Muhamed Ali, lamtumira e një kampioni

Legjenda e boksit Muhamet Ali, tre herë kampion i boksit për peshat e rënda, ndërroi jetë të premten pas një lufte thuajse 30-vjeçare me sëmundjen e parkinsonit.
I lindur me 17 janar të vitit 1942, Ali ishte një atlet dominues dhe boksier profesional aq i admiruar nga publiku, saqë revista “Sports Ilustrated” e quajti atë “Sportisti i Shekullit të 20-të”.
Ali ishte njëri prej boksierëve më të dashur dhe më të debatuar të Amerikës.
Ai ishte djali i një bojaxhiu nga Kentaki dhe njihej në atë kohë me emrin Cassius Clay. I hyri boksit, pasi djemtë e lagjes i vodhën biçikletën. Clay u rrit, duke bashkuar talentin me vendosmërinë. Në vitin 1964, ai mahniti të preferuarin Sonny Liston, duke fituar titullin e parë të kampionit botëtor në peshat e rënda.
Mike Wise i gazetës “Washington Post” thotë se ai me besim të madh tek boksi, vazhdoi të dominonte, duke grushtuar me të dyja duart.
“Ndoshta ai ishte i pari, atleti i parë në Amerikë që mburrej me diçka dhe e provonte në ring. Në atë kohë, askush nuk mburrej”.
“Jam më i miri. Po, i mund të gjithë”, thoshte ai.
Clay iu bashkua organizatës “Kombi i Islamit” dhe e ndryshoi emrin pas këtij dueli, duke u quajtur Muhammad Ali. Tre vite më vonë, ai u kritikua, pasi refuzoi rekrutimin në ushtrinë amerikane, bazuar në besimin e tij fetar dhe kundërshtimin ndaj Luftës së Vietnamit. Ai u dënua dhe iu hoq titulli dhe kjo e mbajti atë larg arenës së boksit për tre vjet, deri sa Gjykata e Lartë e shfuqizoi dënimin në vitin 1970.
Pak muaj pas kthimit në dyluftim, kampioni i ri i peshave të rënda Joe Frazier, i dha atij humbjen e parë profesionale. Por më vonë, Ali u hakmor kundër Joe Frazierit dhe fitoi në duelin e dytë me të.
Një tjetër duel klasik për Muhamet Aliun ishte ai kundër rivalit George Foreman. Ndeshja për kampionin e vitit 1974 u zhvillua në ish-Zairenë e atëhershme në Afrikën Qendrore. Ky dyluftim do të mbahej mend më vonë si, “Duel në Xhungël”. Para kamerave, Ali tregonte gjithmonë epërsinë dhe zemrën e tij të fuqishme:
“Kam luftuar me një krokodil, jam përleshur me balenë, i kam vënë pranga rrufesë, kam hedhur bubullima në burg. Kam vrarë një shkëmb dhe kam plagosur një gur. Jam kaq i rrezikshëm sa tremb edhe ilaçet”.
Gazetari Mike Wise tregon:
“…ai përdori një nga strategjitë më të mahnitshme… vepro si të jesh i lodhur. Lëre tjetrin të lodhet, duke të goditur dhe pastaj papritmas gjeje mënyrën për ta rrëzuar kundërshtarin në raundin e tetë. Ndoshta, ishte momenti më triumfues në historinë e boksit”.
Ali u përball me Frezerin në betejen e tretë dhe të fundit në vitin 1975 në Filipine. Dueli u quajt “The Thrilla in Manila”. Ali rezistoi 14 raunde raskapitëse dhe doli fitimtar.
Vitet e mëpasme të legjendës u rrënuan nga sëmundja Parkinson, me të cilën u diagnostikua në vitin 1984. Ai nuk mund të lëvizte dhe të godiste si më parë. Por, bujaria dhe pasioni i tij për humanizmin vazhdoi të frymëzojë njerëzit në mbarë botën.
“Të gjithë e donin Muhamet Aliun. Ai kishte një zemër që pakkush mund ta ketë”,thotë gazetari Wise.
I dashur apo i urryer nga të tjerët, Muhamet Aliu i bëri njerëzit ta ndjenin. Dhe kjo, ndoshta më shumë se aftësitë e boksit, do të jetë trashëgimia e tij e përhershme.