Nani optimisit për suksesin e Portugalisë

Jo vetëm Gjermania, Franca e Spanja, pasi prej skudrave favorite për t’i shkuar deri në fund Euro 2016, është edhe Portugalia. Kombëtarja e drejtuar e Fernando Santos është një grup i ndërthurur, mes lojtarëve të rinj në moshë dhe emrave me peshë si Cristiano Ronaldo apo edhe Luis Nani. Ky i fundit është optimist se Portugalia mund të triumfojë në Francë. “Përgatitjet tona në seancat e fundit stërvitore dhe në ndeshjet miqësore kanë qenë me të vërtetë fantastike. Tashmë që edhe dy lojtarët e fundit, Cristiano Ronaldo dhe Pepe, kanë mbërritur në skuadër grupi është i kompletuar. Jemi të kënaqur me formën tonë dhe kemi besim se mund të shkojmë larg në Euro 2016-të”, u shpreh Nani.
Cristiano Ronaldo është absolutisht pika e referimit të kësaj Portugalie. Sipas sulmuesit anësor të Fenerbahces nëse 3-herë fituesi i Topit të Artë, shfaq formën e tij më të mirë në Francë, përfaqësuesja luzitane do të ketë shanse të mëdha për të fituar Euro 2016-të. “Cristiano Ronaldon e njohin të gjithë. Ai është një futbollist shumë i fortë fizikisht, por edhe psikologjikisht. Mendoj se dëmtimet e vogla që e kanë shqetësuar gjatë javëve të fundit nuk do të ndikojnë në paraqitjet e tij në Europian. Cristiano vjen nga një sezon fantastik dhe unë mendoj se ai do të jetë shumë i motivuar për ta ndihmuar Portugalinë të shkojë sa më larg në Euro 2016-të”, përfundoi Nani.