Mjerane kur një përfaqësues ndërkombëtar gënjen qeverinë e tij

Ish-Kryeministri Sali Berisha, pas përfundimit të mbledhjes së Grupit parlamentar të PD, dha publikisht qëndrimin e tij për Reformën në Drejtësi, pas takimit Rama-Basha. Berisha tha se opozita mbrëmë votoi reformën. Duke iu përgjigjur interesit të medias, Berisha theksoi se ishte Rama ai që dëshmoi se është kundër miratimit të Reformës në Drejtësi.
“Për çdo shqiptar që i thotë dritës së diellit dritë, të vërtetës të vërtetë, opozita mbrëmë votoi reformën. Reformën e refuzoi kategorikisht njeriu që shkoi me një a dy fjalime në xhep. Opozita votoi variantin që ia kanë kërkuar asaj vetë ndërkombëtarët, votoi mbrëmë reformën bazuar në konceptin e vendeve të rezervuara, votoi atë që ia kanë sugjeruar dhe premtuar vetë ndërkombëtarët, për më tepër, votoi variantin që ua ka sugjeruar ndërkombëtarëve vetë Edi Rama, por që tani, ai, për të bllokuar reformën e refuzon atë”, u shpreh Berisha.  Ish-Kryeministri Berisha dënoi edhe qëndrimet e një përfaqësuesi ndërkombëtar mbi shtrembërimin e të vërtetës mbi qëndrimet e opozitës për Reformën në Drejtësi.  “Varianti i përzgjedhjes me vende të rezervuara është servirur fillimisht në komision si sugjerim oral i përfaqësuesit të EURALIUS-it, më vonë përfaqësues ndërkombëtarë kanë sugjeruar që ta pranojmë si zgjidhje dhe ne e kemi pranuar. Shtoj këtu se sugjerimi i tyre është bërë pasi Edi Rama ju kishte kërkuar atyre që të na e servirnin ne si mundësi për konsensus. Kjo është e vërteta absolute. Të gjitha të tjerat janë trillime, mashtrime të paskrupullta të Edi Ramës dhe suitës së papagajve të tij. Se duhet të them që është mjerane kur një përfaqësues ndërkombëtar (ekspert), që në fakt është dhe në origjinë të propozimit të zgjidhjes bazuar në vendet e rezervuara, i raporton qeverisë së tij se opozita nuk ka të drejtë. Por kjo botë është transparente”, u shpreh ish-Kryeministri Berisha.