starti i evenimentit në Francë.