Memushaj braktis Pescarën, i bashkohet kombëtares

Ledian Memushaj i bashkohet kombëtares në Francë për përgatitjet e fundit për Europianin. Mesfushori i Pescarës, i cili u aktivizua për 64 minuta në finalen e parë të Play Off -it të Serisë B, Pescara – Trapani, 2-0, ditët në vazhdim do të jetë nën urdhrat e De Biasit, duke humbur kështu finalen e kthimit që do të vendosë përfundimisht nëse skuadra e tij do të luajë në Serinë A sezonin e ardhshëm.
Para se të nisej drejt Francës, Memushaj u shpreh me keqardhje për faktin se nuk do të mund të japë kontribut në sfidën e fundit që do të zhvillohet më 9 qershor në Trapani. “Më vjen shumë keq që nuk do të jem, por kështu ishte marrëveshja. Do të doja të isha për të ndihmuar skuadrën, por tani do të jem i detyruar për t’i ndjekur nga larg shokët e mi”, theksoi Memushaj, që më tej shtoi.  “Shpresoj që në orën kur të luhet ndeshja e kthimit De Biasi të ketë programuar stërvitjen, sepse tensioni po më shkatërron që tani. Arritëm një fitore të rëndësishme, por mund të festojmë vetëm të enjten pas orës 23:00. Nuk duhet të mendojmë se gjithçka është mbyllur”, tha Memushaj.