Mediat greke: Rama po shemb banesat në Himarë për resortin e mikut të tij, Carapulit

Gazeta e njohur greke “Protothema” ka bërë një artikull të gjatë për shembjen e banesave në zonën e Himarës, duke akuzuar kështu qeverinë. Sipas medias greke, bëhet fjalë për një resort turistik që do të ndërtohet në këtë zonë nga Pandeli Carapuli, të cilin e cilësojnë si “shokun e Edi Ramës”. “Pandeli Carapuli, miku i Kryeministrit shqiptar Edi Rama synon që të ndërtojë vendpushimin më të madh në bregdetin shqiptar. Kompania e tij Eurocol sh.p.k synon që të ndërtojë në Dhërmi resortin turistik të quajtur ‘Shkëmbinjtë e Bardhë’(White Rocks).
Projekti ka miratimin e KKRT dhe ka firmën e Kryeministrit Edi Rama. Zona ku do të ndërtohet komplesi u takon banorëve vendas, pasi ata kanë të drejtën e pronësisë së tokës. Opozita akuzoi drejtpërdrejt biznesmenin se ka mbrojtje politike nga Partia Socialiste dhe punon ngushtësisht me Kryeministrin shqiptar, ndërsa gazetat në Tiranë shkruajnë se Eurocol sh.p.k është kompani që merr veprat më të mëdha publike në vend dhe ka ndërtuar vilën e Ramës në Tiranë”, shkruan gazeta greke ‘Protothema’.
Brenda vetëm pak muajve miku i Ramës, Pandeli Carapuli rezulton të jetë një nga ndërtuesit më të favorizuar nga qeveria. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Carapuli ka fituar plot 14.8 milionë dollarë fonde nga Rama. Të gjitha fondet janë dhënë me tendera ku Carapuli ka pasur edhe ofertën më të lartë. Dhjetëra kompani të tjera që kishin shpresuar se do të ishin pjesë e garës në tender janë skualifikuar të gjitha pa i dhënë asnjë shpjegim. Fituesi në të gjitha rastet ka qenë i paracaktuar dhe ai ka qenë miku i Ramës, Carapuli dhe kompania e tij “EUROCOL”. Shpërdorimet dhe shkelja e ligjit janë të dokumentuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por deri tani askush nuk heton këtë skandal korruptiv të Ramës. Për Prokurorinë dhe gjykatat, Rama është i paprekshëm. Atij i lejohet të vjedhë qytetarët në shkelje të hapur të ligjeve me ortakët e tij si në rastin e Carapulit.
Në të gjitha tenderat, Carapuli nuk futet me ofertën më të lartë, sepse garancia e tij është ortaku në krye të qeverisë, Rama.  Miku i ngushtë i Kryeministrit nëpërmjet Shoqërisë “EUROCOL” shpk me NIPT J61810018B, me ortak të vetëm dhe administrator Pandeli Carapuli, i cilësuar si “biznesmeni i suksesshëm qysh prej 1991” nga Kryeministri në emisionin “Studio e hapur”, është bërë shumë më i suksesshëm gjatë viteve të qeverisjes së mikut të tij, duke përfituar nga buxheti i shtetit, plot 17,8 miliardë lekë. Këto i ka përfituar falë procedurave të prokurimit, të cilat rezultojnë ose pa konkurrentë, ose pa garë, ose, aty ku ka pasur garë, diferenca me ofertën më të ulët është mbi 1 miliard lekë. Këtë vlerë marramandëse, miku i Ramës i ka përfituar nga pak institucione, OSHEE, Albcontrol, Ministria e Arsimit dhe Bashkia Korçë.